Cerca

Vatican News
Liturgjia e Drites se Ngjaljes se Krishtit  Liturgjia e Drites se Ngjaljes se Krishtit  

Ritet e Natës së Pashkëve

Në këtë Natë të Shenjtë të Ngjalljes së Jezu Krishtit, kremtojmë ngjarjen e madhe e vendimtare që ia ndryshoj rrjedhën historisë së njerëzimit: kremtojmë fitoren e Krishti mbi vdekje e këndej më Krishtin e në Krishtin edhe ngadhënjimin e njerëzimit mbi të keqen e vdekjen.

R.SH. - Vatikan

Nata e Pashkëve është “Nëna e të gjitha netëve të lutjes”, sepse Natën e Pashkëve Kisha mbarë i kumton njerëzimit Ngjalljen e Krishtit. Pra, vërtetë e jashtzakonshme është kjo natë, në të cilën drita vezulluese e Krishtit të ngjallur fiton përfundimisht mbi fuqinë e errësirës, të së keqes, të vdekjes, duke ndezur në zemrat e besimtarëve shpesën e gëzimin. 

Triditëshi i Pashkëve arrin kulmin në Natën që kremtohet ndërmjet së Shtunës së Madhe e të Dielës së Ringjalljes. E treta ndër ditët e shenjta është, ndër të gjitha, më e pasura me fjalë e shenja, që shprehin fitoren mbi vdekjen e mbi forcat e errëta të së keqes. Është shpresa që u ofrohet të gjithë atyre që besojnë në Zotin e Kryqëzuar e të Ngjallur.
E Shtuna e Madhe është ditë lutjeje e agjërimi, jo si pendesë, por si pritje e dëshirë për bukën e vetme që ushqen me të vërtetë: bukën e të Ringjallurit.
Nata e Pashkëve dallohet nga e Shtuna e bën pjesë në ditën e Pashkëve; është festa e vërtetë, është një Natë “nëna e të gjitha netëve”.
Katër janë simbolet e liturgjisë së natës së Pashkëve, e cila kremton ringjalljen e Zotit: drita, fjala, uji dhe buka. Të gjitha shpjegohen me mënyrat me të cilat Jezusi e ka paraqitur veten: Jezusi është drita e botës, është fjala e fundit e Atit. Është uji që shuan etjen e përtërin, është buka e jetës.

Nata e Pashkëve na bën të hyjmë në plotësinë e misterit të tij: na bën të takojmë Jezusin si i Ngjalluri, i Gjalli, Ai që, duke na treguar fytyrën e vërtetë të Atit, mund të na mbushë me gëzim e shpresë. Nata e Pashkëve është rrënja e çdo shprese dhe e kuptimit të krishterë të jetës. Kush ndjek Jezusin për jetë, kush ka jetuar në ditët e mëparshme solidaritetin në dhimbje, tani mund të jetojë me gëzim festën

Pra, të Shtunën e Madhe të krishterët presin kremtimin e Natës së pagjumë të Pashkëve. Nuk mund të shpjegohet kurrë plotësisht rëndësia e kësaj nate të pagjumë, kësaj nate pritjeje, sepse në të përqëndrohet gjithçka. Posaçërisht në shekujt e parë të Kishës, kur nuk kishte festa të tjera, madje nuk kremtohej as Krishtlindja, ky ishte çasti në të cilin përkujtohej gjithë historia e shëlbimit, e krijimit, deri në ardhjen e Krishtit. Këtë e vërteton edhe fakti se nata e lutjes e Pashkëve nis pikërisht me leximin e Librit të Zanafillës, me rrëfimin mbi Krijimin, duke na kujtuar se jemi para rikrijimit të gjithçkaje.

