Jerusalemi Jerusalemi 

Më 4 maj kalendari përkujton Shën Qiriakun e Jerusalemit, ipeshkëv

Një tekst apokrif, shënon se kur ipeshkvi i Jerusalemit dhe nëna e përshpirtshme e Konstantinit, Helena, kërkon në Qytetin e Shenjtë për të gjetur Kryqin e Krishtit, patën ndihmuar një hebré me emrin Judë. Ndër mrekullitë e para që bëri druri i shenjtë i Kryqit qe kthimi i këtij hebreu në fenë e Krishtit, qe nisi të quhej Qiriako.

R.SH: - Vatikan

Më 4 maj kalendari Kishtar përkujton Shën Qiriakun e Jerusalemit, ipeshkëv

Shën Qiriaku i Jerusalemit, ipeshkëv është me prejardhje nga Palestina. Një tekst apokrif tregon se, hebreu me emrin Judë, e mori emrin Qiriakë pasi e përqafoi fenë e krishterë. U bë ipeshkëv i Jerusalemit, pësoi martirizimin së bashku me nënën Ana, në kohën e Julianit Apostat.

Po kush qe në të vërtetë Shën Qiriaku? Sipas një teksti apokrif, shënohet se kur ipeshkvi i Jerusalemit dhe nëna e përshpirtshme besimtare e Konstantinit, shën Helena, kërkon në Qytetin e Shenjtë për të gjetur Kryqin e Krishtit, patën ndihmuar një hebré me emrin Judë. Ndër mrekullitë e para që bëri druri i shenjtë i Kryqit qe pikërisht kthimi i këtij hebreu në fenë e Krishtit. Posa ndërroi emrin e nisi të quhej Qiriako (emër me origjinë greke, që do të thotë “patric”, shumë i përhapur aso kohe në botën romake), e pasi përshkoi udhët e Palestinës, u zgjodh ipeshkëv i Jerusalemit e më pas edhe u martirizua, së bashku me nënën e tij, Anën, gjatë persekutimit të Julianit Apostat. Edhe rrëfimi i martirologut romak përkon me këtë histori.

Ka shumë mundësi që Juda, i pagëzuar me emrin Qiriak, të ketë ikur nga Palestina për t’u vendosur në Itali, duke u ndalur më në fund të Ankona. Këtu u zgjodh ipeshkëv, në një kohë kur krishterimi, i sapo dalë nga klandestinit me ediktin e Milanos, njihte një lulëzim të paparë.

Pas shërbimit të gjatë ipeshkëvnor, Qiriaku deshi të kryente shtegtimin e tij të fundit në Tokën e Shenjtë, për të parë përsëri vendet e Jezusit dhe të rinisë së vet. Por këtu e priste shpata e persekutuesit të fundmë romak, Julianit Apostat, e kështu plaku i shenjtë do të fitonte palmën e martirit për fenë e tij në Krishtin. 

Më vonë reliket e ipeshkvit Qiriaku arritën mrekullisht në Ankona të mbyllura në një arkë e cila, e shtyrë nga valët e detit, ishte ndalur në port. Për ta kujtuar këtë gojëdhënë më 4 maj në Katedralen ankoniane shpërndahen tufa xunkthash të bekuar. Ndërmjet dëshmive që tregojnë sa i lashtë është kulti i shenjtit, kujtojmë riprodhimin e figurës së tij ndër monedha e monumente të Ankonës. Edhe vetë Kisha Katedrale, që më parë i qe kushtuar shën Lorencit, në shekullin e XIV mori përfundimisht emrin e Shenjtit Pajtor Qiriakut.

Kisha mahnitëse, që sundon mbi qytetin nga lartësitë e kodrës Guasco, është gjëja e parë që shikon shtegtari kur arrin në Ankona me rrugë tokësore apo detare. Kujton kështu emrin e ipeshkvit të shenjtë, i cili gjithashtu arriti në qytetin e Adriatikut së pari i emigrant, ashti si shumë shqiptarë e emigrantë të kombësive tjera, e pastaj si bari shpirtëror e dëshmitar i Krishtit Shpëtimtar.

04 maj 2019, 17:45