Kërko

Ceremonia e abdikimit të perandorit Akihito Ceremonia e abdikimit të perandorit Akihito 

Çast historik në Japoni: perandori Akihito abdikon në favor të djalit të vet

Sot, në Tokio, ceremonia e abdikimit të perandorit Akihito, simbol i bashkimit të vendit.

R.SH. - Vatikan

Ditë historike sot në Japoni. Pas më shumë se 30 vitesh, përfundon epoka e perandorit Akihito, i cili abdikon në favor të djalit të tij të madh, Naruhito, 59 vjeç, që do të mund ta ushtrojë pushtetin, duke filluar nga dita e nesërme, 1 maj. Për vendin e Diellit që Lind, ky çast përbën kalimin formal nga epoka "Heisei" (“Arritja e paqes”) në epokën e re “Reiëa” (“Harmoni e shkëlqyer”). Kjo është hera e parë që abdikon një perandor japonez, që kur Kokaku e la fronin më 1817.

Ceremonia në Tokio

Ceremonia e ndërlikuar, sipas rregullave të përcaktuara me Kushtetutë, zhvillohet në Sallën e Shtetit të Pallatit Perandorak, në qendër të Tokios, në praninë e rreth 300 vetëve, përfshirë kryeministrin Shinzo Abe dhe ministrat e tij. Më 1 maj do të ketë një ceremoni të dytë, në të cilën princi i kurorës, Naruhito, do të ulet në fron dhe do të trashëgojë shenjat tradicionale si shpata e shenjtë dhe bizhuteritë, si dëshmi trashëgimie.

3 vite përgatitjeje

Kanë kaluar thuajse 3 vite nga gushti i 2016-ës, kur Akihito njoftoi në televizion dëshirën për të abdikuar, për shkak të moshës së shtyrë, që e pengonte ta kryente plotësisht detyrën e tij si simbol i shtetit dhe i bashkimit të popullit. Gjatë kësaj kohe, qeveria miratoi një sërë ligjesh të nevojshme për tranzicionin.

Akihito, perandor i paqes

Akihito u bë perandor më 8 janar 1989, në moshën 55 vjeçare, pas vdekjes së të atit, perandorit Hirohito, i cili e udhëhoqi Japoninë gjatë Luftës II Botërore, të cilën e pati humbur. Në këto 30 vite, Akihito - një figurë shumë simbolike për vendin - ka qenë garant i pacifizmit japonez të pasluftës. Tani, kancelaritë ndërkombëtare e shohin me vëmendje kursin e ri të Naruhitos, që duhet të bashkëjetojë me qeverinë konservatore të Abes, i cili nuk e ka fshehur kurrë vullnetin për ta bërë Japoninë fuqi ushtarake rajonale.

30 prill 2019, 17:04