Kërko

La beatificazione dei 38 martiri albanesi La beatificazione dei 38 martiri albanesi 

Atë Gjon Karma, jezuit shqiptar, në përvjetorin e lindjes

Atë Gjon Karma njihet për mbledhjen e thesareve të kulturës popullore: dokeve, zakoneve, gjuhës, këngëve popullore, toponomastikës, aforizmave. Gjatë shtegtimeve me Misionin Shëtitës ndër malësitë e Veriut, predikoi, rrëfeu, pajtoi gjaqet, shkroi relacione me vlera të mëdha për historinë e këtyre trevave, të cilat gjenden nën titullin "Lettere Edificanti".

R.SH. - Vatikan

Më 17 maj, kujtojmë përvjetorin e lindjes së jezuitit shqiptar Atë Gjon Karma, dëshmitar i fesë së krishterë gjatë diktaturës komuniste dhe mbledhës i shquar i folklorit.

Atë Gjon Karma S.J. lindi më 17 maj 1896 në fshatin Guri i Zi, pikërisht në atë fshat ku, mbi rrënojat e kishës së shkatërruar nga komunistët, jezuitët kanë rindërtuar një nga Kishat e tyre të reja. U përgatit në gjirin e etërve jezuitë, duke ndjekur ndër ta të gjitha ciklet shkollore, derisa u shugurua meshtar, më 29 maj 1920. Në Urdhrin e Jezuitëve u pranua në Goricia të Italisë, ku kishte shkuar të thellonte studimet teologjike. Më pas u kthye në atdhe, për të shërbyer në Tiranë (1932) e në Shkodër, si zëvendës-drejtor i Kolegjës Saveriane (deri më 1935).

Kontributin më të çmuar e dha gjatë shtegtimeve me Misionin Shëtitës të etërve jezuitë ndër malësitë e Veriut, ku predikoi, rrëfeu, shoi mëritë, pajtoi gjaqet, shkroi relacione me vlera të mëdha njohëse për historinë e këtyre trevave, të cilat studiuesi mund t'i gjejë nën titullin "Lettere Edificanti", vjetar i jezuitëve, që ende mbetet për t'u studiuar. Në këtë vjetar gjinden shkrime të panjohura të Atë Gjon Karmës, që hedhin dritë mbi veprimtarinë e tij si misionar i paqes e i dashurisë ndër malet e egra shqiptare.

Atë Gjon Karma njihet edhe për mbledhjen e thesareve të kulturës popullore: dokeve, zakoneve, gjuhës, këngëve popullore, toponomastikës, aforizmave, të cilat nisi t' i botonte në revistat e jezuitëve "Lajmëtari i Zemrës së Krishtit" dhe "LEKA" e më vonë i përmblodhi në veprën "Ndër malet tona", botuar më 1940.

Si të gjithë klerikët shqiptarë, vuajti për një kohë të gjatë ndër burgjet komuniste e ndër kampet e vdekjes. Iu desh të jetojë me duar të prangosura që nga viti 1946 e gati deri në vdekje. 

Sipas tё dhënave tё familjarëve tё jezuitit shqiptar, Atё At Gjon Karma ka vdekur nё shtëpinë vajzës sё vëllait tё tij nё Shkodër, mё date 15 nëntor 1975, ёshtё varrosur nё Rrёmaj po nё Shkodër.

Atë Gjon Karma, vuajti dhe u qëndroi besnik mësimeve të etërve, duke dëshmuar deri në mbarim të jetës fenë në Krishtit, dhe duke krye deri në fund misionin e tij kishtar e kombëtar.

17 maj 2019, 12:59