Kërko

statua di Sant Antonio da Padova statua di Sant Antonio da Padova 

Më 13 qershor kalendari kujton shëna Ndoun e Padovës

Jetoi e vdiq gjithnjë në komunikim me Zotin e me fenomenet e mbinatyrshme, duke u lënë trashëgim bijve të Krishtit e të devoçëmve të tij, fjalën e artë, mësimin për udhën, që të çon drejt Qiellit: “Këtu, në tokë - pati shkruar - syri i shpirtit është dashuria, e vetmja, që vlen, për të çarë çdo vel, i cili na pengon për të parë Zotin. Atje ku intelekti ndalet, vijon dashuria që, me ngrohtësinë e saj, të çon tek Ai i Lumi”. (Shën Antoni i Padovës, Sermones).

R.SH. - Vatikan

Më 13 qershor kalendari kishtar kremton festën e Shëna Ndout të Padovës, meshtar e doktor i Kishës, bashkëkohës i Shën Françeskut.

Shën Antoni i Padovës është një nga shenjtorët më popullorë të Kishës së gjithmbarshme. Kisha na kujton kryesisht mësimet e këtij Shenjti, tejet të nderuar nga besimtarët katolikë, kushtuar lutjes, parë si lidhje dashurie e si bisedë e përzemërt me Zotin. Ne lujton edhe bamirësinë e tij të mirënjohur, që gjen shprehjen në përbujtjen e të varfërve e në bindjen se do të jenë pikërisht varfanjakët ata, që do të na mikpresin në qiell. Mësim me vlerë sidomos për kohën tonë, të tronditur nga kriza ekonomike e varfëria.

Duhet përmendur edhe aftësinë e Shëna Ndout si predikatar, mësim ky i rëndësishëm për meshtarët për t’i përgatitur me kujdes të madh homelitë, për ta paraqitur në mënyrë sa më të kuptueshme e prekëse, bukurinë e amshuar të Jezu Krishtit. Me pak fjalë, Antoni më se një herë i ftoi njerëzit të mendojnë për pasurinë e vërtetë, atë të zemrës, që na bën të mirë e të mëshirshëm e na ndihmon të mbledhim thesare për Qiell , (…). Thua s’është ky, miq të dashur, një mësim tejet i rëndësishëm edhe për sot, kur kriza financiare dhe humbja e ekuilibrit ekonomik shkaktojnë varfërimin e shumë njerëzve dhe krijojnë kushte mjerimi? 

Shën Antoni lindi në Lisbonë, në gjirin e një familjeje fisnike, rreth vitit 1195 e u pagëzua me emrin Fernand. Hyri ndër kanonikët që ndiqnin rregullin e Shën Agostinit, së pari në kuvendin e Shën Vinçencit, në Lisbonë, më pas, në Atë të Shëna Krygjës, në Koimbra, asokohe qendër e njohur kulturore e Portugalisë. 

Iu kushtua me zell studimit të Biblës e të Etërve të Kishës, duke fituar atë shkencë teologjike, të cilën më pas e vuri në jetë me fryt në veprimtarinë e mësimdhënies e të predikimit. Në Koimbra ndodhi ngjarja, që do të shënonte kthesën e madhe të jetës së tij: këtu, më 1220, u vendosën për nderim në elter, reliket e pesë misionarëve të parë françeskanë, që kishin shkuar në Marok, ku ishin martirizuar. Fundi i jetës tokësore të martirëve ngjalli në zemrën e Fernandit të ri dëshirën për të ecur në gjurmët e tyre e për të përparuar në udhën e përsosurisë së krishterë. Lypi, atëherë, të largohej nga Kononikët agostinanë e të bëhej vëlla i vogël. 

Kërkesa e tij u pranua e, si mori emrin Anton, u nis edhe ai për në Marok, por Provania hyjnore vendosi ndryshe. Pas një sëmundjeje të rëndë, u detyrua të rikthehej në Itali e, në vitin 1221, mori pjesë në Kapitullin e famshëm të rrogozave, në Asizi, ku u takua me Shën Françeskun. Më pas jetoi në heshtje të plotë, në një kuvend pranë Forlìsë, në veri të Italisë, ku Zoti e thirri për një mision tjetër. 

