Kërko

Matarella: “Evropa duhet të rifitojë frymën e fillesës e të kujdeset më shumë për njerëzit”

Intervistë e Kreut të Shtetit italian, Sergio Mattarella, me mediat vatikanase: “Vërehen shpesh sjellje intolerance, por në Itali fiton ende solidariteti”. “Deklarata mbi Vëllazërimin njerëzor e Françeskut dhe Imamit të madh të Al-Azhar ka rëndësi të madhe për t’iu kundërvënë bazës së predikimit të urrejtjes dhe terrorizimit". "Evropa duhet të rifitojë shpirtin e fillesës. Duhet të kujdeset më shumë për fatin e njeriut: të garantojë gjithnjë më shumë bashkëpunim, barazi kushtesh, rritje ekonomike, por kjo realizohet realisht vetëm me zhvillimin kulturor civil e moral”.

R. SH. - Vatikan

Edhe pse “duken me bujë sjellje intolerance, agresiviteti, mospranimi të tjetrit e të kërkesave të tij, e duhet shmangur rreziku që këto fenomene të mbështesin njëri-tjetrin “në nivel ndërkombëtar”, në Itali mbizotërojnë ende “nismat dhe sjelljet e solidaritetit të vërtetë njerëzor”. Prandaj, duke ndjekur edhe ftesën e Papës, do të ishte mirë që Kontinenti ta rigjejë shpirtin e themeluesve. “Evropa duhet ta rifitojë frymën e fillesës. Duhet të kujdeset më shumë për fatin e çdo njeriu”. E pohon Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, gjatë një interviste me mediat e Vatikanit (Oservatore Romano, Radio Vaticana e Vatican News). Duke prekur një mori tematikash, Kreu i shtetit italian flet për marrëdhëniet shumë të mira,  në çdo drejtim, ndërmjet Italisë dhe Selisë së Shenjtë, për rolin e Kishës katolike në vend, rëndësinë e dialogut ndërmjet feve për paqen në botë, lidhur edhe me Deklaratën e Abu Dabit, nënshkruar nga Françesku dhe Imami i madh i Al Azharit.

Presidenti italian kujton edhe përmasën ekzistenciale, që ndjehet fort në fjalimet e tij, në të cilat del në pah përherë atmosfera e krizës në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, që jetojnë gjithnjë më të vetmuar e të harruar në zemrën e qyteteve potermëdha evropiane.

Por ne po ndalemi posaçërisht tek përgjigjja e disa prej pyetjeve, që i drejtohen, duke nisur nga:

Papa Françesku, në fillim të 2019-tës, kreu dy shtegtime në vende me shumicë myslimane. Në Emiratet Arabe nënshkroi, së bashku me Imamin e Madh të Al Azharit, një Deklaratë impenjative kushtuar  Vëllazërimit njerëzor. Ç’vlerë ka ky dialog ndërmjet feve për paqen në botë?

“Fetë kanë një rol gjithnjë në rritje në skenën ndërkombëtare. Nëse kjo është vërejtur vazhdimisht në Kontinentet e tjera, sot po duket gjithnjë më shumë edhe në Evropë. Kjo rritje e ndikimit ka rëndësi të madhe për t’i siguruar botës mirëkuptim reciprok e paqe. Liderët fetarë nderohen e ndiqen shumë nga popullsitë. Respekti i anasjelltë dhe dialogu ndërmjet feve të ndryshme - që flasin për paqen e vëllazërimin - përbëjnë kushtet themelore dhe janë ilaçi kryesor kundër ekstremizmit, i cili kërkon t’i përdorë ndjenjat fetare për qëllime që nuk kanë asgjë të përbashkët me fenë. Këto orvatje të ekstremizmit kanë ekzistuar gjithnjë e gjithnjë janë përdorur për qellime politike e për pushtet. Terrorizmi, me vulë islamike, bën pjesë në këtë fenomen të lashtë që,  për fat të keq, po përhapet edhe më shumë falë mjeteve moderne, me pasojat e strategjisë e të veprimtarisë kriminale. Kriminalitet, i cili goditi përsëri, këto ditë, në Burkina Faso, në Irak, në Afganistan. Këtij i shtohen dhuna e atentatet, që synojnë sigurimin e supermacisë, si ato të Christchurch, në Zelandën e Re, kundër besimtarëve myslimanë. Deklarata mbi vëllazërimin njerëzor, nënshkruar nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azhar, ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe si në planin  parimor, ashtu edhe në atë konkret, për të zhdukur bazat e predikimit të urrejtjes e të terrorizmit, që kërkon padrejtësisht mbështetje në shkaqe fetare. E kështu ishte edhe gjesti i Papës në Bangui, ku mori pranë vetes, në papamobil, hoxhën e qytetit, gjatë vizitës së tij në Republikën Qendrafrikane, me rastin e hapjes së Jubileut. Ishte gjest i jashtëzakonshëm, me fryt të madh komunikativ, që hapte shumë nga shtigjet e mbyllura. Të gërmosh e të rizbulosh  rrënjët e vërteta e të thella të feve - do të thotë të punosh që ndërmjet tyre të ketë klimë dialogu e vëllazërimi - do të thotë të punosh konkretisht për ndërtimin e paqes në botë e për sigurinë e gjithë njerëzimit. Forca e shteteve kundër terrorizmit është e nevojshme e mund t’i kundërvihet së keqes, por për ta zhdukur përfundimisht, këtë mund ta bëjë vetëm formimi i ndërgjegjeve”.

