Situatë e dëshpëruar në Mozambik Situatë e dëshpëruar në Mozambik  

Caritas Internationalis: situatë e dëshpëruar në Mozambik

Situata në Mozambik është e dëshpëruar. Udhët e prishura pengojnë arritjen dhe shpërndarjen e ndihmave, posaçërisht të ushqimeve. Gjendje emergjence humanitare edhe në Zimbabve e Malavi. Për OKB-në, kjo krizë është po aq e rëndë, sa ajo e Sirisë, Jemenit dhe e Sudanit të Jugut. Unicef-i kujton se nga 1,7 milion njerëz të dëmtuar në rajon, pothuajse gjysma janë fëmijë.

R. SH. - Vatikan

Programi Ushqimor Botëror (Wfp) i OKB-së e klasifikon krizën e shkaktuar në Mozambik nga cikloni Idai,  të nivelit 3, njëlloj me gjendjen e emergjencës shkaktuar nga lufta në Siri, Jemen e në Sudanin e Jugut. Klasifikimi i ri do të krijojë edhe mundësi të reja për shpejtimin e  operacioneve të ndihmës ndaj popullsisë së dëmtuar nga cikloni dhe përmbytjet pasuese, që shkaktuan një numër të pallogaritshëm viktimash e lanë më se 600 mijë vetë pa shtëpi. Sipas Unicef-it, nga 1,7 milionë njerëz të dëmtuar në Mozambik, Zimbabve e Malavi, pothuajse se gjysma janë fëmijë.

Emergjencë, edhe në Zimbabve e Malavi

Cikloni dëmtoi njëlloj edhe Zimbabven, ku qeveria deklaroi menjëherë gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Viktimat e ciklonit arrijnë në 100; refugjatët, në 13.000. Shumë humbën gjithçka, por, për fat të mirë, shpëtuan jetën. Edhe në Malavi, ku numri i të vdekurve ka arritur në 84, qeveria shpalli gjendjen e emergjencës kombëtare. U dëmtuan rëndë më se 15 zona e dy qytete, me 840.000 vetë të mbetur në mëshirën e fatit. Rreth 94.000 vetë, të ikur nga banesat e veta, u strehuan në kampe të krijuaar për të shpërngulurit e brendshëm.

Vendi më i dëmtuar, Mozambiku

Në Mozambik, vendi më i dëmtuar, me një numër prej më se 1000 viktimash, qeveria shpalli gjendjen e emergjencës kombëtare. Bashkësia e vendeve të gjuhës portugeze po i përgjigjet tragjedisë së ciklonit Idai, me një fond ndihme për Mozambikun. Aktualisht vendi strehon rreth 25.000 refugjatë që, për fat të mirë, nuk u dëmtuan nga cikloni.  

Thirrja e ipeshkvijve të Mozambikut

Sipas sekretarit të përgjithshëm të Konferencës ipeshkvnore të Mozambikut, imzot Luiz Fernando Lisboa, nuk është koha për të qarë. Prelati i fton mozambikianët, organizatat ndërkombëtare dhe të gjitha vendet e botës, të organizohen për të ndihmuar njerëzit e dëmtuar. Kujton, ndërkaq, se Kisha katolike në Mozambik, në të gjitha nivelet, po vë në jetë Fushatën e solidaritetit, për të lehtësuar  vuajtjet e njerëzve të dëmtuar nga kjo fatkeqësi natyrore. Duke iu drejtuar këtyre njerëzve të dëshpëruar, Prelati u bën thirrje për shpresë, për ta ngritur përsëri kokën lart e për të besuar në ndihmën e Zotit. Ipeshkvi dënon rëndë cubat, që  plaçkisin e që korruptohen, duke përfituar nga një situatë e tillë tragjike. “Nëse ndokush synon të përfitojë nga  fatkeqësia e tjetrit - qorton - mos të harrojë se do të japë llogari para Zotit”.

23 mars 2019, 16:54