ARMENIA-GENOCIDE-ANNIVERSARY-MEMORIAL ARMENIA-GENOCIDE-ANNIVERSARY-MEMORIAL 

Dita e përkujtimit të gjenocidit armen

Komuniteti armen, në vendlindje ose në diasporë, sot përkujton "gjenocidin e armenëve" në përkujtim të 1.5 milion njerëzve të vrarë ndërmjet të viteve 1915 dhe 1923.

R.SH. - Vatikan

Masakra e armenëve që ndodhi më se një shekull më parë është një realitet i dhimbshëm. Por sot çka dihet për atë ngjarje? Atë Vahan Ohanian, mekitarist, studiues i gjenocidit armen nëpërmjet gazetave amerikane të kohës, është i bindur se harresa nuk duhet të bjerë mbi atë pjesë të historisë që i ka shkaktuar dhimbje dhe zi një vendi të tërë dhe që ende sot pret shpalljen  e rolit vendimtar që patën e luajtën osmanët.

E vërteta rreth masakrës armene

Me ndihmën e të gjithë bashkësisë ndërkombëtare, thotë atë Ohanian, është e mundur të arrihet deri te njohja e gjenocidit të armenëve, pa kaluar domosdoshmërisht përmes dënimit të Turqisë së sotme mbi përgjegjësitë e Perandorisë Osmane. Është e përshtatshme të fillohet një dialog i qetë dhe i hapur me Ankaranë, kështu që mbylljet e tanishme do të zëvendësohen nga vullneti për të arkivuar sipas së vërtetës atë faqe të dhimbshme të historisë.

Genocidi armen i njohur edhe si “E Keqja e Madhe”, apo “Krimi i Madh”

Genocidi armen, i njohur edhe si “E Keqja e Madhe”, apo “Krimi i Madh”, siç quhet nga vetë armenët (Medz Yeghern), përfshin shfarosjen sistematike nga ana e qeverisë otomane të pakicave armene, brenda territoreve të tyre historike, që sot ndodhen në Republikën aktuale të Turqisë. Në të vërtetë, njihen dy fushata të mëdha kundër armenëve: ajo e Sulltanit Abdyl Hamid II në vitet 1894-1896 dhe shfarosja e armenëve në vitet 1915-1916. Termi “genocid” i referohet kryesisht episodit të dytë. Numri i përgjithshëm i viktimave vlerësohet nga 1 deri në 1.5 milion.

Dita, që konsiderohet nisja e genocidit, është 24 prilli 1915, kur autoritetet otomane arrestuan 250 intelektualë dhe krerë bashkësish armene në Kostandinopojë.

Masakrimi i armenëve vazhdoi gjatë dhe pas Luftës I Botërore, në dy faza: vrasja e përgjithshme e burrave të aftë për punë, përmes shfarosjes dhe punës së detyruar, ndjekur nga internimi i grave, fëmijëve, të moshuarve dhe të sëmurëve, të cilët, në karvanë të gjatë vdekjeprurës, u detyruan të kalonin shkretëtirën siriane. Të shoqëruar nga skuadra ushtarësh, të internuarit nuk furnizoheshin as me ushqim e as me ujë. Herë pas here, i vidhnin, i rrëmbenin e i masakronin. Edhe grupe të tjera të krishtera, si asirët dhe grekët, pësuan të njëjtin fat. Armenët kanë diasporë në të gjithë botën, pikërisht për shkak të këtij genocidi.

Konsiderohet një nga genocidet e para të kohës sonë, për shkak të organizimit të paramenduar të shfarosjes së armenëve nga ana e Triumviratit (Tre pashallarëve në krye të Perandorisë Otomane) dhe është më i studiuari pas Holokaustit të hebrenjve në Luftën II Botërore. Fjala “genocid” u përdor për herë të parë pikërisht për të përshkruar shfarosjen e armenëve.

Turqia, shteti pasardhës i Perandorisë Otomane, e mohon fjalën genocid për shfarosjen e armenëve, pavarësisht se vitet e fundit, mëse një herë, i është bërë thirrje ta njohë këtë njollë në historinë e vet. Deri më sot, 22 shtete e kanë njohur zyrtarisht vrasjen masive të armenëve si genocid, term i pranuar tashmë nga shumica e studiuesve dhe historianëve. Një ndër 22 shtetet është edhe Vatikani. Ç’është më absurde, vetë Perandoria Otomane, me vendim të Gjykatës ushtarake turke, në vitet 1919-1920, e njohu genocidin kundër armenëve dhe i dënoi me vdekje autorët. Megjithatë, gjatë rilindjes turke, të gjithë atyre, që gjykata i konsideroi fajtorë në vitin 1921, iu dha amnistia. Kështu, qeveria e mëpasme turke, nën Mustafa Qemal Ataturkun e mohoi genocidin kundër armenëve.

