Domenica delle Palme - Gesù entra a Gerusalemme Domenica delle Palme - Gesù entra a Gerusalemme 

Shenjtorët e javës - Java e Madhe e Pashkëve

Procesioni me degë ulliri, dafina dhe palma na kujton hyrjen triumfale të Jezusit në Jerusalem. Por që ky triumf të mos na gënjejë për misterin e Krishtit dhe misionin e Tij në mesin e njerëzve, menjëherë pas procesionit, lexohet tregimi i Mundimeve dhe Vdekjes së Shëlbuesit të botës, Jezu Krishtit.

R.SH. - Vatikan

E diel 14 prill, Kisha Katolike kremton të Dielën e Larit dhe të Mundimeve të Jezu Krishtit. Kjo e die bashkon në një ngadhënjimin mbretëror të Krishtit dhe kumtimin e mundimeve të Tij. Procesioni me degë ulliri, dafina dhe palma na kujton hyrjen triumfale të Jezusit në Jerusalem. Por që ky triumf të mos na gënjejë për misterin e Krishtit dhe misionin e Tij në mesin e njerëzve, menjëherë pas procesionit, lexohet tregimi i Mundimeve dhe Vdekjes së Shëlbuesit të botës, Jezu Krishtit. Po sot, kremtohet edhe Dita Botërore e Rinisë, në nivelin dioqezan.

Të hënë e Madhe të Pashkëve më 15 prill, dita e parë e Javës së Madhe e të Shenjtë, meditojmë mbi faktin se Jezu Krishti Zot është drita dhe shpëtimi ynë. Dashurisë pa kufi të Marisë, që lyen këmbët e Jezusit me vaj të parfumuar e të shtrenjtë, i kundërvihet meskiniteti i Judës, njeri që llogarit vetëm përfitimin e vet.

Të Martën e Madhe të Pashkëve më 16 prill të përpiqemi të shpallim shpëtimin, që vjen nga Zoti. Parashikimi që bën Jezusi, gjatë Darkës së Mbrame, na drejtohet edhe ne e të gjithë atyre që thonë me zjarr Besojmën e fesë, por e realizojnë atë vetëm me fjalë e jo me jetën e përditshme.

Të Mërkurën e Madhe të Pashkëve më 17 mars, i kërkojmë Zotit të na vijë në ndihmë. Jeta e çdo njeriu lëviz ndërmjet dy poleve ekstreme. Duhet të vendosim nëse duam t’ia dorëzojmë Jezusin vdekjes, ose t’ia dorëzojmë vetveten, ashtu si Krishti, Hyjit Atё dhe vëllezërve.

Me të Enjten e Madhe të Pashkëve, më 18 prill, fillon Triditëshja e Pashkëve. Viti Meshtarak është atmosfera ideale për të kremtuar meshën e Darkës së Mbrame. Të mbledhur përreth tryezës eukaristike, ashtu si Apostujt me Jezusin në Çenakull, të përpiqemi ta jetojmë këtë mister me fe, mirënjohje e vëllazërim të sinqertë. Përkujtojmë themelimin e Eukaristisë dhe të shërbimit meshtarak, dy dhurata të çmuara të Zotit.

Të Premten e Madhe të Pashkëve më 19 prill, gjunjëzohemi para Kryqit të Jezu Krishtit, i cili është shenja se Zoti e do njeriun aq sa të japë jetën për të. Përshkrimi që i bën Shën Gjoni Ungjilltar Mundimeve të Krishtit është dëshmia më e madhe e dinjitetit të jetës njerëzore. Jezusi na tregon se askush nuk e humb dinjitetin para padrejtësisë, gënjeshtrës, poshtërimit, dhunës e urrejtjes. Sa e çmueshme është jeta para syve të Zotit, nëse për ta mbrojtur lejoi ta kryqëzonin, si të ishte ndonjë keqbërës!

E Shtuna e Madhe e Pashkëve më 20 prill, karakterizohet nga Heshtja e Zotit, Nata e lutjes në pritje të Ngjalljes së Krishtit. U deshën fjalët e dy burrave të veshur me të bardha për t’i dhënë të kuptojnë Marisë Magdalenë, Gjovanës e Marisë së Jakut se Krishti ishte Ngjallur. Mahnitja e tre grave te varri i zbrazët i Jezusit duhet të na e hapë edhe ne zemrën për të dëshmuar në botë vërtetësinë e asaj ngjarjeje.

Të dielën e Pashkëve, më 21 prill, kremtojmë Pashkët e Ngjalljes së Jezu Krishtit. Aleluja! Kjo është Dita e Krishtit Zot! Në këtë ditë realizohen shpresat e njerëzimit. Ndërsa shkëmbejmë urimet, t’ì japim njëri-tjetrit, sëbashku me dorën, edhe këtë siguri: “Krishti u Ngjall, me të vërtetë u ngjall! Aleluja!”.

14 prill 2019, 09:13