Bomba atomike Bomba atomike 

Ekspertja e OKB-së: rreziku i konfliktit bërthamor, më i larti që nga Lufta II Botërore

Drejtoresha e UNIDIR (Instituti për punën kërkimore mbi çarmatimin), Renata Dwan, deklaroi se të gjitha shtetet me armë bërthamore kanë filluar programe për modernizimin e tyre. Gjithashtu, po ndryshon panorama e kontrollit mbi këto armë, pjesërisht, edhe për shkak të konkurrencës strategjike ndërmjet Kinës dhe SHBA-ve.

R.SH. - Vatikan

Rreziku i një lufte bërthamore është në nivelin më të lartë që nga Lufta II Botërore. Kjo frazë nuk u tha dje nga dokushdo, por nga njëra prej eksperteve të sigurisë në OKB, e cila i bëri thirrje botës ta marrë seriozisht këtë problem e të reagojë urgjentisht. Drejtoresha e UNIDIR (Instituti për punën kërkimore mbi çarmatimin), Renata Dwan, deklaroi se të gjitha shtetet me armë bërthamore kanë filluar programe për modernizimin e tyre. Gjithashtu, po ndryshon panorama e kontrollit mbi këto armë, pjesërisht, edhe për shkak të konkurrencës strategjike ndërmjet Kinës dhe SHBA-ve.

Rregullat tradicionale të kontrollit nuk funksionojnë

Rregullat tradicionale mbi kontrollin e armatimeve nuk funksionojnë më, sepse kanë dalë në shesh lloje të reja lufte, që i kanë shtuar grupet e armatosura dhe forcat në sektorin privat e të teknologjive të reja, të cilat e kanë mjegulluar linjën e qartë ndërmjet krimit e vetëmbrojtjes, deklaroi Dwan për gazetarët në Gjenevë. Pas bisedimeve për çarmatimin bërthamor, gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, 122 vende votuan traktatin për ndalimin e këtyre armëve. Por, nënvizoi ekspertja e OKB-së, “i ftoj të gjithë të kuptojnë – e kjo ka humbur disi në mbulimin mediatik të problemit – se rreziku i një lufte bërthamore është veçanërisht i lartë tani. Po ashtu, për disa nga faktorët që përmenda – vijoi Renata Dwan – rreziku i përdorimit të armëve bërthamore është më i lartë tani se gjatë Luftës II Botërore”.

Traktati për ndalimin e armëve bërthamore kundërshtohet nga SHBA-të e Rusia

Traktati për ndalimin e armëve bërthamore është ratifikuar nga 23 vende, por kundërshtohet fuqimisht nga SHBA-të, Rusia e nga shtete të tjera, që i zotërojnë këto armë. Në vitin 2018, u nënshkrua edhe nga Kuba, plot 56 vjet pas krizës së raketave, që për 13 ditë e mbajti pezull botën, në mesin e Luftës së Ftohtë ndërmjet Moskës e Uashingtonit.

Papa Françesku: kam frikë nga lufta bërthamore

Për rrezikun e një luftë bërthamore ka folur edhe Papa Françesku, i cili, vjet, në udhëtimin apostolik drejt Kilit, u shpërndau gazetarëve fotografinë e njohur të fëmijës japonez, me vëllain e vdekur mbi supe, në radhë para furrës krematore, pas bombës atomike në Nagasaki. Pastaj, u tha se kishte vërtet frikë nga lufta bërthamore. “Jemi në limit – pohoi Ati i Shenjtë. – Mjafton një aksident, që të shpërthejë lufta. Po të vazhdojë kështu, gjendja ka rrezik të përkeqësohet me hapa të shpejta. Prandaj, duhet t’i shkatërrojmë këto armë, të punojmë për çarmatimin bërthamor”.

22 maj 2019, 12:14