Krishti kryqezuar Krishti kryqezuar 

Më 23 mars kalendari përkujton shën Toribio-n e Mongrojevos

Toribio, jurist e teolog i madh, vuri në jetë e aktualizoi dekretet e Koncilit Kishtar të Trentos në realitetin e Kishës vendore. Koncili Plenar i Amerikës Latine i vitit 1899 do ta quante “luminare maius” të ipeshkvijve të Kontinentit, Papa Benedikti XIII e shpalli shenjt më 1726, Papa Shën Gjon Pali II e shpalli pajtor qiellor të kontinentit të Amerikës Latine.

R.SH. - Vatikan

Më 23 mars Kisha katolike përkujton shën Toribio-n e Mongrojevos, kryeipeshkvin e dytë të Limës e Pajtorin qiellor të Kontinentit amerikan. Më 23 mars të vitit 1606 ndërroi jetë në Lima, Peru, kryeipeshkvi i dytë i qytetit, Don Toribio Alfonso de Mongrovejo, qe ungjillëzues i madh i Botës së Re, e saktësisht i Amerikës së Jugut spanjolle.

Toribio, jurist e teolog i madh, vuri në jetë e aktualizoi dekretet e Koncilit Kishtar të Trentos në realitetin e Kishës  vendore. Koncili Plenar i Amerikës Latine i vitit 1899 do ta quante “luminare maius” të ipeshkvijve të Kontinentit, Papa Benedikti XIII e shpalli shenjt më 1726, Papa Shën Gjon Pali II e shpalli pajtor qiellor të kontinentit të Amerikës Latine.

Toribio Alfonso, lindi në gjirin e një familjeje të njohur fisnike në vitin 1538, studioi në universitetet më të famshme të Spanjës: në Valladolid, në Salamankë e në Santjago të Kompostelës, ku u doktorua në drejtësi. Si avokat i shkëlqyer, mbreti Filipi II e emëroi gjykatës në Granadë të Spanjës. Por më pas, duke pasur nevojë për një kryeipeshkëv, të cilit mund t’i besonte, në trojet e pushtuara nga Spanjollët në Amerikën Latine, ia paraqiti Papës si kandidatin e vetëm për këtë mision.

Toribio Alfonso e përfundoi shtegtimin e tij tokësor më 23 mars 1606, në një kapelë të vogël në rrethinat e qytetit të Limës, në mes të indianëve, si të donte që të gjithë ta mësonin se i desh varfanjakët e tij deri në fund të fundit. Ishte e Premtja e Madhe e Pashkëve. Në sa jepte shpirt, eprori i tij luante në harpë Psalmet biblike 116 e 31. Gjatë shtegtimit në rrugët e Amerikës Latine, pati përshkuar më se 15 mijë kilometra, pati pagëzuar 60 mijë besimtarë, ndërmjet të cilëve, tre shenjtorë:  Shën Rozën e Limës, Shën Françesk Solanon e Shën Martinin de Porres. Motua e Turibit ishte: “Koha është e vetmja pasuri që kemi, prandaj duhet at llogarisim me kujdesin më të madh”.

23 mars 2019, 10:33