Vatican News
Historiani dom Gaspër Gjini Historiani dom Gaspër Gjini  

Historiani dom Gaspër Gjini në përvjetorin e vdekjes

Tërë jetën ia kushtoi veprimtarisë baritore e ungjillëzuese, në fillim si sekretar i ipeshkvit, më pas si kancelar i dioqezës dhe si famullitar në Ferizaj e në Shkup. Vite me radhë shërbeu si kryetar i Gjyqit kishtar e si bashkëpunëtor i zellshëm i revistës fetaro-kulturore “Drita”. Gjatë kësaj kohe don Gaspër Gjini përpiloi dhe botoi librin e uratëve “Shûjta shpirtërore” e shkrime tjera mbi Koncilin e Dytë të Vatikanit.

Më 7 mars kujtojmë përvjetorin e vdekjes së  meshtarit të jashtëzakonshëm dr. dom Gaspër Gjinit. Prifti e studiuesi shqiptar nga Kosova, dom Gaspër Gjini lindi më 24 shtator 1930 në Ferizaj, në familjen e madhe të Kolës e të Dushe Gjinit, që lindën, rritën e edukuan 12 fëmijë.

Gaspri u shugurua meshtar më 2 korrik 1955. Më vonë shkoi në Romë, ku pas studimeve që bëri në Universitetin Papënor Urbaniana, më 1968 mbrojti doktoratën mbi temën “Mbi burimet historiko-juridike të Kishës së Shkupit”. Dr. Dom Gaspër Gjini, jetoi e veproi në kushte pa kushte, por kurrë s’u dorëzua para vështirësive, kufizimeve, së keqes e errësirës , sepse ishte i bindur së jetonte e vepronte nv shërbim të Zotit, Kishës,  popullit shqiptar e të për çdo personi që takoi gjatë jetës e misionit të tij meshtarak e shkencor.

Pjesën më të madhe të jetës ia kushtoi veprimtarisë baritore e ungjillëzuese, në fillim si sekretar i ipeshkvit, më pas si kancelar i dioqezës dhe si famullitar në Ferizaj e në Shkup.  Së bashku, me meshtarin e zellshëm të Kosovës, dom Nikollë MINI-n (1924-1992) filloi botimin e fletushkës ipeshkëvnore “ZANI I ZOJËS CËRENAGORE” në korrik të vitit 1962. Për nevoja shpirtërore, përpiloi mjeshtërisht librin e urëtëve “SHUJTA SHPIRTËRORE” (1978, 1987, 1991, 2002). Po ashtu, përpiloi një doracak për përgatitjen e kremtimit të Sakramentit të Martesës.

Vite të tëra shërbeu si kryetar i Gjyqit kishtar e si bashkëpunëtor i zellshëm i revistës fetaro-kulturore “Drita” të dioqezës së Kosovës.  Për  këtë revistë shkroi në fusha të ndryshme si rubrika historike: THËRRMIA HISTORIKE, DIKUR NËPËR KOSOVË,  apo shkrime rreth Koncilit II të Vatikanit e shumë tjera, deri kur, tepër herë, u kthye në shtëpinë e Atit Qiellor. Gjatë kësaj kohe dom Gaspër Gjini përpiloi dhe botoi librin e uratëve “Shûjta shpirtërore” e shkrime tjera me vlerë. Kryevepra e tij, pa dyshim, është “HISTORIA E IPESHKVISË SHKUP-PRIZREN NËPËR SHEKUJ” (kroatisht DRITA – KS, Zagreb, 1986; shqip DRITA, 1992; 2012; anglisht, 2002; 2012) 

Mbylli sytë si sot, më 7 mars 1985, në spitalin e Beogradit, në sa ishte në kulmin e pjekurisë meshtarake e shkencore. Dom Gaspër Gjini qe njeri me virtyte të rralla, me kulturë poliedrike, na la trashëgim veprën madhore postume: "Ipeshkvia Shkup -Prizren nëpër shekuj", botuar në Zagreb, më 1992. 

07 mars 2019, 12:51