Cerca

Vatican News
Shën Barnaba Apostull Shën Barnaba Apostull 

Më 11 qershor kalendari kishtar përkujton Shën Barnabën, Apostull

Me origjinë nga Qipro, ai shiti gjithçka pati dhe paratë që fitoi nga shitja e pasurive, i vuri tek këmbët e Apostujve, të cilët që nga ai çast nisën ta thërrasin Barnaba, që do të thotë Bir i ngushëllimit. Në Veprat e Apostujve, Barbana, paraqitet pikërisht përmes këtij gjesti, që flet për kthesë rrënjësore të jetës së tij duke përqafuar udhën e Jezu Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Quhej Jozef, para se të lidhej me apostujt. Me origjinë nga Qipro, ai shiti gjithçka pati dhe paratë që fitoi nga shitja e pasurive, i vuri tek këmbët e Apostujve, të cilët që nga ai çast nisën ta thërrasin Barnaba, që do të thotë Bir i ngushëllimit. Në Veprat e Apostujve, Barbana, paraqitet pikërisht përmes këtij gjesti, që flet për kthesë rrënjësore të jetës së tij duke përqafuar udhën e Jezu Krishtit.

Barnaba është një figurë që del në plan të parë në bashkësinë e flaktë të krishterë të Jerusalemit pas Rrëshajësh. Ndonëse u përket 72 nxënësve të Krishtit, thirret apostull. Gëzon një respekt aq të madh ndërmjet të Dymbëdhjetëve, sa që ata e zgjedhin për të ungjillëzuar Antiokinë.

“Shenjtorët janë njerëz si ne, me probleme e mëkate; shenjtëria e tyre është fryt i pendesës dhe i aftësisë për të rifilluar, pas mëkatit”: kështu u shpreh Papa Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme të 31 janarit 2007 duke folur për Barnabën, Silvanin e Apolin, shokë të Shën Palit në misionet e tij të para.

Barnaba, qe i pari që përhapi dyshime mbi kthimin e Shën Palit në fenë e krishterë pranë bashkësisë besëpakë të Jerusalemit, i pari që e shoqëroi Palin në shtegtimin e tij të parë apostolik, por edhe i pari që u ndesh me të për praninë e Gjon Markut në shtegtimin e dytë.

“Pra, edhe ndërmjet shenjtorëve ka mospërkime, mosmarrëveshje e grindje,– pati thënë Papa Benedikti XVI gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme të 31 janarit 2007 kushtuar bashkëpunëtorëve të shën Palit. E kjo mua më duket shumë ngushëlluese, sepse shikojmë që shenjtorët nuk ranë nga qielli, por ishin njerëz si ne, me probleme e edhe me mëkate. Të jesh shenjt nuk do të thotë të mos kesh gabuar kurrë, por të kesh aftësinë të pendohesh, të rifillosh e, mbi të gjitha, aftësinë të pajtohesh e të falësh”.

Në se Barnaba - vërejti Papa Benedikti XVI - me gatishmërinë e tij fillestare për t’i shërbyer Saulit të Tarsit, qe ai që ia ktheu Palin Kishës, Sila ose Silvani qe ai që qëndroi përkrah Palit, pas ndarjes nga Barnaba. Shkrimet apokrife flasin për një udhëtim të Barnabës në Romë dhe martirizimin e tij, rreth vitit 70 në Salaminë, ku u mbyt me gurë nga hebrenjtë e diasporës greke.

11 qershor 2019, 07:36