La Croce di Gesù Cristo e la corona di spine La Croce di Gesù Cristo e la corona di spine 

Më 21 mars kalendari përkujton shën Nikollën nga Flye, pajtor qiellor i Zvicrës

Lutja që thoshte më shpesh shën Nikollën nga Flye ishte: “O Zoti im e Hyji im, largoi nga unë të gjithë ata që më largojnë nga Ti, më çliro nga vetvetja e bëj që të kënaqem vetëm me Ty!”.

R.SH. - Vatikan

Më 21 mars kalendari kishtar përkujton shën Nikollën nga Flye, babai i një familje, oshënar (Flue 1417 –Sachseln 21 mars 1487). I njohur edhe emrin  Vëllai Klaus, shenjti gëzon një popullaritet të madh në Zvicër, vend që e ka zgjedhur si Pajtor Qiellor.

Klausi lindi në vitin 1417 në Flueli, pranë Sacheseln, në kantonin e Obwaldenit. Ndonëse që në moshë të njomë ndjeu thirrjen për jetë eremitë, kundër dëshirës së tij, iu desh të kryente disa detyra të rëndësishme civile, si kryetar i bashkisë së Sachenselnit, këshilltar i gjykatës kantonale, deputet e ushtarak.

Në vitin 1445 u miratua me Dorotea Wtìyss; nga ky bashkim i lindën pesë djem e pesë vajza: njëri nga djemtë u bë famullitari i Sachselnit, ndërsa një nga nipat, vdiq si shenjtë.

Shumë shpejt, pa marrë parasysh kundërshtimet e së shoqes, së cilës nuk i pëlqente dëshira e tij për jetë vetmitar, hyri në një bashkësi rregulltare alsasiane që njihej me emrin “Miqtë e Zotit”. Më pas u tërhoq në Kristerli-Apl, ku nisi një jetë shenjte. Ekzistojnë disa dëshmi, sipas të cilave shenjti për 19 vjet me radhë u ushqye vetëm me Eukaristinë, gjë që ngjalli kureshtjen e të afërmve e të largëtëve.

Atëherë ai u detyrua të gjente strehë në Ranft, pranë një humnere vetmitare. Dilte nga shpella ku jetonte, vetëm për të shkuar në Meshë e për t’i ardhur në ndihmë atdheut të vet, në çaste kritike. Kështu, në vitin 1473, kur Austria kërcënonte fatet e Zvicrës, pastaj më 1481 e 1482, kur u ndje rreziku i shpërthimit të luftës civile. Me lutjet e tij, me praninë e tij, me këshillat, me paqen shpirtërore që rrezatonte si rezultat i lëshimit të plotë në dorë të Zotit, ia doli mbanesh të siguronte bashkëjetesës paqësore të grupeve rivale, me interesa të ndryshme ekonomike e politike. Rezultatet që u arritën me ndërmjetësinë e tij ishin aq të mëdha, sa meritoi emrin “Profet e Atë i Atdheut”.

Lutja që thoshte më shpesh ishte: “O Zoti im e Hyji im, largoi nga unë të gjithë ata që më largojnë nga Ti, më çliro nga vetvetja e bëj që të kënaqem vetëm me Ty!”.

Si e vëzhguan për shumë kohë nga larg, të afërmit u bindën për vlerën e dëshmisë së tij e të lutjes së së tij. Atëherë i ndërtuan një eremitazh e një kapelë, e cila u shugurua në vitin 1469. Atje vijoi të jetonte e të lutej shën Nikolli i Flyes, një nga mistikët më në zë të të gjitha kohërave. E atje edhe vdiq në ditën kur po mbushte 70 vjet, më 21 mars 1487.

Në vitin 1501 Enrico Wolfin hartoi biografinë e tij të parë mbi bazën e fakteve të mbledhura, nën betim, nga dëshmitarë që kishin pa me sytë e tyre e kishin dëgjuar me veshët ngjarjet e mrekullueshme të jetës së Shenjtit.

I lum u shpall në vitin 1669: shenjt – nën papninë e Piut XII në vitin 1947. Na la si kujtim thënien aq aktuale: “Zoti është paqe e këtë paqe s’ka forcë në botë që të shkatërrojë!”.

21 mars 2019, 11:45