Kërko

Vatican News
2019.01.21 Vetrate della Chiesa interno 2019.01.21 Vetrate della Chiesa interno 

Shenjtorët e Javës 10 -17 shkurt

Liturgjia e kësaj së diele na flet e paraqet historinë e tri thirrjeve në kontekste e perspektiva të ndryshme. Thirrjen e Izaisë profet në leximin e parë, takimin e Palit apostull me Jezusin, në leximin e dytë dhe peshkimin e begatë, madje të mrekullueshëm të shën Pjetrit Apostull, në tregimin ungjillor.

R.SH. - Vatikan

E diel 10 shkurt, Kisha katolike kremton të dielën e 5-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 10 shkurt, kalendari kishtar përkujton shën Skolastikën, virgjër, motër e Shën Benediktit dhe shenjtorët Zotikun, Gjaçintin e Amancin martirë, shën Silvanin dhe të Lumin Alojze Stepinac. Liturgjia e kësaj së diele na flet e paraqet historinë e tri thirrjeve në kontekste e perspektiva të ndryshme. Thirrjen e Izaisë profet në leximin e parë, takimin e Palit apostull me Jezusin, në leximin e dytë dhe peshkimin e begatë, madje të mrekullueshëm të shën Pjetrit Apostull, në tregimin ungjillor.

Të hënën më 11 shkurt, Kisha Katolike kremton festën e Zojës së Lurdës, Zoja e mrekullive dhe e shërimit të sëmundjeve. Po më 11 shkurt, kremtohet Dita XXVII Botërore të Sëmurit, sivjet me temën “Falas morët, falas edhe jepni” (Mt 10,8). Leximet biblike të liturgjisë së ditës na rrëfejnë se është i Lum e pra, i shëruar, ai njeri të cilit i janë falur mëkatet. Vetëm Jezusi na liron, na bashkon e na shtyn t’i thurim lavde veprave të Zotit. 11 shkurti është edhe Dita botërore e të Sëmurit.

Të martën më 12 shkurt, kalendari përkujton shenjtorët martirë të Abitenit dhe shën Benediktin e Anianit. Liturgjia e ditës vënë në pah vëmendjen që i jepet Eukaristisë në predikimin e apostujve. Është një mrekulli, që zbulon mëshirën e Jezusit për ne dhe nevojën tonë për t’u ushqyer me bukën e jetës. Në këtë ditë, Radio Vatikani feston përvjetorin e themelimit.

Të mërkurën më 13 shkurt, kalendari përkujton shenjtoret Foska e Maura, martire, shën Martinjanin, e të Lumin Jordani i Saksonisë, meshtar dominikan. Liturgjia e ditës na kujton porosinë e Krishtit: “Ruhuni nga tharmi i farizejve dhe i Herodit!”. E kjo do të thotë se njeriu i drejtë, larg çdo hipokrizie e servilizmi, nuk lakmon pasuri: i mjafton ‘Buka e Zotit’, që është vetë Jezu Krishti. Në historinë e Kishës të gjitha veprat e mëdha nisin nga përvujtëria e vogëlsia e njerëzve fare të papërfillur nga bota, por tepër të pëlqyer nga Zoti

Të enjten më 14 shkurt, kalendari përkujton shën Çirilin, murg e shën Metodin, ipeshkëv, Pajtorë të Evropës si dhe shën Valentinin. Shembulli i jetës së tyre na kujton se mbarë kufijtë e tokës do të shohin shëlbimin, që vjen nga Zoti përmes nxënësve të tij, të cilët në rrjedhë shekujsh venë në jetë porosinë e Krishtit: “Shkoni në mbarë botën e predikoni Ungjillin!”. E Pajtorët e Evropës qenë pionierë të inkulturimit, përmes të cilit krijohen kushtet që feja të rrënjoset në çdo kulturë.

Të premten më 15 shkurt, kalendari përkujton shën Onezimin, nxënës i Shën Palit, dhe Shën Faustinin e shën Gjovitën, martirë. Këta na kujtojnë se mbarë popujt e tokës do t’i shërbejnë Zotit, por edhe se nuk është aspak e lehtë të ecësh gjithnjë në dritën e Atij të Lumit. 

Të shtunën më 16 shkurt, kalendari përkujton shën Gjylianën, virgjër e martire. Liturgjia e kësaj dite vë në dukje se kush e humbet jetën për kauzën e Krishtit e të Ungjillit të Tij, ka për ta shpëtuar.

Të dielën e ardhshme më 17 shkurt, Kisha do të kremtojë të dielën e 6-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik. E gjithnjë më 17 shkurt, kalendari kishtar përkujton edhe Shtatë themeluesit e Urdhrit të Shërbëtorëve të Virgjërës Mari, ndërmjet të cilëve Aleks Konfalonieri.

09 shkurt 2019, 18:28