Kërko

Protesta e sotme në Tiranë Protesta e sotme në Tiranë 

Shqipëria me parlament të pjesshëm, imzot George Frendo duhet dialog

Qëndrimi i Kishës Katolike, përballë protestave të fundit në Shqipëri. Flet kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit, i cili u cili pohon se rruga e vetme është dialogu i sinqertë, interesimi i politikës për të mirën e përbashkët të të gjithëve, përtej interesave personale e partiake.

R.SH. - Vatikan

Përfundoi pa dhunë protesta e opozitës në Shqipëri, ku që sot, parlamentit i mungojnë deputetët e Partisë Demokratike (PD) dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI). “Djegia” e mandateve, neologjizëm i ditëve të fundit, që, me sa duket, do të thotë dorëheqje nga parlamenti e zhvendos lojën në fushën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, drejtuar nga Klement Zguri. Është pikërisht ky organizëm, që në ditët e ardhshme duhet të pronocohet mbi mënyrën se si do të vijojë beteja ballë për ballë ndërmjet pozitës dhe opozitës. Deri tani, së paku në faqen e vet të internetit, Komisioni nuk ka dhënë asnjë njoftim, madje, duket se nuk është as vetëdijësuar për nënshkrimin e dorëheqjes nga mandati të krejt opozitës, përveç disa anëtarëve të saj.

Protestë pa dhunë

Edhe protesta e sotme pati të njëjtat kërkesa si ajo e së shtunës, por, fatmirësisht nuk u desh të përdorej gazi lotsjellës. Turma e stërmadhe në Tiranë, me në krye Lulzim Bashën, kryetarin e Partisë Demokratike, kërkoi sërish t’i jepet fund “parlamentit të krimit”, të largohet kryeministri Edi Rama, të krijohet një qeveri tranzicioni dhe të shkohet drejt zgjedhjeve të reja. Nga ana e tij, vetë Edi Rama ka deklaruar se nuk ka ndërmend të organizojë zgjedhje të reja dhe se ekzekutivi i drejtuar prej tij do ta qeverisë vendin deri në vitin 2021, afati i natyrshëm i përfundimit të mandatit.

Ndërkombëtarët: mos e lini mandatin e distancohuni nga dhuna

Për ata, që patën shpresë në ndërhyrjen ndërkombëtare, sot, gazetat janë plot me prononcime të politikanëve të huaj kundër braktisjes së parlamentit, në favor të një demokracie, që i zgjidh problemet me dialog, brenda kuadrit institucional. Vlen të citojmë Sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, i cili i bën thirrje opozitës shqiptare të mos e lërë mandantin, gjithsesi, duke theksuar të drejtën e saj për të protestuar paqësisht. Në të njëjtën linjë janë shprehur edhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein, Departamenti i Shtetit amerikan, përfaqësues të qeverisë gjermane etj.. Të gjithë, përfshirë ambasadorin e Italisë në Tiranë, i kanë ftuar palët të mos përdorin dhunë e të distancohen prej saj. Pa dyshim, në këtë situatë, vendet e Bashkimit Evropian do ta kenë të vështirë të vendosin nëse duhet t’i hapin negociatat për integrimin me Shqipërinë.

Gjendja në Shqipëri

Ndërkaq, dy statistika, që flasin për gjendjen në vend, kalojnë disi në heshtje. Sipas Institutit të Statistikave, biznesi i vogël, ai familjar, ka vështirësi të shumta për të mbijetuar. Shifrat tregojnë për rënie të ndjeshme të të ardhurave. Kujtojmë se këto ndërmarrje të vogla përbëjnë 94% të bizneseve në Shqipëri e se ato janë shumë të rëndësishme jo vetëm për kontributin ekonomik e financiar që japin, por edhe për ndikimin në shifrat e punësimit.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave të Eurostatit dhe të Bankës Botërore, shqiptarët e perceptojnë si tepër të lartë barrën e shpenzimeve për shërbimin shëndetësor. Banka Botërore nënvizon se ai është më i larti në rajon, ndërsa një raport i Komisionit Evropian e rendit Shqipërinë të parën në Evropë përsa i përket barrës së shpenzimeve për shërbimet dentare. 77% e të anketuarve përgjigjen se e kanë shumë të vështirë t’i përballojnë këto shërbime. E këto janë vetëm dy statistika, por kush jeton në Shqipëri, pavarësisht se i sheh hapat e bëra, e ka të qartë se akoma mbetet shumë për të bërë në përmirësimin ekonomik të shtresave të varfëra, në ngushtimin e hendekut ndërmjet të pasurve dhe të varfrve, në luftën kundër korruspionit, krimit dhe në pastrimin e politikës nga “hedhurinat”.

Qëndrimi i Kishës Katolike

Cili është qëndrimi i Kishës Katolike në këtë situatë? Të dëgjojmë kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit, në mikrofonin e don David Xhuxhës, i cili pohon se rruga e vetme është dialogu i sinqertë, interesimi i politikës për të mirën e përbashkët të të gjithëve, përtej interesave personale e partiake…

Dëgjo imzot George Frendon...
21 shkurt 2019, 17:55