Kërko

 Katedralja ortodokse e Sofjes Katedralja ortodokse e Sofjes 

Republika e Bullgarisë

Bullgaria: disa të dhëna për vendin, që do të vizitojë Papa Françesku

R. SH. - Vatikan

Bullgaria kufizohet, në veri, me Rumaninë; në jug, me Turqinë dhe Greqinë; në perëndim, me Maqedoninë  e Veriut e Serbinë. Del në Detin e Zi.

Kryeqyteti: Sofja (1.323.637 banorë)

Sipërfaqja:  110.912 kmk;

Popullsia: 7.076.000 banorë

Dendësia: 64 banorë/kmk;

Gjuha: bullgare

Grupet kryesore etnike:  bullgarë (87%), turq (9%), ciganë(4%)

Feja: ortodoksë (87%;); myslimanë(10%) katolikë (1%)

Forma e qeverisë: republikë parlamentare

Njësia monetare: lev bullgar (1.00 EUR=1,96 BGN)

Pjesëmarrja në organizatat ndërkombëtare: anëtare e Këshillit të Evropës, EBRD, NATO; OKB; OSBE; OAS; BE; WTO.

Pakëz histori

Origjina e kombit bullgar duhet kërkuar në shekullin VII, kur në deltën e Danubit u dynden disa fise nga Azia qendrore, që u përhapen, pastaj, në trojet ndërmjet lumit e Ballkanit, duke i nënshtruar popullsitë trake e sllave të pranishme në territor. Të ashtuquajturit proto-bullgarë u integruan me shpejtësi me këto popullsi, duke nisur kështu, një proces të ngadalshëm  asimilimi reciprok. Ndërmjet shekullit IX e X Shteti i ri ballkanik ishte, tashmë, i konsoliduar, duke i dhënë fund shkrirjes së etnive të ndryshme,  të bashkuara nga një gjuhë e vetme (sllave), nga një alfabet i vetëm (cirilik) e një fe e vetme, e përbashkët (krishterimi). Ky bashkim etnik, kulturor, gjuhësor e fetar, do ta  mbronte kombin bullgar në shekujt e mëpasëm, pavarësisht nga pushtimet e huaja, më i gjati nga të cilët ishte ai otoman(1369- 1878). Zgjimi i ndërgjegjes kombëtare, ndërmjet shekujve XVII e XIX i dha shtytjen kryesore luftës për çlirimin nga zgjedha otomane, gjë që i krijoi popullit bullgar kushtet të fitonte, së pari, autonominë, nën mbrojtjen e Rusisë (1878) e më pas, edhe të pavarësisë së plotë, më 1908.

Në përpjekjen për të realizuar ëndrrën e lashtë të Bullgarisë së Madhe, që duhej të përfshinte Maqedoninë e të dilte në Detin Egje - mbretërit bullgarë morën pjesë në Luftërat ballkanike të 1912-tës e 1913-tës, duke pushtuar disa territore, të cilat shumë shpejt edhe i humbën. Gjatë Luftës I Botërore u lidhën me aleancën qendrore (Gjermania-Perandoria Austro-Hungareze – Perandoria otomane), që pësuan të gjitha disfatë. Ndërmjet dy luftërave botërore, Mbreti Boris III (1918-43) vendosi regjimin e tij autoritar, në aleancë me Gjermaninë naziste. E radhitur me fuqitë e Boshtit (Gjermani, Itali, Japoni) gjatë konfliktit të dytë botëror, në vitin 1944 Bullgaria u pushutua nga forcat e armatosura sovjetike. Në vitin 1946, përmes një referendumi e pas miratimit të një Kushtetute të frymëzuar nga modeli sovjetik, monarkia u zëvendësua me Republikën Popullore, të sunduar për 35 vjet me radhë nga Todor Zhivkov (1954-1989). Ishte koha e diktaturave, në viset e Ballkanit!

Fundi i regjimit komunist (1989) në përkim me fundin e bllokutt sovjetik, në vitet ’90, hapi një fazë të ndërlikuar tranzicioni politik e edhe ekonomik për Bullgarinë.  E varur siç ishte deri në këtë kohë nga Bashkimi Sovjetik, pati një fazë komplekse tranzicioni. Duke dalë nga vartësia e BRSS, vendi e ndjeu fuqimisht krizën, që po kalonte Rusia pas-sovjetike dhe mungesën e stabilitetit në zonën ballkanike, pasuar nga fundi i Jugosllavisë, ndërsa  kalimi në ekonominë e tregut u bë me vështirësi të mëdha e në kushte të rënda shoqërore. Kjo krijoi një mungesë të ndjeshme stabiliteti politik, karakterizuar nga zëvendësime të njëpasnjëshme të pas-komunistave të Partisë socialiste bullgare me forcat e reja  që u vetëquajtën demokratike. Në gjirin e tyre lindi, më 2007-tën, Partia Konservatore e Qytetarëve për zhvillimin evropian të Bullgarisë (Gerb). Ndonëse nuk i shkëputi lidhjet tradicionale me Rusinë, Bullgaria nisi të orientohej gjithnjë e më shumë nga Perëndimi: më 2004 hyri në Nato e më 2007, në Bashkimin Evropian, me presidencën e parë të turnit në vitin 2018.

Në vitin 2009 pakënaqësia e shkaktuar nga kriza ekonomike ndikoi fuqimisht, gjatë zgjedhjeve, mbi humbjen e socialistëve dhe fitoren e Gerb, lideri i të cilëve, Bojko Borisov, u zgjodh kryeministër. Mungesa e stabilitetit politik në vend zgjati gjatë gjithë këtyre viteve. Në mars 2017 u organizuan zgjedhjet e parakohshme, të cilat përfunduan me fitoren e re të qendrës së djathtë të Borisovit. Zhvillimi ekonomik, që shoqëroi hyrjen e Bullgarisë në BE, nuk pati jetë të gjatë. Në vitin 2009, nën ndikimin e krizës globale, nisi ngadalësimi, me pasoja shumë negative mbi punësimin, por ekonomia vijoi të rritej gjatë tri vjetëve të fundit. Rifillimi i zhvillimit krijoi kushtet për pakësimin e papunësisë dhe mbajtjen nën kontroll të defiçitit si dhe të borxhit publik që, më 2017-tën, arrinte në 25,6% të Prodhimit të Brendshëm Brut. Vitet e fundit, në ekonominë vendase u përmirësua edhe konkurenca, falë taksave të leverdisshme. Me gjithë këtë, Bullgaria mbetet vendi evropian me Prodhimin e Brendshëm Brut më të ulët për frymë e shumica e banorëve kërcënohen nga varfëria e mirëfilltë (40%). Problem i mprehtë mbetet edhe ai i korrupsionit, që vijon të përhapet, me pasoja shkatrrimtare, tashmë të mirënjohura në të gjitha vendet ballkanike, dalë nga regjimet diktatoriale.   

 

04 maj 2019, 15:15