2019.05.07 Viaggio apostolico Papa Francesco Bulgaria Memorial House Madre Teresa 2019.05.07 Viaggio apostolico Papa Francesco Bulgaria Memorial House Madre Teresa 

Shkupi

Shkypi kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut. Dioqeza e Shkupit është e lashtë, që në Koncilin e Serdicës (343). Në shekullin V, Shkupi ishte seli metropolitane e Dardanisë. Shtëpia e Nënë Terezës, me një kapelë të vogël dhe me muzeumin, gjendet në vendin ku jetonte misionarja shqiptare e bamirësisë kur ishte fëmijë

R.SH. - Vatikan

Shkupi (506.926 banorë) është kryeqyteti dhe qyteti më i madh i Maqedonisë së Veriut. Ndodhet në pjesën veriore të vendit, përgjatë rrjedhës së lumit Vardar. Qyteti, i banuar që nga kohërat e lashta, duke lidhur kulturat e Azisë së Vogël dhe Mesdheut me ato të Evropës qendrore dhe veriore, transformohet në shekullin e parë pas Krishtit, nga një vendbanim i njohur si Scupi në një fortesë-pararojë e Perandorisë Romake. Pas vitit 395, qyteti kalon nën kontrollin e Perandorisë Bizantine, pastaj të Perandorisë Bullgare dhe më tej, të Serbisë. Më 1392, Shkupi u pushtua nga turqit osmanë, që sunduan deri më 1912, kur Mbretëria e Serbisë i mundi në Luftrat Ballkanike.

Gjatë periudhës osmane, qyteti njihet si Üskükp. Pas Luftës I Botërore, Maqedonia bëhet pjesë e Jugosllavisë, fillimisht, e Mbretërisë së Jugosllavisë dhe pastaj, pas Luftës II Botërore, pjesë e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Shkupi caktohet si kryeqyteti i Maqedonisë. Më 26 korrik 1963, një tërmet i fuqishëm shkatërroi pjesën më të madhe të kryeqytetit. Rindërtimi i tij u drejtua nga arkitekti i njohur japonez, Kenzo Tange. Maqedonia u shpall e pavarur më 1991, pas shpërbërjes së Federatës Jugosllave.

Pikat më të rëndësishme të qytetit janë: Kështjella e Kales, ndërtuar në shekullin VI nga perandori bizantin Justiniani, në kodrën më të lartë në Shkup; ura e gurit e shekullit VI mbi lumin Vardar; Kulla e Sahatit e shekullit XVI; Kulla Feudale; ujësjellësi; Pazari i Vjetër; Hamami i Daut Pashait, banjë e vjetër turke, ku tani ndodhet Galeria Kombëtare e Arteve; sheshi Maqedonia, në qendër të qytetit, me statujën imponuese të Aleksandrit të Madh dhe stacioni i vjetër hekurudhor, shkatërruar nga tërmeti, së bashku me muzeumin, që kujton fatkeqësinë e vitit 1963. Qyteti ka shumë xhami historike dhe kisha ortodokse.

Shtëpia e Nënë Terezës, me një kapelë të vogël dhe me muzeumin, gjendet në vendin ku jetonte misionarja shqiptare e bamirësisë kur ishte fëmijë. Në majë të Malit Vodno, që mund të arrihet me teleferik, lartohet Kryqi i Mijëvjeçarit i ndërtuar në vitin 2002 për të festuar 2000 vjet krishtërim.

Dioqeza e Shkupit varet drejtpërdrejt nga Selia e Shenjtë. Është dioqezë e lashtë, e pranishme që në Koncilin e Serdicës (343). Në shekullin V, Shkupi ishte seli metropolitane e Dardanisë. Perandori romak Justiniani e rindërtoi qytetin e shkatërruar nga tërmeti i vitit 518, duke i dhënë emrin Justiniana I, të cilën Papa Vigjili e ngriti në nivelin e kryedioqezës së pavarur. Pas ardhjes së sllavëve, në vitin 102, Shkupi u bashkua me konfederatën e Akridës, duke u bërë kështu, skizmatike. Nën Kalojanin, mbret i Bullgarisë, për një kohë të shkurtër, u bashkua me Romën (1024). Në vitin 1246 iu aneksua kishës skizmatike serbe dhe nga viti 1364 u vendos në Patriarkatin e Ipekut. Aktualisht është edhe seli metropolitane serbo-ortodokse.

Gjatë shekujve XIV, XV, XVI, ipeshkvijtë latinë të Shkupit, kujtuar nga dokumentet zyrtare, ishin të gjithë titullarë, pra, “in partibus infidelium” e asnjëri nuk mori në dorë administrimin e dioqezës. Që nga viti 1656, ipeshkvijtë e ritit latin filluan të banonin në vend. Dioqeza latine e Shkupit u bë kryedioqezë nga viti 1701 deri në vitin 1921. Pas një periudhe të shkurtër pushimi në vitin 1924, si pasojë e Konkordatit të vitit 1914 ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Serbisë, rezidenca ipeshkvnore u vendos në Prizren. Më 16 mars 1926, u shtua si administratë apostolike, qyteti dhe rajoni i Bitoljit (Manastir), që më parë i përkiste vikariatit apostolik të Kostandinopojës.

Aktualisht, dioqeza e Shkupit mbulon një hapësirë prej 30.000 km katrorë; ka 2.340.110 banorë; 3.666 katolikë; 2 famulli; 5 kisha; 6 meshtarë dioqezanë; 12 murgesha; 1 institut bamirës; 17 pagëzime vitin e kaluar.

07 maj 2019, 08:55