Gesù Divina Misericordia Gesù Divina Misericordia  

Festa e Mëshirёs Hyjnore

Gjithçka thotë e bën Kisha tregon mëshirën e dashurinë e Zotit për njeriun, duke kujtuar se nga Mëshira Hyjnore, që pajton zemrat, rrjedh më pas paqja e vërtetë në botë, paqja ndërmjet popujve, kulturave dhe feve të ndryshme.

R.SH. - Vatikan

Kisha katolike kremton, tё Dielёn e Dytë tё Pashkëve, Festën e Mëshirës Hyjnore. Kujtojmё, se kjo festë u caktua pikërisht të dielën e dytë pas Pashkëve, nga Papa Gjon Pali II, gjatë Jubileut të vitit 2000. Ishte dita e shenjtërimit të Apostulles së Mëshirës, shën Faustina Kovalska, prandaj edhe festa mori emrin e Mëshirës Hyjnore.

Mëshira e Zotit bën atë që është e pamundur për forcat e njeriut. Kur Kishës i duhet të ripohojë një të vërtetë të keqinterpretuar, apo të tradhëtuar, niset gjithnjë e shtyrë nga dashuria e mëshirshme, që njerëzit të kenë jetë e ta kenë me plotësi.

Mëshira është vetë emri i Zotit, fytyra me të cilën ai iu zbulua njerëzimit në Besëlidhjen e Vjetër e më pas, plotësisht, në Jezu Krishtin, mishërim i Dashurisë krijuese dhe shëlbuese. Kjo dashuri e mëshirshme ndriçon edhe fytyrën e Kishës, dhe shfaqet si përmes Sakramenteve, në veçanti në Sakrmentin e Pajtimit, ashtu edhe në veprat e bamirësisë, në ato të bashkësisë e veprat individuale.

Gjithçka thotë e bën Kisha tregon mëshirën e dashurinë e Zotit për njeriun, duke kujtuar se nga Mëshira Hyjnore, që pajton zemrat, rrjedh më pas paqja e vërtetë në botë, paqja ndërmjet popujve, kulturave dhe feve të ndryshme. Nё kёtё festё, Kisha kujton posaçёrisht motër Faustinën dhe Papën Gjon Pali II, të cilët ishin që të dy ndjekës të bindur të Jezusit të Mëshirshëm. Në mbrëmjen e së shtunës së paharruar të 2 prillit 2005, kur  Gjon Pali II i mbylli sytë për këtë botë, ishte pikërisht vigjilja e së dielës së dytë të Pashkëve, e shumë e vunë re këtë përkim të veçantë, që bashkonte në vetvete përmasën mariane – ishte e shtuna e parë e muajit – dhe atë të Mëshirës Hyjnore.

Duke kujtuar papninë e Gjon Palit II, mund ta quajmё të gjatë dhe shumëformëshe e tё nënvizojmё se si krejt misioni i tij qe në shërbim të së vërtetës mbi Zotin e njeriun, si edhe në shërbim të paqes në botë, e kjo përmblidhet në fjalët që Gjon Pali II shqiptoi në Krakovi-Lagievniki në vitin 2002, në përurimin e Shenjtores së madhe të Mëshirës Hyjnore: ‘Përveç mëshirës së Zotit nuk ekziston asnjë burim tjetër shprese për njerëzit’. 

Mesazhi i shёn Gjon Palit II ashtu si ai i shën Faustinës na çon tek fytyra e Krishtit, zbulim suprem i Mëshirës së Zotit. Pra, festa e Mëshirës Hyjnore lindi pikërisht nga përshpirtëria e Shën Faustina Kovalskës, së cilës vetë Jezu Krishti, gjatë vegimeve, i kërkoi që e diela e parë pas Pashkëve të kremtohej si e Mëshirës Hyjnore, sepse Mëshira Hyjnore buron nga Mundimet, Vdekja e Ngjallja e Krishtit.

Jezusi u Ngjall, na kumton Krisha, prandaj ka shpresë edhe për ty, nuk je më nën zgjedhën e mëkatit, të keqin e tё së keqes! Fitoi dashuria, fitoi mëshira! Mëshira e Zotit fiton gjithmonë, është më e fortë se e keqja e edhe se vetë vdekja; mund ta shndërrojë jetën tonë, mund t’i kthejë në lulishte, shkretëtirat e zemrës sonë.

Kush ishte Shën Faustina Kovalska? Motër Faustina Kovalska jetoi 33 vjet. Vdiq më 5 tetor 1938. Shën Faustina është dhuratë e Zotit për kohën tonë, është dhuratë e trojeve të Polonisë për mbarë Kishën. Jezusi i besoi mistikes polake detyrën t’ia përcillte mbarë njerëzimit mesazhin e Mëshirës Hyjnore.

