Kërko

Vatican News
 "Jo" dënimit me vdekje "Jo" dënimit me vdekje 

Amnesty: në vitin 2018, dënimet me vdekje, në rënie

Në raportin global vjetor 2018 të Amnesty International, kushtuar dënimit me vdekje, vihet në dukje se gjatë vitit të shkuar u kalua nga 993 ekzekutimet e vitit 2017, në 690. Është një nga të dhënat më të ulëta, parë prej vitesh. Por gjithsesi, problemi mbetet akoma dramatikisht aktual. Edhe Papa Françesku vijon ta shqiptojë qartë e fort “jo-në” e tij.

R. SH.. - Vatikan

Kina, Irani, Arabia Saudite, Vietnami e Iraku janë vendet, ku njerëzit vijojnë të dënohen me vdekje, ndonëse numri i tyre është në rënie. “Pakësimi drastik i ekzekutimeve dëshmon se deri shtetet më këmbëngulëse në këtë drejtim, kanë nisur të ndërrojnë mendim” – Ky, komenti i Kumi Naidoo, Sekretar i përgjithshëm i Amnesty International, i cili uron që ky dënim mizor t’i dorëzohet sa më shpejt historisë. Objektiv - nënvizohet në Raport - që mund të realizohet duke e ndryshuar prirjen e një numri të vogël vendesh, në të cilat jo vetëm që nuk janë pakësuar ekzekutimet, por përkundrazi, janë shtuar. Bëhet fjalë për Bjellorusinë, Japoninë, Singaporin, Sudanin e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqetësues edhe fakti që Tailanda po e zbaton përsësi këtë dënim, duke nisur nga viti 2009, ndërsa Sri Lanka ka njoftuar se do t’i rifillojë ekzekutimet, pas më se 40 vjetësh pa to. Në përfundim të 2018-tës, janë 142 shtetet, që hoqën dorë nga dënimi me vdekje, në ligjshmëri ose në praktikë.

“Jo” e fuqishme dhe e qartë e Papës Françesku kundër dënimit me vdekje

Edhe Papa Françesku vijon të kërkojë vazhdimisht zhdukjen e plotë të dënimit me vdekje nga ligjshmëria e mbarë botës.  E theksoi dhe kohët e fundit, duke u takuar me delegacionin e Komisionit Ndërkombëtar kundër dënimit me vdekje, pritur në audiencë, në Vatikan, më 17 dhjetorin e kaluar. Papa e shqiptoi qartë “jo”- në e tij kundër ekzekutimit, parë si formë e përdorur për zhdukjen e atyre, që kryejnë krime të rënda. “Është formë mizore dënimi”- tha Papa - duke kujtuar se, që në fillim të Papnisë së tij kërkoi të zhduket, mbasi, në kundërshtim me Ungjillin, “kërkon shuarjen e një jete, e cila është gjithnjë e shenjtë para syve të Krijuesit”. E nëse në të kaluarën kjo formë dënimi “u pranua” edhe nga Kisha e nga Katekizmi - si akt ekstrem në mbrojtje të shoqërisë, në mungesë të mjeteve të tjera të përshtatshme për ta bërë të padëmshëm autorin e krimit të rëndë, sot - kujton Françesku - këto mjete ekzistojnë. Prandaj edhe dënimi me vdekje është kapërcyer, edhe në këtë “funksion” të tij.

Dënimi me vdekje duhet mbyllur në bodrumin e historisë

Në mikrofonet tona, Riccardo Noury, zëdhënës i Amnesty International për Italinë, e komenton reduktimin e një të tretës së ekzekutimeve në 2018-tën, në krahasim me 2017-tën, si lajm i mirë dhe e dhënë domethënëse. Lajm, që i detyrohet kryesisht përdorimit më të ulët të dënimit me vdekje, në disa vende që, në të kaluarën e përdornin më shumë. Duke menduar për të ardhmen, Noury shton: “Pyetja, që bëjmë prej vitesh, nuk është a do të zhduket dënimi me vdekje. Që do të zhduket, do të zhduket, po kur? E çdo vit marrim përgjigje, që na bëjnë të besojmë se kjo do të ndodhë së shpejti. E së shpejti ky dënim do të mbyllet në bodrumet e historisë!”.

 

10 prill 2019, 15:22