BANDIERA Albania BANDIERA Albania 

Më 10 qershor kujtojmë përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Me një platforme ideologjike e një program politik kombëtar, me një strukturë organizative të shtrirë në të gjithë viset shqiptare e të përbërë nga organet lokale e qendrore, me një veprimtari të gjerë propagandistike dhe kulturore, Lidhja Shqiptare e Prizrenit luftoi për çlirimin e vendit nga robëria osmane, për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut dhe për formimin e shtetit shqiptar.

R.SH. - Vatikan

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e para organizatë politike mbarëshqiptare u mbajt më 10 qershor më 1878. Me një platforme ideologjike e një program politik kombëtar, me një strukturë organizative të shtrirë në të gjithë viset shqiptare e të përbërë nga organet lokale e qendrore, me ushtri dhe me një veprimtari të gjerë propagandistike dhe kulturore, Lidhja Shqiptare e Prizrenit luftoi për çlirimin e vendit nga robëria osmane, për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut dhe për formimin e shtetit shqiptar.

Politikisht dhe ideologjikisht kjo Lidhje u formua në kohën kur po ndihej jehona e revolucioneve çlirimtare të Evropës dhe Ballkanit. Formimi i saj u përshpejtua pas Traktatit të Shën Stefanit, i cili e gjymtonte tërësinë territoriale të Shqipërisë. Ajo u themelua nga Kuvendi Kombëtar i Prizrenit ku morën pjesë përfaqësues të viseve të ndryshme shqiptare dhe ku gjithashtu u miratua statuti dhe "Urdhëresa" ku trajtoheshin aspekte organizative, politike dhe ushtarake te saj.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit ngriti pothuajse kudo degë të saj, krijoi një front të gjerë patriotik duke kapërcyer dallimet klasore, fetare e krahinore dhe u bë një forcë e organizuar, duke fituar një autoritet të padiskutueshëm tek populli në mbarë vendin. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ngriti me forcë para Qeverisë Osmane çështjen e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare në një njësi më vete politiko-administrative, që Porta e Lartë në mënyrë të vendosur e kundërshtoi. 

Ajo dërgoi në pranverë të vitit 1879 një delegacion të kryesuar nga Abdyl Frashëri, tek Fuqitë e Mëdha të Evropës, i cili mbrojti para tyre çështjen kombëtare shqiptare duke kërkuar njohjen e popullit shqiptar si një të pandarë , respektimin kundrejt tij të parimit të kombësisë, dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të tij. Ndër betejat më të rëndësishme të kryesuara nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte mbrojtja e Plavës dhe Gucisë , e Hotit dhe e Grudës.

Lëvizja për mbrojtjen e tërësisë territoriale u shoqërua me luftën për autonomi. E tronditur nga kjo veprimtari e fuqishme, qeveria Osmane, hodhi forca të mëdha ushtarake për ta shtypur atë. Në mars te vitit 1881 u pushtua qëndresa e fundit, Shkupi dhe anëtarët e komitetit të Lidhjes së qytetit u internuan.

Edhe pse u shtyp, Lidhja Shqiptare e Prizrenit pati një rëndësi të madhe në historinë e popullit shqiptar. Epopeja e madhe që ajo shkroi i dha një shtytje të re Lëvizjes Kombëtare duke ushtruar ndikim të madh në luftërat e mëvonshme për liri. Luftën e tyre për çlirim mbarëkombëtar shqiptarët e mbështetën në idetë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në përvojën e saj politike organizative e ushtarake. Në Lidhje të Prizrenit morën pjesë figura të shquara si Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Iljaz Pashë Dibra, Ymer Prizreni shumë të tjerë.

10 qershor 2019, 11:26