Misioni i motër Faustinës na kujton të vërtetën mbi Mëshirën Hyjnore, sepse e dimë që ajo është një e vërtetë e zbuluar në Shkrimin Shenjt - Bibёl. Motër Faustina na e kujton këtë të vërtetë në forma të reja, që i janë transmetuar nga vetë Jezusi gjatë dukjeve të tij. Kujtojmё sidomos nderimin e figurës së mëshirës Hyjnore, që vjen nga vegimi i 22 shkurtit 1931. Pastaj orën e Mëshirës, që ia kërkoi vetë Jezusi, për lutjen që Krishti ia mësoi motër Faustinës, që t’ ia drejtonte Mëshirës së tij Hyjnore. Pastaj, festën e Mëshirës Hyjnore, themeluar nga Papa Gjon Pali II gjatë kanonizimit të Motrës Faustina, që Kisha e kremton si "E Diela e Mëshirës Hyjnore". E edhe përhapjen këtij kulti, që sot vijon përmes "apostujve të Mëshirës Hyjnore".

Shën Faustina Kowalska: Faqe nga Ditari

Shën Faustina është dhuratë e Zotit për kohën tonë e dhuratë e trojeve të Polonisë për mbarë Kishën. Jezusi i besoi mistikes polake detyrën t’ia përcillte mbarë njerëzimit mesazhin e Mëshirës Hyjnore. Misioni i motër Faustinës na kujton të vërtetën mbi Mëshirën Hyjnore, sepse e dimë që ajo është e vërtetë e zbuluar në Shkrimin Shenjt.

Motër Faustina na e kujton këtë të vërtetë në forma të reja, që i janë transmetuar nga vetë Jezusi gjatë dukjeve të Tij. Përmes Ditarit, për shembull, që u shkrua në formë kujtimesh katër vitet e fundit të jetës së saj. Në faqet e tij zbulohet thellësia e jetës shpirtërore dhe shkrirja e shpirtit të Murgeshës me Zotin, i cili i dhuroi hire mbi hire: hirin e kundrimit, të njohjes së thellë të misterit të Mëshirës Hyjnore, vegimet zbulimet, plagët e Tij të fshehta, dhuratën e profecisë e të njohjes së shpirtrave si edhe dhuratën tejet të rrallë të dasmës mistike.

Në Ditarin e Shenjtores, titulluar “Mëshira Hyjnore në shpirtin tim”, Jezu Krishti i duket Faustinës e i thotë: “Përmes teje, ashtu si përmes kësaj Hosteje, do të kalojnë rrezet e Mëshirës sime mbi botë”(Ditari,441)

E, në vijim: “... Zemra ime është e rrëmbushur me mëshirë për shpirtrat.(...) Oh! Sikur ta kuptonin  se unë jam për ta më i miri i Etërve; se për ta gurroi nga Zemra ime Gjaku e Uji, si nga një gurrë e pashterrshme Mëshire: se për ta banoj në tabernakull e se, si Mbret i mëshirës, dëshiroj ta shuaj etjen e shpirtrave me hire, po nuk duan ta pranojnë (...). Oh, sa madhe është indiferenca e shpirtrave për gjithë këtë mirësi, për gjithë këto prova dashurie(...). kanë kohë për gjithçka: për të ardhur tek unë e për të marrë hire nuk kanë kohë...” (Ditari, 367).

“Sa të palumtur, ata që nuk përfitojnë nga mrekullia e Mëshirës Hyjnore! Do ta thërrisni më kot, kur do të jetë tepër vonë!”. (Ditari 1448).

“Thuaju mëkatarëve se askush nuk do të shpëtojë nga duart e mia. Nëse ikin  nga zemra ime përdëllyese, do të bien në duart e drejtësisë sime. Thuaju mëkatarëve se  i pres gjithnjë, se i dëgjoj edhe rrahjet më të lehta të zemrave të tyre, për t’u kujtuar menjëherë kur rreh për mua. Shkruaj se u flas me brerjet e ndërgjegjes, me mossukseset e vuajtjet, me stuhi e bubullima; u flas me zërin e Kishës...” (Ditari 1728).

E Diela in Albis (Festa e Mëshirës Hyjnore): “Sot ia ofrova përsëri veten Zotit si fli për mëkatarët. O Jezusi im, nëse po më troket ora e fundit, të lutem përvujtërisht, pranoje vdekjen time në bashkim me Ty, si therore, që unë, me vetëdije të plotë, po ta dhuroj për një qëllim të trefishtë:

Së pari, që vepra e Mëshirës sate të përhapet në botën mbarë e që festa  e kësaj Mëshire të miratohet e të kremtohet solemnisht.

Së dyti, që mëkatarët, e posaçërisht shpirtërat, në prag të shtegtimit të fundit, t’i drejtohen Mëshirës sate për shpëtimin e amshuar.

Së treti, që festa e Mëshirës të jetë strehë e mbrojtje për të gjithë shpirtrat e në atë ditë nga të katër anët të gurrojnë hiret hyjnore”.

Këto, disa fragmente nga Ditari, që na nxisin të mendojmë edhe për figuren e Mëshirës Hyjnore, që vjen nga vegimi i 22 shkurtit 1931. E pastaj, për orën e lutjen e Mëshirës, të cilën ia kërkoi e ia mësoi motër Faustinës vetë Jezusi, për  t’ia drejtuar Mëshirës së tij Hyjnore.

27 prill 2019, 17:57