Kërko

17-01-2016 Visita Sinagoga di Roma 17-01-2016 Visita Sinagoga di Roma 

Hapja e arkivave mbi Piun XII: Di Segni (Ucei), " e vlerësoi shumë vendimin e Papës Bergoglio"

Noemi Di Segni "është diçka pozitive që ekziston vullneti për ta bërë këtë hapje, sepse të gjithë atyre që merren me kërkime do t'u japë mundësinë t’i shfletojnë materialet me interes të pashembullt për të qenë, kështu, në gjendje të rindërtojnë edhe më qartë pozicionin e Kishës gjatë periudhës së Shoah-ut".

R.SH. -Vatikan

"Vendimin e Papës Bergoglio për të hapur arkivin sekret në lidhje me figurën e Papës Piut XII e mirëpresim me një vlerësim të jashtëzakonshëm". Kështu thekson presidenti i Unionit të Bashkësive Hebraike italiane (UCEI), Noemi Di Segni, në një deklaratë në të cilën nënvizon se "është diçka pozitive që ekziston vullneti për ta bërë këtë hapje, sepse të gjithë atyre që merren me kërkime do t'u japë mundësinë t’i shfletojnë materialet me interes të pashembullt për të qenë, kështu, në gjendje të rindërtojnë edhe më qartë pozicionin e Kishës gjatë periudhës së Shoah-ut".

Arkivat e Vatikanit, në imagjinatën kolektive, janë një nga arkivat më të fshehta dhe më të paarritshme, nuk vizitohen nga turistët, përveçse nga studiuesit që kanë leje të posaçme nga organet arkivore të Selisë së Shenjtë. Tani, Arkivi sekret i Vatikanit i krijuar në vitin 1612 nga Pali V në Pallatin Apostolik në Vatikan, do të hap dyert e saj dhe do të ofrojë njoftimin me dokumente të rëndësishme mbi figurën e Papës Piut XII.

Në lidhje me mundësinë e hapjes së arkivave vatikanase

Përsa i përket kërkesave të përsëritura për hapjen e arkivave vatikanase duhen mbajtur parasysh disa gjëra. Kërkesa është në vetvete e kuptueshme dhe e justifikuar nga pikëpamja e metodologjisë së studimeve historike. Sidoqoftë duhet kuptuar mirë se çfarë nënkupton kjo. Hapja e Arkivit Sekret të Vatikanit për studiuesit ka filluar me Papën Leonin XIII në 1881 dhe ka vazhduar nga pasardhësit e tij, deri sot, me njoftimin që dha Papa Françesku, për hapjen e arkivave vitin e ardhshëm 2020.

Parimi i ndjekur zakonisht është ai që studiuesve iu hapen dokumentet papni mbas papnie dhe jo në bazë të një periudhe të caktuar kohore (psh 50, 70 apo 90 vjet) siç ndodh me arkivat e tjera, mbasi vetë Arkivi nuk është i strukturuar sipas një skeme thjeshtë kronologjike, por pikërisht sipas “papnive”. Deri tani hapja ka arritur deri tek papnia e Piut XI, pra deri më 1939, hapja e arkivave për studiuesit kërkon një punë të veçantë për përgatitjen dhe dokumentimin që do të thotë: përshkrim i vendndodhjeve të ndryshme (protokolle, fashikuj, dosje), numërimi i fletëve, vulosje e çdo flete, lidhje e fashikujve me letrat më të dëmtuara etj. Prandaj, puna e katalogimit dhe e renditjes ka qenë e gjatë e ka kërkuar punë të jashtëzakonshme dhe durim, e pastaj edhe personeli i specializuar është mjaft i kufizuar.

Prandaj kjo gjë kërkoi kohë e punë, po tani koha erdhi. Fondet e arkivave të papnisë së Piut XII në të cilat është punuar dhe po punohet aktualisht u përkasin tre grupeve: 1. arkivat e përfaqësive papnore; 2. arkivat e Sekretarisë së Shtetit; 3. arkivat e Kongregacioneve romake dhe Zyra të tjera. Numri i përgjithshëm i fletëve arrin në 16 milion në mos më tepër. Dosjet që duhen përgatitur janë 15.430 ndërsa fashikujt janë 2500.

Prefekti i Arkivit Sekret Imzot Serxho Pagano tha për të ardhur deri në pikën aktuale, është dashur një kohë e gjatë. Pastaj, pasi të jetë kryer puna e renditjes, meqë Arkivi Sekret është Arkivi i Atit të Shenjtë, vendimi përfundimtar për hapjen e arkvit i përket vetë Atit të Shenjtë. E Papa Bergoglio njoftoi se ka vendosur hapjen e Arkivave për papninë e Piut XII, më 2 mars 2020, pikërisht 81 vjet pas zgjedhjes së Eugenio Pacelli-t në fronin e Shën Pjetrit, në vitin tragjik 1939.

04 mars 2019, 17:10