Sigurisht zemra e Natës së lutjes të Pashkëve është Ngjallja e Krishtit, që kremtohet me Eukaristinë. Shën Agostini e quan “Nënë e të gjitha netëve të lutjes, burim i gëzimit të krishterë”. Është nata më e pasur me fjalë e simbole, që shprehin fitoren mbi vdekjen e mbi forcat e errëta të së keqes si dhe shpresën që ngjallet ndër zemrat e të gjithë atyre, të cilët besojnë në Zotin e Kryqëzuar e të Ngjallur. Mëkat që në traditën më të re, posaçërisht tek ne, përendimorët, rëndësia e Natës së Lutjes në të kaluarën është lënë shpesh herë pas dore. Sot është duke u rikthyer edhe ndër famulli kishtare, ku Nata pa gjumë e Pashkëve, në pritje të ngjalljes së Krishtit, ka nisur të jetohet me emocionin e traditës.

E duke rrëmuar në kujtesën e traditës së lashtë, zbulojmë se Pashkët janë kremtuar gjithnjë natën. Në fillim liturgjia ishte tepër e thjeshtë: një bashkësi besimtarësh që lutej e ushqehej me bukën e jetës rreth një sofre vëllazërore e cila paraprihej nga një agjërim i plotë prej një ose më shumë ditësh. Më vonë Natën e Pashkëve u shtua edhe kremtimi i pagëzimeve, riti i qiririt, i bekimit të zjarrit të ri dhe proçesioni i dritës.

Kështu, me kalimin e kohës, Nata e Pashkëve u bë gjithnjë më e pasur me rite. Në fillim kremtimi i natës ishte gati i detyrueshëm, nga që të krishterët nuk ishin të lirë të mblidheshin ditën; por më vonë kremtimi i natës nisi të merrte gjithnjë më tepër kuptim, duke u nisur nga pohimi i Ungjijve, që përshkruajnë zbulimin e Varritt të zbrazur “në agim të ditës së parë të javës” (Mt 28, 1); ‘Në të zbardhur të dritës’ (Mk. 16, 2; Lk 24, 1) ose thjeshtë ‘ në agim’ (Gjn. 20, 1). A nuk ishte Jezusi, ‘Drita e botës’, ardhur për të ndriçuar ata që ishin zhytur në errësirë? E pagëzimi, thua nuk e bën të krishterin të kalojë nga vdekja në jetë, duke e zhytur ritualisht e realisht në vdekjen e Krishtit, për ta bërë të rilindë në një jetë të re, së bashku me Të?

Sot mjafton të përdorim një çelës për të pasur, në sajë të elektricitetit, të gjitha burimet e dritës që dëshirojmë. Por dikur ndezja e qirinjve ishte një rit që duhej kryer me doemos kur zbriste nata, rit që merrte pamje edhe më solemne kur ndizeshin qindra drita, në sa përgatitej të fillonte festa. Kuptohet menjëherë se në natën e madhe, të ndriçuar nga drita e Jezusit, ky gjest merrte një rëndësi të veçantë e bëhej edhe më i ndritshëm nga lajmi gazmor i ngjalljes së Krishtit, kumtim nga i cili nis Exultet - Himni i Pashkëve të Ngjalljes.

Natyrisht, që nga çasti kur nisi të ndiqej zakoni i shuarjes të të gjitha dritave në mbrëmjen e të Enjtes së Madhe, u pa e nevojshme të ndizej një zjarr i ri për kremtimin e Natës së pagjumë të pritjes . Kështu lindi bekimi i zjarrit të ri dhe hyrja në kishën e kredhur në errësirë - e qiririt të Pashkëve: “Dritës së Krishtit!”.

Liturgjia e Dritës

Kështu quhet pjesa e parë e kremtimit të Natës së Pashkëve. Në këtë kremtim, nuk është në plan të parë fjala, por simbolizmi i sendeve dhe i gjesteve. Kremtimi nis me një gjallëri që, më shumë se mendjen, prek zemrën e, prej saj, gjithë qenien njerëzore. Nuk mjafton ta dëgjosh, por duhet edhe ta shikosh, për ta kuptuar thellësisht, përmes simboleve, këtë realitet që fjalët e shpjegimet nuk mund të shprehin plotësisht.

