Kërko

Caritasi Shqiptar Caritasi Shqiptar 

Caritasi Shqiptar në Ditën Botërore të Refugjatëve: pranë njerëzve që sfidojnë rreziqet për një jetë me dinjitet

Caritas-i Shqiptar në fushën e impenjimit për të ndihmuar migrantët dhe refugjatët, - pohon drejtori Atë Antonio Leuci - vazhdon udhën e filluar vite më parë, duke ofruar: “ndihmë e mbështetje emigrantëve e refugjatëve që hyjnë në vend, duke i trajtuar me dinjitet gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri”. Caritasi punon në bashkëpunim me Kishën Katolike në mbrojtje të të drejtave dhe të dinjitetit njerëzor të migrantëve e refugjateve.

R.SH. - Vatikan

Edhe Caritasi Shqiptar sot në Ditën Botërore të Refugjatëve e përqendron vëmendjen tek ata persona që braktisin vendin, përballen me plot rreziqe udhës së emigrimit, për një jetë më të sigurte. Në fushën e impenjimit për të ndihmuar migrantët dhe refugjatët, Caritas-i Shqiptar  - pohon drejtori Atë Antonio Leuci  - vazhdon udhës së filluar vite më parë, duke u ofruar: “ndihmë e mbështetje emigrantëve e refugjatëve që hyjnë në vend, duke i trajtuar me dinjitet gjatë qëndrimit të tyre në vend”.

Caritas-it Shqiptar punon në bashkëpunim me Kishën Katolike  në mbrojtje të të drejtave dhe të dinjitetit njerëzor të migrantëve e refugjateve, duke bërë gjithçka është e mundur për t’u siguruar  të gjitha nevojat e ndihmat humanitare. Në vëmendje të veçantë, Caritasi Shqiptar ka ndaj identifikimit të të miturve të pashoqëruar, të grave të dhunuara dhe të trafikuara, personave të sëmure.  Vetëm gjatë vitit 2018 Caritasi Shqiptar, që operon në pikat kufitare hyrëse dhe dalëse  të Shqipërisë, ka asistuar rreth 6000 refugjatë dhe migrantë, që kanë përdorur Shqipërinë si vend tranziti. Ndërsa nga Janari deri tani rreth 3800 refugjatë janë asistuar në pikat kufitare.

Po në vijim ju propozojmë deklaratën e drejtorit të Caritasit Shqiptar Atë Antonio Leuci

“... një Samaritan, që po udhëtonte, i kaloi afër, e pa dhe kishte dhembshuri...dhe mbasi iu afrua, ia lidhi plagët duke ia larë me vaj dhe me verë; pastaj e vuri mbi kafshën e vet, e çoi në një han dhe u kujdesua për të. (Luka 10,33-34)

Sot është Dita Botërore e Refugjatëve dhe vemendja  jonë shkon tek ata të cilët braktisin vendin e tyre për një jetë më të sigurtë,  udhëtimi i tyre është shumë i vështirë dhe plot rreziqe, kjo nganjëherë dhe për shkak të indiferentizmit, frikës  tonë për të pranuar të huajin, të panjohurin. Edhe pse me të gjitha dimesionet e tij, pa bërë dallim apo diskriminim.  

Autoritetet shqiptare edhe pse kanë vështirësi për pritjen e të huajve që hyjnë në Shqipëri kanë bashkëpunuar me Caritas-in për të përmirësuar shërbimet e pritjes, ne jemi angazhuar dhe kemi  mbështetur policinë kufitare dhe të migracionit në lidhje me pritjen dhe akomodimin, sidomos në rastet e familjeve me fëmijë. Kontributi ynë  ka sjellë përmirësime kryesisht në Kakavijë, Kapshticë, Kukës dhe Shkodër  ndërsa  kemi ofruar si alternative për akomodim afatshkurtër Fshatin e Paqes.

Mikpritja është traditë e shqiptarit dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me Strukturat shtetërore dhe organizmat ndërkombetar ka sjellë një model pozitiv në nivel ndëkombëtar. Në mbyllje, dua të theksoj që në misionin e punës tonë bëhet fjalë për ata që për ne janë të panjohur, të padukshëm, te parëndësishëm, bëhet fjalë për më të fundit, të cilët vuajnë indiferentizmin tonë global dhe individual, por që në kulturën tonë te krishterë ata janë “të parët”. Eshtë zgjedhja jonë nëse duam ti përgjajmë  Samaritanit të  mirë apo  levitit që e pa vëllain  të shtrirë në tokë dhe kaloi aty indiferent!

Atë Antonio Leuci

Drejtor i Caritas Shqiptar

20 qershor 2019, 13:53