Kërko

Studentë Studentë 

6 bursa nga Programi për Angazhimin e Diasporës

Programi për Angazhimin e Diasporës: Mundësi bursash për punë kërkimore, kushtuar diplomantëve të arkitekturës nga diaspora shqiptare në Itali.

R.V. - Vatikan

U bënë dy vjet tashmë, që politika shqiptare i ka kthyer sytë edhe nga diaspora. Është ngritur një Ministri për Diasporën, janë mbajtur dy Samite për Diasporën dhe kanë filluar programe për angazhimin e saj në jetën e mëmëdheut. Pavarësisht nga diskutimet dhe pikëpyetjet e ligjshme mbi veprimtarinë e deritanishme - dialektikë e domosdoshme për përmirësim – janë për t’u vlerësuar hapat e para.

Një prej këtyre është programi “Angazhimi i Diasporës për Zhvillimin Social dhe Ekonomik të Shqipërisë”, zbatuar nga IOM-i (Organizata Ndërkombëtare për Migracionin) me financim të AICS-së (Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim). Synohet nxitja e transferimit të njohurive dhe aftësive të diasporës shqiptare në të mirë të vendit.

Në këtë kuadër, IOM-i po bashkëpunon me Departamentin e Arkitekturës në Universitetin e Firences në Itali, për të mbështetur një projekt kërkimor, lidhur me zhvillimin territorial në Shqipëri. Tema e projektit: “Diaspora si burim për mbrojtjen dhe zhvillimin e Qendrave Kulturore më pak të njohura në Shqipëri”.

Universiteti i Firences sapo ka publikuar thirrjen për aplikime për 6 bursa pune kërkimore (Fellowships). Prej tyre mund të përfitojnë studentë nga diaspora shqiptare, diplomantë të arkitekturës. Në këtë link https://www.unifi.it/mod-MDAssRic.html?target=b do të gjeni të gjitha hollësitë e projektit kërkimor dhe mënyrën e aplikimit. Thirrjet për aplikime janë publikuar vetëm në gjuhën italiane.

11 mars 2019, 12:06