Riti i dritës nuk ka lidhje me ndriçimin e mjedisit ku kremtohet, nuk është i lidhur as me folklorin. Qëllimi i tij është të tërheqë vëmendjen e të gjithëve drejt ‘Dritës së Krishtit’ që ngjallet plot lavdi’ dhe shpërndan ‘errësirën e zemrës e të shpirtit’. Proçesioni me qiri të ndezur na kujton shtegtimin e popullit të Zotit, të cilit nuk i prin më, si Izraelit në shkretëtirë, një re e ndritshme, por Krishti lavdiplotë. Ai shndrit çdo njeri që vjen në këtë botë. Drita e tij përhapet nga një besimtar tek tjetri.

Në një Kishë ku ndrisin qindra flakëza qirinjsh, ndezur në flakën e Qiririt të Pashkëve, nis kremtimi më i gjatë e më lirik i liturgjisë së krishterë. Ai i këndon “natës në të cilën Krishti, duke këputur zinxhirët e vdekjes, ngrihet përsëri fitimtar nga varri”. Është nata e hirit, “natë që bashkon qiellin me tokën, njeriun me Krijuesin e tij”. Figura të guximshme e poetike ndjekin njëra-tjetrën, deri sa formojnë një këngë të mrekullueshme, që shpreh gëzimin shpërthyes e shpresën e pamort të mbarë bijve të Hyjit.

Liturgjia e Fjalës

Nata e Pashkëve vijon me Liturgjinë e Fjalës së Zotit, në të cilën një vend të jashtzakonshëm zënë leximet nga Besëlidhja e Vjetër. Kjo gjë nuk duhet të na çudisë. “Duhet të nisemi pikërisht nga Moisiu e nga të gjithë profetët” për të kuptuar se “u desh që Mesia t’i pësojë gjithë këto vuajtje e kështu të hynte në lumninë e vet” (Lk. 24, 26-27). Zgjedhja e leximeve përkon me traditën e krishterë të Lindjes e të Përendimit, duke ripëtrirë edhe traditën hebraike.

- Katër leximet e para na kujtojnë “Katër netët e traditës hebraike” (Targum Palestineze, shek. II para Krishtit).
Katër netët janë të shkruara në Librin e Kujtimeve.

- Nata e parë qe ajo, në të cilën Zoti iu dëftua botës për ta krijuar: bota ishte e shkretë e tytë; errësira e mbulonte sipërfaqen e tokës (Gen 1, 2). Fjala e Zotit ishte dritë e ndriçonte…

- Nata e dytë ishte ajo kur Zoti iu duk Abrahamit, njëqind vjeç e Sarës, gruas së tij, nëntëdhjetë vjeçe (Gen 17, 17), që të përmbushej ajo që thotë Shkrimi Shenjt: ‘Thua Abrahami, njëqind vjeç, mund të lindë akoma, e Sara, nëntëdhjetë vjeçe, mund të nxjerrë në dritë një djalë?... E Izaku ishte tridhjetë e shtatë vjeç kur qe vënë mbi elter për t’u flijuar…

- Nata e tretë qe kur Zoti u dëftua kundër egjiptianëve në mesin e natës (Dal 12, 24; Urt. 18): dora e tij mbyti djemtë e parë të egjiptianëve dhe e djathta e tij mbrojti të parëlindurit e Izraelit, që të përmbushej kështu fjala e Shkrimit Shenjt: Izraeli është djali im i parë” (Dal. 4, 22) E e quajti nata e tretë.

- Nata e katërt do të jetë kur të arrijë fundi i botës. Zgjedha e hekurt do të copëtohet e breznitë e mbrapshta do të zhduken. E Moisiu do të dalë nga shkretëtira… është Nata e Pashkëve për emrin e Zotit: “natë e caktuar dhe e ruajtur për shpëtimin e të gjitha breznive të Izraelit”.

