Kërko

 Një i pastrehë, në udhë të madhe, në mes të Evropës Një i pastrehë, në udhë të madhe, në mes të Evropës 

Paqe dhe zhvillim, për të ndihmuar më se 100 milionë të uritur

Fao, Pam dhe Bashkimi Evropian paraqitën, në Bruksel, Raportin global të krizës ushqimore: 113 milionë njerëz, në 53 vende, vuajtën, gjatë 2018-tës, nga uria në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, shkaktuar nga konfliktet, mungesa e stabilitetit shoqëror dhe kushtet e vështira klimaterike.

R. SH. - Vatikan

Numrat, që flasin për urinë në botë, vijojnë të zënë faqet e para të shtypit, por përgjigjet dhe mjetet e përdoruara nga bashkësia ndërkombëtare vijojnë të ecin me hap të ngadalshëm. Për këtë u mblodhën këto ditë, në Bruksel, më se 400 delegatë qeverish, organizatash rajonale e ndërkombëtare, entesh jo qeveritare, shoqatash bujqësore, së bashku me përfaqësuesit e sektorit privat dhe eskspertët e botës akademike, për të marrë pjesë në konferencën “Ushqimi dhe bujqësia në kohë krize”. Në Takimin,  mikpritur nga Komisioni Evropian e promovuar nga rrjeti global kundër krizës ushqimore, morën pjesë, ndërmjet tjerësh, Bashkimi Evropian, Fao e Pam, dy agjencitë e OKB-së kushtuar luftës kundër urisë në botë.

Konfliktet, shkak kryesor i mungesës së ushqimit

 

Me këtë rast u paraqit edhe Raporti global mbi krizat ushqimore, që dokumentoi sa e rëndë është pasiguria ushqimore, nga e cila vuajnë më se 821 milionë njerëz në mbarë Planetin (Raport i Fao-s mbi gjendjen e sigurimit ushqimor dhe ushqimit, shtator 2018). Numrat e shënuar në Raportin e ri, që i përket 2018-tës, janë tronditëse: 143 milionë vetë, në 42 vende, janë një hap larg urisë së mirëfilltë. E uria sot vë në rrezik jetën e 113 milionë vetëve, të goditur nga kriza ushqimore në 53 vende, ndonëse  me një rënie të lehtë në krahsasim me 124 milionët e vitit të kaluar. Edhe pse kjo gjendje ka mbetur e pandryshueshme ose është thelluar edhe më shumë, në më se 17 shtete. Dy të tretat e njerëzve, që vuajnë nga uria e plotë, jetojnë vetëm në tetë vende të Azisë dhe të Afrikës. Janë: Afganistani, Republika Demokratike e Kongos, Etiopia, Nigeria, Sudani i Jugut, Sudani, Siria e Jemeni. Pothuajse 30 milionë vetë vuajnë nga uria për shkaqe, që lidhen me klimën ose me fatkeqësi të ndryshme natyrore. Duhet vërejtur se statistikat e Raportit nuk janë të plota, sepse mungojnë të dhënat e 13 vendeve, ndërmjet të cilave, Koreja  e Veriut dhe Venezuela,  dy vendet më të goditura nga kriza të rënda ushqimore, që nuk kanë dhënë informacionet e kërkuara.

Më shumë bashkëpunim ndërmjet zhvillimit e veprimtarisë për paqen

“Duhet vepruar në shkallë të gjerë, duke i realizuar ndërhyrjet humanitare dhe politike për zhvillimin, në përkim me aksionet për paqen” - theksoi Graziano da Silva, drejtor i përgjithshëm i Fao-s. “Për të fituar me të vërtetë mbi urinë - vijoi drejtori ekzekutiv i Pam-it (Programi ushqimor botëror) David Beasley - duhen zhdukur, me gjithë rrënjë, shkaqet: konfliktet, mungesa e stabilitetit, pasojat e fatkeqësive klimaterike. “Për të arritur objektivin Uria Zero - shpjegoi - duhen siguruar shkolla për fëmijët, duhet mbështetur emancipimi shoqëror i grave e duhen fuqizuar infrastrukturat bujqësore. E gjëja, për të cilën kemi më shumë nevojë, është që liderët e botës të bëjnë edhe diçka tjetër: “të marrin mbi vete përgjegjësitë, që u takojnë e të japin kontributin e tyre për t’i dhënë fund konflikteve, tani”.

Metoda inovative për  të zgjidhur krizat ushqimore

Nga ana e Bashkimit Evropian, komisari për bashkëpunimin ndërkombëtar  për Kooperimin dhe zhvillimin, Neven Mimica, që nënvizoi se pasiguria ushqimore mbetet sfidë globale, njoftoi se ndërmjet 2014-tës dhe 2020-tës BE-ja “do të vijojë të furnizojë më se 9 miliardë euro për veprimtari, që lidhen me sigurinë ushqimore e bujqësinë e qëndrueshme në më se 60 vende”. Mimica shprehu bindjen se “ndjehet nevoja të fuqizohet kooperimi ndërmjet veprimtarëve humanitarë, atyre të zhvillimit dhe të luftës për paqen, në mënyrë që të mund të paralajmërohen edhe të parandalohen krizat ushqimore”. Një rrjet global më i fortë - theksoi -  mund të kontribuojë për ta realizuar në vend ndryshimin, për ata, të cilët kanë  me të vërtetë nevojë.

Kështu edhe Christos Stylikanides, komisar i BE-së për ndihmat humanitare dhe drejtimin e krizave, kërkoi “përdorimin e metodave të reja”, për t’i përballuar e për t’i shmangur emergjencat ushqimore, që po bëhen gjithnjë më të mprehta e më të ndërlikuara.

Parandalim dhe investime për paqen e qëndrueshme

Raporti i rikujton bashkësisë ndërkombëtare nevojën e fuqizimit të bashkëpunimit, që shkrin në një veprimtari të vetme, parandalimin, përgatitjen dhe përgjigjen që u duhet dhënë nevojave urgjente humanitare si dhe zhdukjen e shkaqeve të tyre. Përveç kërkimit të investimeve më të mëdha për zbutjen e konflikteve dhe për paqen e qëndrueshme”.

04 prill 2019, 11:09