Shtetet, që zyrtarisht, njohin genocidin armen, përveç vetë Armenisë:

Argjentina, Belgjika, Bolivia, Kanadaja, Kili, Qipro, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Lituania, Libani, Vendet e Ulta, Perandoria Otomane (në vitin 1919), Polonia, Rusia, Sllovakia, Suedia, Zvicra, Uruguaj, Selia e Shenjtë, Venezuela. Në disa prej këtyre vendeve, mohimi i genocidit konsiderohet krim dhe dënohet me burgim. Ndërkaq, genocidi i armenëve njihet edhe nga shumë organizata dhe institucione ndërkombëtare, si edhe nga shtete, që në rezolutat e tyre nuk kanë përdorur fjalën “genocid”, por “masakrim” ose të ngjashme. Në vitin 1987, Parlamenti Evropian njohu genocidin armen e mospranimi i tij nga ana e Turqisë është një nga pikat, që e frenojnë rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Është detyrë t’i kujtosh tragjeditë

“Të kujtosh atë që ndodhi, është detyrë jo vetëm për popullin armen e për Kishën universale, por për mbarë familjen njerëzore, që qortimi, i cili vjen nga  kjo tragjedi, të na shpëtojë nga rreziku i përsëritjes së tmerreve të tilla. Janë tmerre, që fyejnë Zotin dhe dinjitetin e njeriut”. Kështu pati shkruar Papa Françesku, në njëqindvjetorin e “martirizimit” armen, në prill të vitit 2015, në mesazhin drejtuar me rastin e këtij përkujtimi, vëllezërve e motrave armene, një shekull pas masakrës së tmerrshme, që mund të quhet martirizim i mirëfilltë.

Për fat të keq, edhe sot e kësaj dite  dëgjojmë britmën e  mbytur e të shpërfillur të shumë vëllezërve e motrave tona të pambrojtura që, për shkak të besimit në Krishtin ose të përkatësisë së tyre etnike, vriten publikisht e mizorisht: u pritet koka, kryqëzohen, digjen të gjallë ose detyrohen të braktisin trojet e veta.

Martirizimi armen, shfarosje e çmendur dhe e pashembullt

Prandaj, në njëqindvjetorin e “martirizimit” armen, Papa Françesku, me zemrën e shporuar nga dhimbja, pohoi se duhet kujtuar kjo ngjarje tragjike, kjo shfarosje e pashembullt, e çmendur. Ta kujtosh është nevojë, madje  detyrë, sepse atje ku humbet kujtesa, e keqja e mban ende të hapur plagën; ta fshehësh ose ta mohosh të keqen, është një soj si ta lesh plagën të rrjedhë gjak, pa  e mjekuar! Të sigurt se e keqja nuk vjen kurrë nga Zoti, me rrënjë ngulur fort në fe, dëshmojmë se mizoria  nuk mund t’i atribuohet kurrë veprës së Hyjit e, për më tepër, nuk duhet justifikuar kurrë duke përdorur Emrin e Tij të Shenjtë.

Gregori i Narek shpallet doktor i Kishës

Pikërisht Gregori i Narek, më i dashuri e më i lexuari ndërmjet shenjtorëve armenë, që u shpall “Doktor i Kishës”, diti ta shprehë, shpjegoi Papa Françesku, më shumë se askush, shpirtin e popullit të vet, duke u bërë zë i britmës, shndërruar në lutje, të njeriut plot me dhimbje e mëkate, që shtypet nën barrën e ankthit e të ligështisë së vet, por edhe shndritet nga drita e dashurisë së Zotit, që shndërron çdo gjë.

Thirrje krerëve të shteteve dhe organizatave ndërkombëtare

 Uroj që ky përkujtim i dhimbshëm, pati nënvizuar me 2015 Papa Françesku në mesazhin përfundimtar, t’i nxisë të gjithë të reflektojnë përvujtërisht, sinqerisht e me zemër të hapur për falje.

24 prill 2019, 16:06