Kërko

Gesù tradito - ultima cena - flagellazione di Gesù  Gesù tradito - ultima cena - flagellazione di Gesù  

Udha e Kryqit - Udhë feje!

Kisha Katolike kremton çdo të premte, Udhën e Kryqit, përshkon Mundimet e Jezu Krishtit, jo për të vajtuar, por për të hyrë në sferën hyjnore të jetës, për të rilindur së bashku me Zotin në një jetë të re. Emisionin e sotëm ia kushtojmë pikërisht historisë së kësaj Udhe.

R.SH. - Vatikan

Me të Mërkurën e Përhime, filluan Krezhmët, kohë e favorshme për të rizbuluar vlerën e agjërimit, të lëmoshës e të lutjes dhe për t’u përgatitur kështu për Pashkët e Ngjalljes së Zotit tonë Jezu Krishtit. E për ta ndihmuar këtë përgatitje, Kisha Katolike kremton çdo të premte, Udhën e Kryqit, përshkon Mundimet e Jezu Krishtit, jo për të vajtuar, por për të hyrë në sferën hyjnore të jetës, për të rilindur së bashku me Zotin në një jetë të re. Emisionin e sotëm ia kushtojmë pikërisht historisë së kësaj Udhe.

Udha e Kryqit, ashtu siç e kuptojmë dhe e kremtojmë sot, e ka zanafillën në Mesjetën e vonë. Qenë shën Bernardi i Kiaravales (+ 1153), shën Françesku i Asizit (+ 1226) dhe shën Bonaventura nga Banjorexho (+ 1274), të parët, që patën pasion të madh për misteret e Mundimeve të Krishtit, kujtimi i të cilave ishin për ta dhe për besimtarët, që i rrethonin, praktikë e përshpirtshme.

Vërtet, Udha e Kryqit, në formën e saj aktuale, e përbërë nga 14 ndalesa, kudo në të njëjtin rend, duket për herë të parë në Spanjë, në gjysmën e parë të shekullit XVII, sidomos në ambientet françeskane. Nga Spanja u përhap në Sardenjë, pastaj, në krejt gadishullin italian. Por pa dyshim, Udha e Kryqit u përhap kudo ku kishte kisha të Urdhërit serafik, për vepër të një françeskani tjetër të madh, të shën Leonardit nga Porto Mauricio (+ 1751). Shenjti mori nga Papa Klementi XII autorizimin për ta përhapur këtë praktikë të përshpirtshme edhe në kisha të tjera. Ati i Shenjtë vendosi me anë të brevës “Exponi nobis” të vitit 1731, që të gjitha kishat të pajiseshin me ndalesat e Udhës së Kryqit.

Shën Leonardi ngriti personalisht më se 572 Udhë Kryqi, nga të cilat, më e famshja është ajo e Koloseumit, vendosur me kërkesën e Papës Benedikti XIV, më 27 dhjetor 1750, në kujtim të Vitit Shenjt. Deri në kohën e bashkimit të Italisë, në vitin 1861, në Koloseum kremtohej vazhdimisht një Udhë Kryqi solemne, që përshkonte Mundimet e Zotit tonë Jezu Krisht. Pas asaj date, nuk u kremtua më, por kryqi u kthye sërish në Amfiteatrin Flavio, ku janë persekutuar të krishterët e parë, në vitin 1926, pavarësisht se jo në qendër të tij, por anash.

U desh të pritej viti 1959 për të filluar sërish kremtimin e Udhës së Kryqit në Koloseum. Ishte Papa Gjoni XXIII ai, që kryesoi ritin, por vetëm për atë vit. Tradita u përtëri nga Papa Pali VI në vitin 1965 e, që atëherë, çdo Papë i mëvonshëm ka shkuar e vijon të shkojë të Premten e Madhe të Pashkëve në Koloseum, për të kujtuar, së bashku me besimtarët e shumtë, Mundimet që pësoi Krishti për të shëlbuar botën.

Udha e Kryqit - Udhë feje!

Në Jezusin e dënuar me vdekje,
do të njohim gjyqtarin universal;
në Të, ngarkuar me Kryq, Shëlbuesin e botës;
në Të të kryqëzuar, Zotërinë e historisë,
Birin e vetë Zotit.
Natë e së Premtes së Shenjtë,
natë e vaktë, e dridhshme e hënës së parë të plotë të pranverës.
Jemi mbledhur në emër të Zotit,
Ai është këtu, me ne, ashtu si na pati premtuar.
Me ne është edhe Shenjta Mari.
Ajo ishte në majë të Golgotës,
si Nënë e Birit që vdiste.
Nxënëse e Mësuesit të së vërtetës
Evë e re rrëzë drurit të jetës.
Grua e dhimbjes,
pranë "Njeriut të dhimbjeve", që e di mirë ç'është vuajtja;
Bijë e Adamit, Motra jonë, Mbretëresha e Paqes.
Nënë e mëshirës, ajo përkulet mbi bijtë e vet
që rishtas janë në rrezik, e janë plot ankth
për t'ua lehtësuar vuajtjet,
për të dëgjuar rënkimet që ngrihen nga mjerimi i tyre;
për t'i ngushëlluar e për të ngjallur shpresën e paqes. 
Nga kraharori i shporuar i Shëlbuesit gufon ende gjak;
gjak derdhet e shtohen viktimat
e urrejtjes, të luftës, të terrorizmit.
Bëj, o Zot, që ngjarjet e botës
të rrjedhin sipas vullnetit tënd, në drejtësi e paqe,
e Kisha jote t'i kushtohet me besim të plotë,shërbimit tënd e çlirimit të njerëzimit! 

19 prill 2019, 10:44