Kërko

Vatican News
Croce, crocifisso Croce, crocifisso 

Më 4 prill kalendari kishtar përkujton Shën Izidorin, ipeshkëv

Izidori qe pa dyshim njeriu i kundërshtive dialektike të theksuara. Edhe në jetën e tij personale, eksperimentoi një konflikt të vazhdueshëm të brendshëm, shumë i ngjashëm me atë që pati ndjerë shën Gregori i Madh e shën Agostini, ndërmjet dëshirës për vetmi, për t’iu kushtuar tërësisht meditimit të Fjalës së Zotit, dhe kërkesës së bamirësisë e shërbimit ndaj vëllezërve, shpëtimin e të cilëve ndjente se e kishte për detyrë, si Ipeshkëv.

R.SH. - Vatikan

Më 4 prill kalendari kishtar përkujton Shën Izidorin, ipeshkëv i Seviljes e doktor i Kishës.

Izidori i Seviljes (560 – 636) është ati i fundit i Kishës latine. Ishte vëllai i shën Fulgencit e Leandrit, që e edukuan Izidorin dhe motrën e tyre, Fiorentinen. Shën Leandri qe kryeipeshkëv i Seviljes, të cilin e zëvendësoi Izidori, ipeshkëv i Seviljes që jetoi ndërmjet shekullit VI dhe VII. Në vitin 633 drejtoi koncilin e katërt të rëndësishëm të Toledos. Shkrimtar enciklopedik, Izidori qe lexuar e studiuar shumë në mesjetë, sidomos për Etimologjitë e tij, një vepër jashtëzakonisht e dobishme e shkencës së lashtë. Është autor i shumë librave që trajtojnë të gjitha fushat e dijes nga agronomia te medicina, nga teologjia deri te ekonomia shtëpiake apo familjare. Autorët e tij të preferuar qenë shën Agostini e shën Gregori i Madh. Izidori konsiderohet mësues i Evropës mesjetare e organizuesi i parë i kulturës së krishterë.

“Të krishterët të jenë njerëz të kundrimit dhe të veprimit”, këtë karakteristikë të shën Izidorit e vënë në dukje kalendari i sotëm kishtar. Të krishterët rrezikojnë të jenë njerëz me një përmasë të vetme. Një rrezik ky që e kishte mirë parasysh shën Izidori, njeri i kulturuar e mik i mirë i Papës Gregori i Madh, i fundmi i Etërve të krishterë të lashtësisë. I rritur mes librash, qe detyra e tij si ipeshkëv, përballë rrezikut të dyndjes së Vizigotëve dhe të përhapjes së herezisë ariane, ajo që e bëri të reflektonte mbi jetën e krishterë dhe të përshkruante se si duhet të jetë ajo, për të qenë e plotë dhe e vërtetë.

Izidori qe pa dyshim njeriu i kundërshtive dialektike të theksuara. Edhe në jetën e tij personale, eksperimentoi një konflikt të vazhdueshëm të brendshëm, shumë i ngjashëm me atë që pati ndjerë shën Gregori i Madh e shën Agostini, ndërmjet dëshirës për vetmi, për t’iu kushtuar tërësisht meditimit të Fjalës së Zotit, dhe kërkesës së bamirësisë e shërbimit ndaj vëllezërve, shpëtimin e të cilëve ndjente se e kishte për detyrë, si Ipeshkëv. Të krishterët të jenë njerëz të kundrimit dhe të veprimit: kështu na mëson Shën Izidori i Seviljes.
Por, ipeshkvit seviljan iu desh të linte mënjanë preferencat për një jetë në lutje e meditim. Madje, tregoi një entuziazëm të qartë apostolik dhe u gëzua kur mbreti vizigot Ermenexhildo u kthye në fenë e krishterë, duke sjellë kështu bashkimin politik dhe fetar në tokat e tij.

Gjithsesi, nuk duhet nënvlerësuar vështirësia e jashtëzakonshme për të përballuar si duhet problemet mjaft të rënda si marrëdhëniet me heretikët dhe me hebrenjtë. Një seri problemesh që duken shumë konkrete edhe sot, sidomos nëse merret parasysh atë ç’ndodh në disa rajone të botës, ku duket se riprodhohen situata shumë të ngjashme me ato të gadishullit iberik në shekullin e gjashtë. Reflektimet e Shën Izidorit, që përmbledhin dhe shprehin jetën e plotë të krishterë, kanë qenë dhe janë edhe sot të çmueshme për të sqaruar marrëdhëniet ndërmjet jetës kundruese dhe asaj aktive.

Duke imituar Jezu Krishtin, i cili rrinte me turmat, por tërhiqej në vetmi kur lutej, edhe ai që i shërben Zotit, shkruante shën Izidori, t’i kushtohet kundrimit të Fjalës së Hyjit pa hequr dorë nga jeta aktive e përditshme. Të sillemi ndryshe nuk do të ishte e drejtë.  Si duhet ta duam Zotin përmes kundrimit, si duhet ta duam të afërmin përmes veprimit… Mendoj se kjo është sinteza e një jete, që kërkon kundrimin e Zotit, dialogun me Zotin në lutje e në leximin e Shkrimeve të Shenjta të Biblës, por edhe veprimin në shërbim të bashkësisë njerëzore e të të afërmit. Kjo sintezë është leksioni apo mësimi, që ipeshkvi i madh i Seviljes shën Izidori na lë neve, të krishterëve të sotëm, të thirrur ta dëshmojmë Krishtin në fillim të mijëvjeçarit të ri.

04 prill 2019, 11:09