Kërko

Pope Francis meets with President of Malta, Marie-Louise Coleiro Preca, at the Vatican Pope Francis meets with President of Malta, Marie-Louise Coleiro Preca, at the Vatican 

Papa Françesku priti Presidenten e Maltës

Gjatë bisedimeve të përzemërta marrëdhëniet konstruktive dhe bashkëpunimi mes Selisë së Shenjtë e Maltës, perspektivat e integrimit evropian dhe migrimi në zonën e Mesdheut, bashkëpunimi për zhvillimin dhe dialogu ndërfetar

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti sot në audiencë në Pallatin Apostolik, në Vatikan, Presidenten e Republikës së Maltës, Marie-Luise Coleiro Preca, shoqëruar nga bashkëshorti i saj Edgar Preca dhe  një delegacion prej 22 personash. Biseda ndërmjet Papës dhe presidentes u mbajt në sallën e bibliotekës, në prani të një përkthyesi, e zgjati pak më shumë se 25 minuta.

Gjatë bisedimeve të përzemërta u përmenden marrëdhëniet e mira e tejet pozitive që bashkojnë Selinë e Shenjtë dhe Republikën e Maltës, bashkëpunimi ndërmjet Kishës e Shtetit në favor të përparimit njerëzor, social, kulturor e shpirtëror të popullsisë, në mënyrë të veçantë të të rinjve, në dritën e kontributit shekullor që katolicizmi i ka ofruar vendit.

Në vazhdim të bisedimeve u trajtuan disa tema me interes të përbashkët, një mënyrë të posaçëm u fol rreth perspektivave të integrimit evropian, mbi situatën e zonës së Mesdheut, fenomenin e emigracionit, bashkëpunimin për zhvillimin dhe dialogun ndërfetar.

Në momentin e përshëndetjes së parë, në Sallën del Tronetto, Presidentja malteze i tha Papës: "Faleminderit, jam shumë e lumtur për këtë privilegj ". Në përfundim të bisedimeve dhe prezantimit të delegacionit maltez, u bë shkëmbimi i dhuratave. Presidentja Coleiro Preca i dhuroi Papës një ikonë druri me imazhet e shën Pjetrit dhe Palit, duke komentuar se "janë shenjtorë të mëdhenj". Pastaj një tabaka me produkte ushqimore të ndryshme tipike nga Malta. Pastaj i dorëzoi edhe një zarf Papës, duke thënë: "për veprat e juaja të bamirësisë".

Papa Françesku shkëmbeu dhuratën me skulpturën e argjendtë të degës së ullirit, duke pohuar: "Eshtë një urim për ju, që ju të vazhdoni të jeni grua e paqes". Papa i dhuroi Presidentes së Maltës Mesazhin e fundit  papnor për Ditën Botërore të Paqes, nënshkruar posaçërisht prej tij sot, pastaj edhe dokumentin e Abu Dabit mbi "Vëllazërimin Njerëzor", si dhe katër tekstet papnor Evangelii gaudium, Laudato Si, Amoris laetitia dhe Gaudete et Exsultate. Në fund, presidentja malteze dhe delegacioni shoqërues shkuan në takim me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin.

 

21 mars 2019, 13:48