I dërguar rastësisht për të predikuar në shugurimin meshtarak të një sivëllai, tregoi se ishte i pajisur me aftësi të shquara shkencore e me gojtari të bindshme. Atëherë eprorët menduan t’i kushtohej posaçërisht predikimit. E ai nisi, më parë në Itali e pastaj në Francë, një veprimtari apostolike të dendur e të frytshme, përmes së cilës arriti t’i rikthejë në gjirin e Kishës shumë njerëz, që ishin shkëputur prej saj. Antoni qe edhe një nga mësuesit e parë të teologjisë të vëllezërve të vegjël, për të mos thënë i pari. 

Nisi të japë mësim në Bolonjë, me bekimin e vetë Shën Françeskut i cili, duke i njohur virtytet e Shenjtit të ardhshëm, i dërgoi një letër të shkurtër, që hapej me këto fjalë: “Më pëlqen që u mëson teologji vëllezërve”. Antoni hodhi bazat e teologjisë françeskane që, e kultivuar nga figura të tjera mendimtarësh të shquar, arriti majat me Shën Bonaventurën nga Banjorexhio dhe me të Lumin Duns Skot.

Si u bë Epror provincial i Vëllezërve të vegjël të Italisë veriore, vijoi të predikonte, pa hequr dorë nga drejtimi i provincës, që i qe besuar. Pasi përfundoi detyrën e ngarkuar, u tërhoq në Padovë, ku kishte shkuar edhe herë të tjera. Pas një viti, mbylli sytë tek Portat e qytetit, më 13 qershor 1231. Padova, që e kishte pritur me entuzizëm e dashuri në jetë, e bëri të vetin, me nderim e devocion, edhe pas vdekjes. 

Vetë Papa Gregori IX, pasi e kishte dëgjuar duke predikuar, e quajti “Arka e Besëlidhjes” dhe e shpalli shenjt vetëm një vit pasi ndërroi jetë, më 1232, pas mrekullive të mëdha, që ndodhën me ndërmjetësimin e tij. Në periudhën e fundi të jetës, Antoni shkroi dy cikle me titullin ‘Sermone’ (Predikime), të cilat i titulloi “Sermonet e së dielës” dhe ‘Sermonet kushtuar shenjtorëve”, për përdorim nga predikatarët dhe nga mësuesit e teologjisë të Urdhërit Françeskan. Aq të pasura në mësime shpirtërore ishin këto dy vepra, sa Papa Piu XII, në vitin 1946, e shpalli Antonin “Dijetar i Kishës”, duke i dhënë titullin “Doktor ungjillor”, sepse nga shkrimet e tij, që mund t’i lexojmë edhe sot e kësaj dite, buron freskia e bukuria e Ungjillit.

SHNA NDOU I PADOVËS

Në lypë, o nieri mrekulli
si n’idhnim si në zor, si në dekë,
të kqijat zhduken gjith unji
i shndoshtë kjosh a fill tue hjekë.
(kthesa) O i mrekullueshmi Shejti Shna Ndue,
ty qielli e toka asht tue të nderue.
Na nder kambë tua sod të kemi ra
dhe na po të lut’mi ndihmë me na u bâ.
Djalli rrebtë me shumë duhi,
E gërbula në shum ezgjet,
zhduken shpejt, emnin tue ndî
e Shna Ndout kur kush e thrret. (kthesa).
Fashitë deti me tallaze,
Zgidhen robët në robní shtërngue:
paqja bje, s’rri mâ në maraze
njeri jet kryekput i gëzue. (kthesa)
Gja në të pasët hupë për ta gjetë ké,
e burrë në kjosh a plak a i ri:
zor, rrezik, çka të keshë mbi dhé
me u zhdukë ka, veç n’ emën të ti. (kthesa).
Padovanët pa prâ diftojnë 
gjith kto punë që bajnë vaki,
nji mbas tjetrit i kallzojnë
nderim shejtit tue i përtrî. (kthesa).
Atit të madh i kjoftë lumni,
që me Birin bashkë sundoftë,
e me Shpirtin gjith Shejtní
të treve bashkë lumni u kjoftë. (kthesa).

Marrë nga “Mësim i kshtenë”, imzot Frano Illia 

13 qershor 2019, 13:45