Kërko

Prindërit e Vincent Lambert Prindërit e Vincent Lambert 

Çështja Lambert: Gjykata e Apelit e Parisit jep urdhër të rifillojnë trajtimet mjekësore

Në spitalin e Reimsit, në Francë, 42-vjeçarit tetraplegjik Vincent Lambert iu dha qetësues dhe iu ndërpre hidratimi. Gjatë natës, gjykatësit pranuan apelimin e familjes dhe urdhëruan të rifillojë trajtimi derisa të pronocohet një komitet i OKB-së.

R.SH. - Vatikan

Dita e djeshme qe tejet dramatike për Vincent Lambert, 42-vjeçarin francez, në gjendje vegjetative prej më shumë se 10 vitesh. Pas një konflikti dhjetëvjeçar, që dukej i përfunduar, mjeku - siç pritej - njoftoi pezullimin e trajtimeve mjekësore. Pasuan polemika e dëshpërimi i kuptueshëm i prindërve, derisa, papritur, në mbrëmje, Gjykata e Apelit e Parisit urdhëroi rifillimin e trajtimeve. Komiteti i OKB-së për të drejtat e invalidëve, me kërkesën e prindërve, ka kërkuar kohë për të shqyrtuar rastin, prandaj, trajtimet mjekësore të Vincent Lambert do të vijojnë deri në pronocimin e tij, pas 6 muajsh.

Gjithçka varet nga vendimi i ekpertëve të OKB-së

         “Fitore e madhe – komentoi avokati i familjes, Jean Paillot. – Franca është e detyruar të zbatojë dispozitat e konventës ndërkombëtare!” Është Gjykata e fundit, tek e cila kanë shpresë prindërit për të mos e lënë të birin të vdesë. Gjykatat franceze dhe ajo Evropiane për të Drejtat e Njeriut janë shprehur tashmë kundër mbajtjes në jetë të 42-vjeçarit përmes aparateve. Dje, Papa Françesku, në një tweet, pa përmendur rastin e veçantë, u shpreh në mbrojtje të jetës nga fillimi deri në fundin e natyrshëm.

21 maj 2019, 12:33