Papa Gjon Pali II gjatё Meshёs nё Katedralen e Shkodres, 25 prill 1993, shuguroi katёr ipeshkvijtё e ri. Papa Gjon Pali II gjatё Meshёs nё Katedralen e Shkodres, 25 prill 1993, shuguroi katёr ipeshkvijtё e ri. 

Imzot Robert Ashta, ipeshkëv i Pultit, në përvjetorin e vdekjes

Në stinën e vonë të jetës, kur i kishte mbushur 75 vjet, françeskani atë Robert Ashta u thirr për detyrën e rëndësishme të ipeshkvit. Papa Shën Gjon Pali II që, gjatë vizitës së tij në Shqipëri më 25 prill 1993, e shuguroi në Katedralen e Shkodër ipeshkëv të dioqezës së Pultit.

R.SH. - Vatikan

Ishte e diela e Pashkëve të Ngjalljes, 12 prill 1998, rreth orës 3 të mbasditës, kur ndërroi jetë ipeshkvi i dioqezës së Pultit, Imzot Robert Ashta, ndërsa kishte kremtuar një Meshë solemne në malet e Dukagjinit e përgatitej t'i çonte Krishtin eukaristik një malësori që po jepte shpirt në Dushman. Udhëtonte kështu, mbi mushkë, drejt cakut të fundit të jetës së vet.

Imzot Robert Ashta lindi në Shkodër më 22 gusht 1918. Shkollën fillore e të mesme i kreu pranë Kuvendit të Shën Françeskut në Gjuhadol të Shkodrës. Veshi zhgunin e fretërve të vegjël më 13 korrik 1934 në Troshan, ku kreu edhe vitin e noviciatit. Pas kushteve të përkohshme, më 24 gusht 1935, vijoi të studionte në Shkodër. Më 23 gusht 1939 bëri kushtet e përjetshme në famullinë françeskane të Thethit. Nga viti 1939 deri më 1941 vijoi studimet filozofike e teologjike, të cilat i filloi në Sienë, i vijoi dhe i kreu në Motta di Levenza (Treviso).

Më 1941 mori urdhrin e diakonatit në Venedik, për t'u shuguruar më pas meshtar në Shenjtëroren e Zojës së Mrekullive të Motto di Leven-cës. (Treviso). U kthye menjëherë në Shqipëri dhe nisi shërbimin meshtarak në famullitë më të vështira malore të Dukagjinit e të Mirditës: më 1944-1946 shërbeu në Curraj të Epër; më 1946-1947 në Baz-Bushkash të Lurës. Gjatë këtyre viteve qe edhe profesor i matematikës në Liceun françeskan ‘Illyricum’.

U detyrua ta ndërpresë shërbimin meshtarak kur regjimi komunist e thirri nga altari për të kryer shërbimin ushtarak. Iu desh të rrokte, me detyrim, pushkën, që deri atëherë nuk e kishte prekur kurrë me dorë. Si kreu shërbimin, u kthye rishtas në Baz- Bushkash të Lurës, ku shërbeu nga 1950 deri më 1955. Nga ky vit e deri më 1967, vit tragjik kur u mbyllën të gjitha institucionet fetare, qe famullitar në Vukël e Selcë. Nga 1974 deri më 1985 punoi si punëtor krahu për ndërtimin e hidrocentralit të Vaut të Dejës e të Komanit.

Më 1990, kur prifti dom Simon Jubani kremtoi Meshën e parë të mbas salvimit komunist, Atë Robert Ashta ndodhej pranë altarit të kapelës së varrezave të Shkodrës, gati për ta vijuar kremtimin, në se do të ndodhte ndonjë e papritur, së cilës i druheshin të gjithë. Më 18 nëntor 1990 kremtoi Meshën e parë publike në Bajzë. Që nga 10 janari 1992 shërbeu si famullitar në Laç, duke e zgjeruar shërbimin edhe në Rubik, Baz-Bushkash e Lurë.

Pikërisht në këtë stinë të vonë të jetës, kur i kishte mbushur 75 vjet, françeskani atë Robert Ashta u thirr për detyrën e rëndësishme të ipeshkvit. Ishte vetë Papa Shën Gjon Pali II që, gjatë vizitës së tij në Shqipëri më 25 prill 1993, e shuguroi në Katedralen e Shkodër ipeshkëv të dioqezës së Pultit.

E imzot Robert Ashta, ndonëse tashmë prelat, vijoi t'i ngjitej maleve të thepisura, herë në këmbë e herë mbi mushkë, me kryqin e madh të Ipeshkvit fshehur paksa ndër palat e zhgunit. E pikërisht atje, në shtigjet e rrëpirëta, Krishti e thirri nga Pashkët tokësore, në Pashkët pa mbarim të Mbretërisë qiellore. Ishte 12 prill 1998, e Diela e Ngjalljes! I pyetur, në një intervistë dhënë redaksisё sonё tё Radio Vatikanit më 1997, për qëndrimin e Kishës në situatën e shqetësuar politike të vendit, dha një përgjigje parimore, me vlerë për të gjitha kohërat.

12 prill 2019, 10:04