Kërko

La pietà La pietà 

Dante Alighieri: Nanë virgjineshë, ti bija e tand bir!

Dante e skaliti, si në mermer, lutjen, me shpresë që, përmes Zojës, të fitonte hirin e vegimit të Trinisë.. 1 Nanë virgjineshë, ti bija e tand bir,/ mbi çdo krijesë e prunjtë e madhështore/ nga këshilli i amshuem cak i vendosun mirë,/ 4 ti je ajo, që natyrën njerzore/ e ngrite aq, sa vetë Krijuesi unjí/ me u ba krijesë e saj s'e pat për kore.

R.SH. - Vatikan

Virgjëra Maria ka qenë e vijon të jetë burim frymëzimi jo vetëm pёr besimtarët por edhe për poetët, muzikantët, piktorët e skulptorët. Për njerëzit, që merren me forma të ndryshme arti. Prej këndej, u krijuan një mori kryeveprash, kushtuar Vashës, nëpër të cilën vetë Zoti zbriti mbi tokë, për t’i hapur njerëzimit shtegun e Besës së Re, epokës së Shëlbimit,

Ndërmjet tyre, po kujtojmë disa fragmente të “Komedisë Hyjnore”, kryevepër e të gjitha kohëve, shkruar nga Dante Alighieri. Në këtë poemë të pashoqe, gjejmë edhe lutjen e doctor marianus, Bernardit të Kiaravales, muzikuar, ndërmjet tjerëve, edhe nga Gjuzepe Verdi në “Katër pjesët kishtare”. Dante e skaliti, si në mermer, lutjen, në tercinat e tij, me shpresë që, përmes ndërmjetësimit të Zojës, të fitonte hirin e vegimit të Trinisë Hyjnore.

Po e sjellim këtu fragmentin e Këngës XXXIII, versetet 1-21, nga Pjesa III e Komedisë Hyjnore, “Parajsa”:

Dante Alighieri :Nanë virgjineshë, ti bija e tand bir!
1 Nanë virgjineshë, ti bija e tand bir,
mbi çdo krijesë e prunjtë e madhështore
nga këshilli i amshuem cak i vendosun mirë,

4 ti je ajo, që natyrën njerzore
e ngrite aq, sa vetë Krijuesi unjí
me u ba krijesë e saj s'e pat për kore.

7 Në parzëm tand dash’nia u përtri,
nëpër ngrohtësi të paqes së amshueshme,
e kështu aty kjo lule pati mbí.

10 Pishtar mesdite je, në botë t' këtushme,
i dashunisë, e poshtë për njerzt e shkretë
ti shpresë je e gurrë e pashterrueshme.

13O Zojë, kaq je e madhe e vlerë ke vetë,
sa kush don hir edhe te ti s'vrapon
dëshira e tij don t'fluturojë pa fletë.

16 Me mirsinë tande ti jo veç ndihmon
atë që të lyp, por shpesh ndër të veshtira
pa t'u drejtue endè në ndihmë i shkon.

19N'ty dhimbsunija dhe në ty mëshira,
n'ty bujarija, asht bashkue te ti
e të gjitha krijesavet e mira.

Parajsa XXXIII, 1-21, përkthim i Pashko Gjeçit

18 maj 2019, 12:20