Financial Times mbi zgjedhjet evropiane Financial Times mbi zgjedhjet evropiane 

Zgjedhjet Evropiane: Parlamenti i ri me shumicë europeiste

Euroskeptikët në rritje, por nuk bindin plotësisht; familjet politike tradicionale – Popullorët dhe Socialistët – humbasin konsensus, por fitojnë vota më shumë Liberalët e, sidomos të Gjelbërit, që befasojnë në Gjermani e në Francë. Pjesëmarrja, përtej 50%-shit.

R.SH. - Vatikan

Sipas rezultateve të sigurta tashmë, Parlamenti i ri Evropian, i dalë nga zgjedhjet e këtyre ditëve, u takon europeistëve. Partia Popullore, së bashku me socialistët dhe liberalët, kanë fituar shumicën e vendeve, 438 ndër 751 të mundshme. Më pas, vijnë të gjelbërtit, konservatorët, të ashtuquajturit “sovranistë” dhe Partia EFDD (Evropa e lirisë dhe e Demokracisë së drejtpërdrejtë). Pjesëmarrja e votuesve u ndal në rreth 51% në gjithë Bashkimin Evropian, 8 pikë më shumë se në vitin 2014.

Sovranistët avancojnë, por nuk bindin

            Sovranistët - pra, ata që vënë në plan të parë vendin e vet e jo Evropën - të cilët mendohej se mund të merrnin shumë më tepër vota, u ndalën, megjithëse janë parti të para në Itali, Francë e në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërkaq, mbeten të zhgënjyer në Gjermani, Hollandë, Spanjë e në vende të tjera. E duhet pasur parasysh se europarlamentarët e Britanisë së Madhe do të japin dorëheqjen, pas Brexit. Partia e të Gjelbërve qe befasia e këtyre zgjedhjeve. Sidomos në Gjermani, për herë të parë, kapërceu pragun e 20%-shit, duke u bërë partia e dytë në nivel kombëtar.

Vendet përreth trevave shqiptare

E nëse shohim vendet përreth trevave shqiptare, në Greqi, fiton partia konservatore “Demokracia e Re”, duke lënë mjaft mbrapa partinë e kryeministrit Tsipras, i cili s’mund të mos pranojë nevojën e zgjedhjeve të parakohshme. Në Rumani kryeson Partia Socialdemokratike, aktualisht në qeveri dhe Partia Liberale, partia kryesore në opozitë. Në Itali, fiton Lega e Salvinit, ndjekur nga Partia Demokratike.

Në Europarlament, shqiptarja Arba Kokalari

E para parlamentare me origjinë shqiptare në Parlamentin Evropian është zgjedhur në Suedi. Arba Kokalari - mbesa e së mirënjohurës Musine Kokalari, themelueses së Partisë Socialdemokratike në Shqipëri (1943), që vdiq në varfëri e në harresë, e persekutuar nga regjimi komunist – fitoi në radhët e Partisë së Moderuar të Suedisë. 

27 maj 2019, 13:33