Sri Lanka varros viktimat e atentateve Sri Lanka varros viktimat e atentateve 

Isis merr përsipër atentatet në Sri Lankë. Alarmi, i injoruar

Isis merr përsipër atentatet e Pashkëve në Sri Lankë. 40, të arrestuarit. Sipas policisë, alarmi për sulme është dhënë, por është injoruar. Bilanci i deritanishëm arrin në rreth 320 të vdekur dhe më se 500 të plagosur. Dënimi i OKB-së dhe solidariteti i Federatës së Ipeshkvijve të Azisë.

R.SH. - Vatikan

Të krishterët e Sri Lankës vajtojnë rreth 320 të vdekurit e atentateve të Pashkëve, për të cilat sot u mburr Shteti Islamik, Isis. Sipas qeverisë, dora e terroristëve është një grup islamik lokal, “National Thowheeth Jama’ath”. Shefi i policisë së Sri Lankës, Pujuth Jayasundara, deklaroi se pati dhënë alarmin rreth 10 ditë më parë, duke i paralajmëruar autoritetet se po planifikoheshin atentate kundër “kishave të rëndësishme”. Njoftimi kishte ardhur nga një agjenci e huaj sigurimi, që vinte gishtin pikërisht mbi terroristët e “National Thowheeth Jama’ath”, grup radikal mysliman, që vitin e kaluar u konsiderua autor i shkatërrimit të statujave budiste, po në Sri Lankë. Kryeministri Ranil Wickremesing pranoi se “informacioni ekzistonte”, por nuk janë marrë masa parandaluese të mjaftueshme. Qeveria ka nisur hetimin.

Terrorizmi kërcënon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare

Duke pasur parasysh ftesën e djeshme të Papës në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, kur uroi që “të gjithë t’i dënojnë këto akte terroriste, akte çnjerëzore, që s’mund të justifikohen kurrë”, anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së “dënuan fuqishëm sulmet mizore e burracake terroriste në Sri Lankë”.  15 vendet anëtare pohuan se “terrorizmi, në të gjitha format dhe manifestimet e tij, përbën një nga kërcënimet më serioze për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”. Ata theksuan domosdoshmërinë e nxjerrjes para gjyqit të gjithë përgjëgjësve për terrorizmin, të gjithë organizatorëve dhe financuesve të tyre, duke u bërë thirrje shteteve të bashkëpunojnë aktivisht për këtë, në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga ligji ndërkombëtar. Së fundi, Këshilli i Sigurimit i OKB-së pohon se  “çdo akt terrorist është krim i pajustifikueshëm, pavarësisht nga arsyet, që e nxisin”. “Shtetet – shkruhet në deklaratë - duhet t’i kundërshtojnë me të gjitha mjetet kërcënimet kundër paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara”.

Solidaritet e ngushëllime nga Konferencat Ipeshkvnore të Azisë

Nga ana e tij, kryetari i Federatës së Konferencave Ipeshkvnore të Azisë (Fabc), imzot Charles Maung Bo, kryeipeshkëv i Yangon-it, Mianmar, i dërgoi një letër solidariteti dhe ngushëllimi kardinalit Ranjith (kryetar i ipeshkvijve të Sri Lankës), pas sulmeve që tronditën kombin. “Më lejoni të shpreh ankthin tim të sinqertë për këtë tragjedi, që ka sprovuar rëndë miliona jetë të pafajshme njerëzore, pikërisht në ditën kur bota feston fitoren e jetës dhe të së mirës mbi vdekjen dhe të keqen”. Kardinali i Mianmarit ofron mbështetjen e tij vëllazërore, lutjet dhe ndihmën e të gjitha Konferencave Ipeshkvnore të Azisë, në një ditë zie kombëtare për vendin, ku po kremtohen funeralet e para.

Fetë në Sri Lanka

Budizmi Theravada është feja e shumicës srilankeze, që përfaqëson rreth 70.2% të popullsisë. Hinduistët dhe myslimanët përbëjnë respektivisht 12.6% dhe 9.7% të popullsisë. Në Sri Lanka ka rreth 1.5 milion të krishterë, sipas regjistrimit të vitit 2012: shumica e tyre janë katolikë romakë. Pakica e krishterë e Sri Lankës - rreth 7% e popullsisë prej 21 milionë banorësh - ka qenë viktimë e disa episodeve sporadike dhune edhe në të kaluarën, por kurrë me pasoja kaq brutale. Dhuna etnike dhe fetare e ka dëmtuar Sri Lankën për dekada, gjatë konfliktit 37-vjeçar me rebelët tamilë, që ka rifilluar vitet e fundit, me ndeshjet ndërmjet shumicës budiste dhe myslimanëve. Pas përfundimit të luftës civile, pati ndodhur që ndonjë grup budist të sulmonte xhamitë dhe pronën e myslimanëve, gjë që çoi në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në mars të vitit 2018. Por deri tani, bashkësia e krishterë nuk ishte prekur aq shumë nga dhuna.

23 prill 2019, 14:14