Cerca

Vatican News
Shën Çirili i Jerusalemit, ipeshkëv e doktor i Kishës Shën Çirili i Jerusalemit, ipeshkëv e doktor i Kishës 

Më 18 mars kalendari përkujton Shën Çirilin e Jerusalemit, ipeshkëv

Shën Çirili jetoi në kohën plot trazira të Kishës së shekujve të parë. U detyrua të merrte pjesë gjallërisht në diskutimet teologjike, nganjëherë tepër të ashpra, të përziera me ligështitë njerëzore e të ndërthurura me politikën, me luftërat e jashtme për mbrojtjen e perandorisë e me konfliktet e brendshme për të shtënë në dorë fronin, duke përdorur për këtë qëllim edhe fenë.

R.SH. - Vatikan

Më 18 mars kalendari Kishtar përkujton Shën Çirilin e Jerusalemit, ipeshkëv e doktor i Kishës. Shën Çirili jetoi në kohën plot trazira të Kishës së shekujve të parë. U detyrua të merrte pjesë gjallërisht në diskutimet teologjike, nganjëherë tepër të ashpra, të përziera me ligështitë njerëzore e të ndërthurura me politikën, me luftërat e jashtme për mbrojtjen e perandorisë e me konfliktet e brendshme për të shtënë në dorë fronin, duke përdorur për këtë qëllim edhe fenë.

Mjafton të kujtojmë disa data, për ta kuptuar sa e vështirë qe jeta e Shenjtit: i zgjedhur ipeshkëv i Jerusalemit në vitin 348, në vitin 357 u zëvendësua me një tjetër. Shkaku: ipeshkvi Akaçi i Çezaresë në Palestinë (i cili e pati shuguruar) e akuzoi për gabime doktrinore e, për më tepër, nisi të pretendonte që selia Ipeshkëvnore e Jerusalemit të varej nga selia e tij e Çezaresë, asokohe kryeqytet administrativ i Palestinës dhe seli e prokurorëve romakë.

Në vitin 359 një koncil vendas i ipeshkvijve e rehabilitoi e ai u rikthye në katedrën e Jerusalemit. Por, pa kaluar as dy vjet, u dëbua përsëri nga një koncil tjetër, i mbledhur në Kostandinopojë me këmbënguljen e Akaçit, që kishte ndikim të fuqishëm mbi perandorin filo-arian, Kostancin.

Kujtojmë këtu se Akaçi, ipeshkëv ndërmjet viteve 340-366, qe një nga personalitetet më në zë të kohës. Pasardhës i ipeshkvit të madh, Euzebit, vijoi ta pasuronte bibliotekën e Çezaresë. Për të flet edhe Shën Jeronimi, që i vlerëson lart veprat e tij të mëdha, siç janë komentet dhe interpretimet e Shkrimit Shenjt, të cilat më vonë humbën të gjitha.

Në vitin 362, pas vdekjes së Kostancit, që ishte në luftë kundër persianëve e pastaj kundër të kushëririt, Julianit, Çirili u kthye në Jerusalem. Por, rreth vitit 367, perandori Valent e dënoi përsëri. Shenjti u internua, për t’u rikthyer përfundimisht në selinë e vet vetëm në vitin 378, pas vdekjes së Valentit në luftën kundër gotëve.

Në vitin 381 Çirili mori pjesë në Koncilin II Ekumenik të Kostandinopojës e, më pas, në vitin 382, edhe në Koncilin III, gjatë të cilit u ripohua vlefshmëria e shugurimit të tij si ipeshkëv i Jerusalemit ku, më në fund, jetoi i patrazuar deri në vdekje.

Në vitin 1882, pesëmbëdhjetë shekuj më vonë, Papa Leoni XIII e shpalli Dijetar të Kishës, duke theksuar vlerën e katekizmit të tij, kushtuar kryesisht kandidatëve për Pagëzim dhe të sapo pagëzuarve. I akuzuar në kohën e tij për lidhje me rrymat e arianizmit, ai në të vërtetë i kundërvihet doktrinës ariane mbi Krishtin; madje e deklaron qartë Bir të Zotit për natyrë e jo për bijësi, e njëkohësisht, të amshuar, si vetë Ati.

Mësimi i Çirilit të Jerusalemit do të sfidonte shekujt: do të rikujtohej, së bashku me mësimet e etërve të tjerë të Kishës, edhe në shekullin XX, në dy kushtetuta dogmatike të Koncilit II të Vatikanit: “Lumen gentium”- mbi Kishën dhe “Dei Verbum”- mbi Zbulimin Hyjnor. E akoma, në dekretin “Ad gentes”- mbi veprimtarinë misionare të Kishës në botën bashkëkohore.

Kujtojmë se emri Çiril vjen nga greqishtja e do të thotë: njeri i fortë. Simboli i Shenjtit –ipeshkëv është shkopi baritor. Shën Çirili i Jerusalemit (313/315, Jerusalem - 18 mars 386) ishte një teolog dhe ipeshkëv i Jerusalemit. Si kisha katolike dhe ajo ortodokse e nderojnë atë si shenjt dhe at të kishës, dhe e kremtojnë ditën e tij përkujtimore me 18 mars ndërsa Kisha e Lindjes me 20 mars. Papa Leoni XIII në vitin 1883 i dha atij titullin "Doktor i Kishës".

18 mars 2019, 12:02