Kërko

 Christchurch Christchurch 

Zelanda e Re: sulmohen dy xhami. Dhjetra të vdekur

Sulmi i tmerrshëm mbi dy xhami në Christchurch tronditi thellë një vend, si Zelanda e Re, deri më sot, nga më paqësorët e nga më të përmendurit për bashkëjetesën e shumë kulturave. Papa, e me të, mbarë bota, u shpreh “ngushëllimet e thella familjeve të prekura nga atentati i tmerrshëm”, që tronditi gjithë vendin. Përveç bilancit tejet të rëndë të viktimave njerëzore dhe dënimit, që mund e duhet ta shprehë çdo qytetar, duhet nënvizuar se sulmi mbi vendet e kultit, hapësira lutjesh për të gjithë, përbën edhe një fyerje të rëndë për besimtarët, çfarëdolloj feje t’i përkasin”.

R. SH. - Vatikan

Të paktën 40, të vdekurit e 50, të plagosurit, sipas mediave vendase. Këto, numrat  e ditës tragjike, të cilën  kryeministrja neozelandeze, zonja Ardern, e quajti “dita më e zezë e historisë së vendit”. Policia, që gjeti lëndë shpërthyese të ngjitura ndër auto, kërkon të mos transmetohet videoja e sulmit, e postuar në Facebook. Po bëhen përpjekje për të shlyer çdo variant. Regjistrimi i atentatit është vepër e njërit nga atentatorët, botuar në profilin e tij në rrjetet shoqërore: një racist i bardhë, që vendosi ta godasë Zelandën e Re, për t’i treguar gjithë botës se emigracioni në masë ka arritur edhe në skajet më të largëta. Atentati i dyfishtë u realizua nga i njëjti grup prej katër vetësh, armatosur me automatikë, në orën 13.00 me orën vendase, 3 e natës, me tonën. Atentatori, që e regjistroi sulmin, hyri i pari në xhami, vrau disa vetë e pastaj doli jashtë për të marrë muinicione të tjera për automatikun e tij të zbrazur. E, si e mbushi, vijoi të shtënat mbi besimtarët. Pastaj nisi sulmi mbi xhaminë tjetër. Sipas kryeministrit australian, Morrison, njëri nga vrasësit është australian i së djathtës ekstreme.

Lutja dhe solidarieti i  ipeshkvijve katolikë, për bashkësinë myslimane

Menjëherë pas dy atentateve të tmerrshme, ipeshkvijtë katolikë të Zelandës së Re i dërguan një mesazh “besimtarëve të dashur të bashkësisë myslimane neozelandeze të Christchurch, për t’u shprehur solidaritetin e  tyre përballë kësaj dhune si dhe për t’i siguruar për lutjen e tyre. “Jemi thellësisht të vetëdijshëm për marrëdhëniet tona të mira me islamikët e kësaj toke - shkruajnë ipeshkvijtë  -  e po aq edhe për faktin se  kjo ndodhi  në një vend e në një kohë lutjeje. Në këto çaste kaq të trishtuara,  plot me dhimbje për njerëzit e vrarë e të plagosur, zemra jonë është pranë tyre, pranë familjeve të tyre dhe bashkësisë në përgjithësi. ‘Paqe, Salaam!’”.

15 mars 2019, 12:35