Prof Zef Chiaramonte e don David Gjugja Prof Zef Chiaramonte e don David Gjugja 

Ambasadorët e Paqes nga Blinishti tek Arbëreshët e Sicilisë

Misioni i Ambasadorëve të Paqes nga Zadrima tek arbëreshes e Sicilisë. Një takim vëllazëror, një rast i mirë për t’i kujtuar vlerat, vuajtjet por edhe perspektivat e një të ardhme premtues në trevat shqiptare.

Ambasadorët e vegjël të paqes, nga Blinishti i dioqezës së Sapës në Sicili, te Hora e Arbëreshëve, në Sicili, për të dëshmuar vlerën e ruajtjes së fesë, në kohën e regjimit komunist; fitimin e lirisë nga regjimi totalitar, ringjalljen e fesë në Zotin, njohjen martirëve dhe mësimin e tyre të çmueshëm për të gjithë sot: për ecur së bashku udhës së vërtetë, larg rreziqeve të shoqërisë bashkëkohore, të rrënjosur në vlera të patjetërsueshme. Të gjitha këto, të vegjlit zadrimorë, i shpalosen përmes një shfaqjeje teatrale pranë teatrit të Selisë ipeshkëvnore te Eparkisë së Horës së Arbëreshëve, që entuziazmojë publikun arbëresh, po më hollësisht nga Palermo të ndjekim shërbimin e prof. Zef Chiaramonte...

Nga Palermo të ndjekim shërbimin e prof. Zef Chiaramonte

Në kuadrin e turneut nëpër disa qytete të Italisë, pasditen e djeshme, në Horë të Arbëreshëve grupi i të rinjve shqiptarë, Ambasadorët e Paqes, dhanë shfaqjen ‘LA LAMPADA (Llamba). Shfaqja u dha pranë teatrit të Selisë ipeshkëvnore te Eparkisë, dioqezës, arbëreshe në Sicili. Grupi i të rinjve u formua në Blinisht rreth famullitarit Don Enco, me prejardhje italiane.

Shfaqja Llamba, ndahet në tri pjesë. Pjesa parë i referohet ruajtjes se fesë në kushte të pavolitshme dhe të rrezikshme përgjatë regjimit gjakatar të diktatorit Enver Hoxha; Pjesa dytë tematizon çastin e lirisë nga regjimi totalitar, ringjalljen e fesë dhe njohjen publike të Martirëve, dëshmitarë të fesë në Zotin dhe Kisha. Kurse pjesa tretë trajton rreziqet e kohës së sotme, e cila, duke u larguar nga ndjenjat njerëzore, nga ndërgjegjja dhe përgjegjësia personale, joshet e shkon idhujve të drogës, pushtetit, parasë.

Programi u pranua dhe vlerësua shumë nga publiku arbëresh, që shprehu gëzimin për këtë takim me vëllezërit shqiptar, me duartrokitje të nxehtë dhe të vazhdueshme. Nga të pranishmit disa priftërinj të Eparkisë arbëreshe, përfaqësuesi i Dhespotit (Ipeshkvit), motër Elena Lulashi, eprore e murgeshave baziljane, profesorët Mandala, Skiro dhe Kjaramonte. Së fundi, të rinjtë shqiptarë përshëndetën të pranishmit përmes valles duke  u përzier me publikun e pranishëm në teatër.

Zef Chiaramonte nga  Palermo, 2 maj 2019

                                    Po kush janë ambasadorët e paqes?

Në vitin 1997, pas trazirave në Shqipëri, një grup fëmijësh nga Zadrima së bashku me edukatorët e tyre menduan të mblidhnin të gjitha gëzhojat e armëve të shprazura  pasi i gjithë arsenali i ushtrisë shqiptare, një herë krenarë për pasurinë, forcën dhe disiplinën u vodh dhe u shpërnda në duart e gjithë shqiptarëve e jo vetëm!!! Lëvizja shpejt u përhap nga fshatrat e komunës së Blinishtit në të gjithë fshatrat e Zadrimës dhe pastaj në Shqipëri.

Fëmijët mblidhnin gëzhojat e armëve dhe në këmbim tyre edukatorët u jepnin fletore dhe lapsa për shkollë. Gjatë kësaj periudhe fëmijët mblodhën qindra mijëra gëzhoje të cilat u pastruan dhe pesëdhjetëmijë prej tyre u dërguan në Itali për ti shkrirë dhe për ti kthyer nga një instrument luftë dhe vdekje në një instrument paqeje dhe jete.

Këto gëzhoja u kthyen në një këmbanë e cila u quajt "Këmbana e paqes". Kjo këmbanë  pasi mori bekimin nga Papa Gjon Palit II në Vatikan, u kthye në Shqipëri dhe e shtegtoi atë gjerë e gjatë bashkë me një grup fëmijësh që tashme kishin marrë edhe emrin "Fëmijët Shqiptar Ambasadorë të Paqes" shpërndanë kudo  një mesazh të thjeshtë por shumë të rëndësishëm për Shqipërinë në atë periudhë, po dhe për mbarë botën, shpërndan mesazhin e paqes dhe të shpresës së në një të ardhme të shpejtë edhe për Shqipërinë do te vinin dite të mira. Pasi  këmbana shtegtoi të gjithë qytetet e Shqipërisë dhe la gjithkund mesazhe paqeje, me 1 janar 2001 ajo u vendos në Tiranë në sheshin para Katedrales dhe qendrës ndërkombëtare të kulturës. Po ambasadorët e paqes kanë vijuar  misionin e tyre deri më sot.

02 maj 2019, 17:19