Katër netë: ajo e krijimit të botës, e Flijimit nga ana e Abrahamit, e Daljes dhe e Ardhjes së Mesisë.
Përsa u përket tre leximeve të tjera të Natës së Pashkëve, ata tingëllojnë në përkim me atmosferën e pagëzimit. Fragmenti i shkëputur nga Letra drejtuar Romakëve (6,3b-11) na kujton pagëzimin, kalimin nga vdekja e mëkatit në jetën për Zotin. E, së fundi, Ungjilli na çon pranë varrit të Zotit, që gratë e gjejnë të zbrazët në agim të ditës së parë të javës. Aty marrin lajmin e parë të ngjalljes. I ndjekim tekstet me bindjen se ‘ kjo fjalë e Shkrimit Shenjt që kemi dëgjuar, përmbushet për ne!’.

Liturgjia e Pagëzimit

Mund të kremtohet në dy mënyra:
- në mënyrën e parë, uji bekohet për pagëzimet që bëhen menjëherë ose gjatë kohës së Pashkëve;
- në tjetrën, riti nuk parashikon pagëzime e megjithatë ujët bekohet e me të stërpiket bashkësia, e cila përsëritë premtimet e pagëzimit.
Në të dy rastet Nata Pashkëve bëhet për gjithë të krishterët që marrin pjesë, si përvjetor i pagëzimit të tyre, pavarësisht se kur e kanë marrë sakramentin.
Bekimi i ujit të pagëzimit na kujton çastet e mëdha të historisë së shëlbimit, në të cilat ujët luajti një rol të dorës së parë:
- fillesën, kur Shpirti Shenjt ndikonte në të forcën që shenjtëron;
- përmbytjen universale, në të cilën ujët simbolizonte vdekjen për mëkatin dhe lindjen e një jete të re;
- kalimin e Detit të Kuq;
- Pagëzimin e Jezusit
- Krishtin në Kryq: nga kraharori i tij i shporuar gurrojnë gjak e ujë;
- së fundi, misionin e nxënësve që dërgohen për t’u predikuar Ungjillin të gjithë popujve dhe për të pagëzuar.
Pagëzimi është një rit i thjeshtë, por që të bën të marrësh pjesë në të gjitha mrekullitë e shpalosura nga Zoti në historinë e shëlbimit. Nga viti në vit besimtarët kanë rastin të përtrijnë, së bashku me vëllezërit e motrat e tyre në fe, besojmën e gurrës së Pagëzimit.

Liturgjia Eukaristike:

“Krishti u ngjall!” Brohoritja që jehon në terrin e natës së Pashkëve, arrin kulmin në kremtimin eukaristik. Sigurisht është Eukaristia e çdo të diele, e çdo dite, por këtë natë, kur kemi rijetuar historinë e shëlbimit, e ndjejmë më fort se kurrë se ajo është kënga e gjithësisë, lavdërimi pa fund i qiellit e i tokës.

Pra, në këtë Natë të Shenjtë të Ngjalljes së Jezu Krishtit, kremtojmë ngjarjen e madhe e vendimtare që ia ndryshoj rrjedhën historisë së njerëzimit: kremtojmë fitoren e Krishti mbi vdekje e këndej më Krishtin e në Krishtin edhe ngadhënjimin e njerëzimit mbi të keqen e vdekjen.

Në këtë Natë të Shenjtë të Pashkëve “kumtojmë fenë tonë në Krishtin e kryqëzuar, të vdekur e të Ngjallur. Kumtojmë shpresën tonë në njerëzimin e shëlbuar e të bërë “bir” të Zotit në fuqinë dhe në dritën e Krishtit të Gjallë, të cilën sonte liturgjia e shenjtë e kumton dhe shpall. Pra kremtojmë dashurinë që na shpëtoj e që bëri të lindë në ne dashuria. T’i përshkojmë orët e mbramë të Jezusit, jo si një përkujtim thjesht të një riti fetar por të një afërsie të besimit e të liturgjisë pashkore në dashurinë Ngadhënjimtare të Zotit të Jetës. Krishti u Ngjall. Më të vërtetë u Ngjall, Aleluja! 

20 prill 2019, 15:57