Cerca

Vatican News

Kosova kremton 20-vjetorin e çlirimit e shikon përpara

20 vjet më parë, më 12 qershor të vitit 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë, duke liruar vendin. Kosova sot është Shtet i lirë e sovran, me të gjitha perspektivat, sfidat dhe shpresat për një të ardhme më premtuese e më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit, pa dallim etnie e feje, pohon Ambasadorja Lama.

R.SH. - Vatikan

Kosova feston sot 20-vjetorin e çlirimit. Data 12 qershor është ditë e historike për Kosovën, sepse shënon kur përfundoi lufta me forcat serbe të Sllobodan Millosheviçit, me ndihmën e NATO-s dhe u realizua ëndrra shekullore e lirisë. 

Pra, si sot, ara 20 vjetësh, trupat e NATO-s hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare ndërmjet popullsisë shqiptare kryengritëse, organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe forcave ushtarake e policore serbe.

Bombardimet e NATO-s kundër Serbisë nisën më 24 mars 1999 dhe zgjatën 78 ditë. NATO e ndali sulmin më 10 qershor të vitit '99 dhe i dha fund regjimit të Sllobodan Milosheviçit në Kosovë, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Pas bombave të hedhura nga forcat aleate për njëmbëdhjetë javë rresht, Serbia u detyrua t'i japë fund spastrimin etnik dhe t’i largojë forcat  policore dhe ushtarake nga Kosova, duke mundësuar kështu, kthimin e mbi 800 mijë refugjatëve kosovarë në vendlindje, përkohësisht të strehuar e të mirëpritur në Shqipëri, Maqedoni dhe në vende të ndryshme të botës. Kujtojmë se Kosova e shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.

 Sot, Dita e Çlirimit dhe Paqes në Kosovë u shënua me veprimtari të ndryshme festive e përkujtimore, në të cilat morën pjesë personalitete ndërkombëtare si ish Presidenti Amerikan, Bill Clinton, ish Sekretares se Shtetit të SHBA-së Madeleine Albright e shumë të tjerë.

Edhe Ambasada e Kosovës pranë Italisë, me seli në Romë, me në krye Ambasadoren Alma Lama, organizoi sot dy momente të veçantë për të shënuar 20-vjetorin e çlirimit. Para dite, në  Qendrën e Studimeve Amerikane, në Romë, u mbajt ceremonia e dhënies së çmimeve e të shprehjes së mirënjohjes personaliteteve italiane për kontributin dhe mbështetjen e Kosovës në procesin drejt lirisë, politikanë, gazettarë, humanistë, artistë, priftërinj, shoqata humanitare e organizata jo qeveritare, arbëreshë e të tjerë. Ndërsa pasdite u mbajt një koncert me muzikë klasike nga Ana Lushi, soprane e Alberta Troni, pianoforte.

Ndër personalitetet që  morën çmimin nga Ambasadorja e Kosovës në Romë, Alma Lama, ishte Profesoresha Emanuela del Re – Zëvendës-Ministre e Jashtme e Italisë, pastaj Pavarotti end Friends, ndër nga mediat ishte Rai, Radio Radikale dhe Radio Vatikani, në personin e dr Luca Colodit dhe të ish Drejtorit të Përgjithshëm jezuitit Atë Federiko Lombardit. Ndër organizatat humanitare, themeluesi i organizatës “Beati Costruttori di Pace”, meshtari italian nga Padova dob Albino Bizzotti, presidenti i “Pax Christi”, don Tonio Dell’Olio e shumë të tjerë, si dhe të disa personaliteteve arbëreshe si Giuseppe Di Giacomo, Zef Chiaramonte e Domenico Morelli.

Siç pohoi Ambasadorja e Kosovës Alma Lama “Në ditën e sotme si në Kosovë e po kështu edhe këtu në Itali, përkujtojmë momentin historik, por duam edhe t’i falënderojmë të gjitha ato shtete e të gjithë ata miq që kanë qenë pranë nesh në ditët e vështira dhe na kanë ndihmuar...Të gjithë kanë kontribuar me përkushtim, pa interes e dashamirësi, sepse kanë besuar në vlerën e lirisë, të të drejtave të njeriut, të paqes dhe demokracisë”. Italia është ndër shtetet a para që njohu edhe pavarësinë e Kosovës, ka kontribuar në procesin e paqes, të demokracisë dhe ka mbështetur popullsinë në fusha të ndryshme të zhvillimit. Po mbi domethënien e këtij 20-vjetori të çlirimit të Kosovës dhe sfidat që ka vendi, posaçërisht në përforcimin e demokracisë, të paqes e prosperitetit, në mikrofonin e dom David Gjugjës ta dëgjojmë  Ambasadoren Alma Lama..

Mbi domethënien e këtij 20-vjetori të çlirimit të Kosovës dhe sfidat që ka vendi, në mikrofonin e dom David Gjugjës ta dëgjojmë Ambasadoren Alma Lama
12 qershor 2019, 16:52