Kërko

Manifestime kundër terrorizmit Manifestime kundër terrorizmit 

Të krishterë, hebrenj e myslimanë për Sri Lankën. Pushteti i paqes të jetë më i fortë

Dhunës nuk i duhet përgjigjur kurrë me dhunë. Nga krerët e Kishave të krishtera, nga bota hebraike dhe islamike, dënim i fuqishëm i sulmeve terroriste në Sri Lankë, por edhe thirrje për bashkim e lutje kundër çdo të keqeje.

R.SH. - Vatikan

Dhimbje, indinjatë, dënim i fuqishëm kundër dhunës, por edhe solidaritet e afërsi me viktimat e atentateve terroriste të Pashkëve në Sri Lanka, ku humbën jetën rreth 360 vetë, përfshirë 45 fëmijë. Me këto ndjenja, Kishat e krishtera të botës dhe besimet e ndryshme fetare bashkohen me thirrjet dhe lutjet e Papës Françesku, ndërsa vendi aziatik u ndal në zi kombëtare. Patriarku ekumenik i Konstandinopojës, Bartolomeu I, ngre zërin “duke dënuar me forcë çdo sulm terrorist dhe çdo akt urrejtjeje, dhune dhe fundamentalizmi, pavarësisht nga vjen”. Patriarku i fton të gjithë të bashkëpunojnë “për bashkëjetesën paqësore dhe për dialogun e respektin e ndërsjellë”.

Edhe Patriarku i Moskës, Kirill, i dërgon një mesazh ngushëllimi presidentit të Republikës së Sri Lankës, Maithripala Sirisene. “Jam thellësisht i tronditur”, shkruan ai. “Shpresoj se autoritetet shtetërore dhe organet kompetente do të bëjnë gjithçka është e mundur, që, jo vetëm autorët, por edhe organizatorët e këtyre krimeve të përgjakshme, të mos i shpëtojnë përgjegjësisë për veprat mizore, që kanë kryer”. Mbështetje për popullin e Sri Lankës, edhe nga kryepeshkopi i Kanterbërit, Justin Welby, i cili bën thirrje për bashkim, ndërsa hedh poshtë të gjitha format e urrejtjes dhe të përçarjes, duke siguruar lutje për viktimat.

Urrejtja dhe vdekja nuk do ta kenë fjalën e fundit

Këshilli Botëror i Kishave u kërkon të krishterëve të globit të bashkohen kundër gjithçkaje, që minon harmoninë fetare, shoqërore dhe kulturore, për të dëshmuar se pushteti i paqes dhe i dashurisë është më i fuqishëm se çdo pushtet tjetër. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit, pastori protestant Olav Fykse Tveit, nënvizon: “Akte të tilla dhune minojnë shenjtërinë e jetës dhe janë sakrilegj. Edhe kur e ngremë zërin kundër këtij sakrilegji, ne pohojmë me forcë se dhunës nuk duhet t’i përgjigjemi me dhunë. Me frymën e dashurisë së Krishtit, jemi të bindur se dhuna, urrejtja dhe vdekja nuk do ta kenë fjalën e fundit”.

Duke dënuar atentatet, peshkopi anglikan i Kolombos (kryeqyteti i Sri Lankës), rev. Dhiloraj Canagasabey, anëtar i Komitetit Qendror të Këshillit Botëror të Kishave, shkruan: “Kisha e Ceilonit dënon pa rezerva këto akte mizore dhe burracake terrorizmi, u shpreh ngushëllimet e saj familjeve dhe miqve të atyre, që humbën jetën apo u plagosën. Lutemi për ta dhe për të afërmit, që Zoti ngushëllues të vazhdojë të jetë me ta, edhe në këtë përvojë tragjike”. Duke kërkuar hetime për këto akte terrori, që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, peshkopi i bën thirrje qeverisë së Sri Lankës, “të garantojë sigurinë e vendeve të kultit, të pengojë çdo individ apo grup që të manipulojë ligjin, ose të shkaktojë frikë e dhunë kundër çdo lloj bashkësie”.

Zoti i frymëzoftë terroristët të pendohen

Shumë konferenca ipeshkvnore po tregojnë solidaritet ndaj popullit të Sri Lankës. Ipeshkvijtë e SHBA-ve, me kryetarin e tyre, kardinalin Daniel Di Nardo, theksojnë se “kjo e keqe nuk mund të ngadhnjejë mbi shpresën në ringjalljen e Shëlbuesit tonë. Hyji i shpresës, që e ka ringjallur Birin e tij, i mbushtë të gjitha zemrat me dëshirën për paqe”. “Sa të trishtuara e të hidhura janë këto lajme, sidomos, sepse këto sulme u realizuan ndërsa të krishterët festonin Pashkët! Lutemi për shpirtin e viktimave dhe kërkojmë shërimin e shpejtë të të plagosurve. I përgjërohemi Zotit t’i frymëzojë terroristët që të pendohen për vrasjet dhe kërcënimet”: ky është, ndërkaq, mesazhi i Asamblesë së Ordinarëve Katolikë të Tokës Shenjte.

Tolerancë zero për terrorizmin

I menjëhershëm, edhe reagimi i botës islamike. Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmed El-Tayeb, dënon sulmet terroriste, duke theksuar se ato janë në kundërshtim me mësimet e të gjitha feve dhe të çdo besimi, si edhe kundër të gjitha ligjeve dhe normave shoqërore ndërkombëtare. El-Tayeb shpreh nevojën urgjente për të intensifikuar përpjekjet kundër çdo forme terrorizmi. Nga ana tjetër, bota hebraike, përmes kryetarit të Kongresit Botëror të Judenjve, Ronald S. Lauder, bën thirrje për “tolerancë zero ndaj njerëzve, që përdorin terrorin, për qëllimet e tyre”. “Ky sulm barbar kundër besimtarëve, që festonin një nga ditët më të shenjta të krishterimit, - shton ai – të shërbejë si kujtim i dhimbshëm për ta vënë luftën kundër terrorizmit në krye të axhendës ndërkombëtare dhe për ta vijuar atë pa pushim”.

Të mbrohet liria fetare

Mesazhe ngushëllimi vijnë edhe nga shumë shoqata dhe organizata të krishtera si “Ndihmë për Kishën që vuan” (ACS). Në një deklaratë të Fondacionit papnor shkruhet: “‘Ndihmë për Kishën që vuan” mban zi për këta vëllezër të vrarë gjatë meshës, vetëm pse janë të krishterë. Dyfish fajtorë, për persekutuesit: si të krishterë, paqësorë dhe paqtues, dhe, gjithnjë si të krishterë, të perceptuar afër vendeve perëndimore. Është koha për të treguar indinjatë reale e jo vetëm fasade. Para së gjithash, duke ndihmuar konkretisht pakicat fetare të shtypura dhe jo duke ua deleguar këtë vetëm organizatave bamirëse. E, duke përkrahur betejën kulturore dhe politike që liria fetare të bëhet sërish e drejtë e dorës së parë. Nëse kjo nuk do të ndodhë tani, nesër do të jetë tepër vonë”.

24 prill 2019, 14:46