Kërko

Venezuela Venezuela 

Venezuelë: Kisha do të ndihmojë Kryqin e Kuq në shpërndarjen e ndihmave

Kisha Katolike e Venezuelës "do të bëjë të mundur pritjen dhe shpërndarjen e ndihmave për popullsinë, nëpërmjet Caritasit. Në anën tjetër, Ipeshkvijtë e Venezuelës, në një mesazh drejtuar "popullit të Zotit dhe njerëzve vullnetit të mirë në Venezuelë" dënojnë të gjitha "krimet kundër njerëzimit" dhe mosrespektimin e të drejtave të njeriut që është " kryer në atdheun tonë nën syrin e vetëkënaqur të autoriteteve” të vendit.

R.SH. - Vatikan

Kisha Katolike e Venezuelës konfirmoi dje se në ditët e ardhshme do të mbështesë ardhjen dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare që do të vijnë përmes Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq (Ifrc) në ndihmë të popullsisë. Kështu njoftoi Union Radio Caracas.

Në një konferencë për shtyp organizuar nga Konferenca e Ipeshkvijve katolikë të Venezuelës (CEV), Imzot Mario Moronta, ipeshkëv i San Cristobal, saktësoi se Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq (Ifrc) ka kërkuar mbështetjen dhe bashkëpunimin e Kishës katolike në organizimin e shpërndarjes së ndihmave materiale, ilaçeve dhe gjërave ushqimore sapo të mbërrijnë në vend, duke "siguruar që iniciativa të mos preket nga manipulimet".

Kisha, siguroi ipeshkvi i Venezuelës, "do të bëjë të mundur jo vetëm pritjen, por edhe shpërndarjen e materialit dhe të ndihmave në fjalë" për popullsinë, nëpërmjet Caritasit dioqezan dhe Caritasit ndërkombëtar. Në anën tjetër, Ipeshkvijtë e Venezuelës, në një mesazh drejtuar "popullit të Zotit dhe njerëzve vullnetit të mirë në Venezuelë"  dënojnë të gjitha "krimet kundër njerëzimit" dhe mosrespektimin e të drejtave të njeriut që është " kryer në atdheun tonë nën syrin e vetëkënaqur të autoriteteve” të vendit.

Ipeshkvijtë bëjnë thirrje për ndryshime në vend. Në një deklaratë, ipeshkvijtë katolikë të Venezuelës, duke ndërhyrë edhe një herë mbi situatën në vend që ballafaqohen me  vështirësi të mëdha si ndërprerja e vazhdueshme dhe mungesa e ushqimit, ujit, ilaçeve dhe karburantit, bëjnë thirrje për ndryshimin në vend siç kërkon shumica dërrmuese e venezuelanëve.

03 prill 2019, 15:58