Kërko

2019.04.17 cappella redemptoris mater nella ii loggia del palazzo apostolico in vaticano 2019.04.17 cappella redemptoris mater nella ii loggia del palazzo apostolico in vaticano 

Më 23 qershor kalendari përkujton Shenjtorët Martirë të Nikomedisë

“Martyrologium Romanum”, e vendos festën e këtyre martirëve më 23 qershor, por pa përcaktuar numrin e saktë. Në vitin e parë të persekutimit të Dioklecianit (303) u martirizuan në Nikomedi (Izmiri i sotëm), kryeqytet i Bitinisë, një grup prej 1003 të krishterësh, për shkak të urrejtjes që pësuan për fenë e tyre.

R.SH. - Vatikan

Më 23 qershor përkujtojmë martirët e Nikomedisë, po kësaj radhe është fjala për njërin nga katër grupet e martirëve të Helespontit, që u martirizuan në vitin 303, gjatë persekutimit të Dioklecianit e që kremtohen në katër data të ndryshme.

Perandori dalmat kishte kryer detyra ushtarake në Nikomedi para se të merrte pushtetin dhe, me që ky vend i pëlqente, kishte ngritur aty një nga selitë e tij më të bukura. I pari që u martirizua – i ndjekur – sipas Martirologut Romak – nga njëzet mijë të tjerë, ishte Pjetri, i cili shërbente pikërisht në pallatin perandorak. Pasi nuk pranoi të flijonte për nder të hyjnive pagane romake, u torturua e pastaj u dogj mbi turrën e druve.

Botimi më i ri i “Martyrologium Romanum”, e vendos festën e këtyre martirëve më 23 qershor, por pa përcaktuar numrin e saktë. Lajmet për ta vijnë nga lashtësia në kohët tona, falë një rrëfimi mbi  martirizimin e tyre “mundimet” – “passio”, që u bë i njohur përmes përkthimit latin, botuar në “Acta SS” (Acta Sanctorum).

Në vitin e parë të persekutimit të Dioklecianit (303) u martirizuan në Nikomedi (Izmiri i sotëm), kryeqytet i Bitinisë, krahinë e Azisë së Vogël në brigjet e detit Marmara – e që nga viti 74 para Krishtit provincë romake, një grup prej 1003 të krishterësh, për shkak të urrejtjes për fenë e tyre. Ata u paraqitën e vetë para Perandorit për të pohuar se ishin të krishterë, së bashku me familjet e tyre e me gjithë njerëzit që kishin lidhje me ta, të lirë e skllevër.

As kërcënimet e as premtimet nuk i thyen: ata nuk hoqën dorë nga dëshmi i fesë në Krishtin. Atëherë Perandori u dha urdhër ushtarëve të tij t’i rrethonin dhe, pas një përpjekje të fundit për t’i bërë femohues, pasuar nga një dëshmi e re, e patundur e fesë, t’i masakronin të gjithë: burra, gra e fëmijë. Masakra, sipas kalendarit egjiptian, ndodhi më 24 shkurt të vitit 303, por më pas kjo datë ndryshon në të gjitha citimet: egjiptiane, bizantine si dhe në shkrimet e historianit të njohur, Euzebit.

Në këtë grup u përfshinë edhe katër “protectores”, domethënë truproje të perandorëve, që ka mundësi të jenë themeluar në kohën e Jordanit të III (238-244). Rojet, prekur thellë nga guximi i martirëve, u paraqiten edhe ata para perandorit duke dëshmuar se ishin të krishterë. Më pas u martirizua një grup tjetër martirësh civilë, si dhe një ipeshkëv me emrin Pjetër. Por të dhënat për ta i ngatërrojnë vazhdimisht personazhet, prandaj nuk mund të konsiderohen si të sakta. Për fat të keq emrat e kësaj aradheje të krishterësh të vërtetë, rënë gjatë persekutimit të Dioklecianit, nuk njihen, prandaj kujtohen e kremtohen të gjithë së bashku me emrin: “Martirët e Nikomedisë”.

 

23 qershor 2019, 14:37