Papa Françesku ka thënë: “I pari, e ndoshta më i madhi kontribut që të krishterët mund t’i japin Evropës së sotme, është t’i kujtojnë se ajo nuk përbëhet nga një shumë numrash a institucionesh, por nga njerëzit”. Sa e rëndësishme është të rifitohet kuptimi i Evropës si bashkësi e të mendohet ç’duhet bërë që ta rizbulojnë sidomos, breznitë e reja?

“Në muajin janar, në Berlin, Presidenti gjerman Steinmeier më propozoi idenë e një thirrjeje për të marrë pjesë në votim, në zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian: u bashkova menjëherë me këtë nismë e, këto ditë, u duk ky dokument, i nënshkruar nga të gjithë Presidentët e Republikave të Bashkimit. Në të shkruhet se ideja e integrimit evropian është më e mira që kemi pasur ndonjë herë në Kontinentin tonë. Ky pohim kaq i vendosur të bind se Bashkimi Evropian nuk është komunitet  interesash ekonomike, të rregulluara nga kriteri “më jep - të jap”, por bashkësi vlerash. Kjo bindje është e vetmja që përkon me të vërtetë, me dëshirën e themeluesve të organizmave të para komunitare, gjë që perceptohet nganjëherë edhe pavetëdijshëm, posaçërisht nga dy brezni: nga të moshuarit, që e kujtojnë fare mirë cila ishte gjendja e Evropës, para këtij vendimi; e nga të rinjtë, që mund të shtegtojnë lirisht nga Trapani në Helsinki e nga Lisbona në Stokholm. E të gjithë duhet të reflektojnë  çfarë i shkaktoi dy luftërat shkatrrimtare botërore, që u luftuan kryesisht në Evropë e çfarë donte të thoshte të jetoje në Evropën e ndarë nga perdja e hekurt, nga muri i Berlinit, të pushtuar nga ankthi i gjithëpranishëm i një ndeshjeje të mundshme bërthamore shkatrrimtare. Kur isha i ri, pata shkuar në Berlinin ende të ndarë. Ime shoqe e edhe unë kishim dëshirë të vizitonim  muzeun e famshëm Pergamon, në Berlinin Lindor: kaluam kufirin. Muri na mbeti gjithnjë në kujtesë, e me të, edhe mbresa e pashlyeshme e ankthit, nësa  perceptonim copëtimin e rëndë të qytetit. Nganjëherë e harrojmë sa vlejnë kushtet, në të cilat jetojmë; e harrojmë edhe mundimin e flijimet, që u deshën për t’i siguruar. Nuk duhet harruar kurrë se këto kushte, edhe pse të papërkryera, duhen ruajtur e duhen fuqizuar, me vetëdijen se nuk janë të siguruara një herë e përgjithmonë. E kaluara mund të përsëritet. Besoj se kjo duhet kuptuar mirë nga breznitë e reja, dixhitale, të roaming evropian, të fluturimeve low cost e të Erasmus. Të rinj që, edhe pa e deklaruar, ndjehen evropianë, përveçse secili edhe qytetar i vendit të vet. E ndjejnë se kjo është shtëpia e tyre e përbashkët. Kjo nuk do të thotë se në Bashkimin Evropian gjithçka shkon si s’ka më mirë. Perceptimi i institucioneve të këtij Bashkimi, nga ana e shtresave të gjera të elektoratit evropian, nuk është gjithnjë pozitiv, edhe pse shpesh është egoizmi i Shteteve - e jo i institucioneve - ai që e frenon ëndrrën evropiane. Për ndonjë aspekt, ecuria   jetës së Bashkimit Evropian - edhe për shkak të qëndrimit nga ana e disa vendeve - të krijon përshtypjen e frenimit - sikur gjithçka të ishte kryer. Papa, me urtinë e tij, shkon në zemër të problemit! Evropa duhet të rifitojë shpirtin e fillesës. Duhet të kujdeset më shumë për fatin e njeriut. Duhet të garantojë gjithnjë më shumë bashkëpunim, barazi kushtesh, rritje ekonomike, por kjo realizohet realisht  vetëm me zhvillimin kulturor civil e moral”.  

18 maj 2019, 12:33