Kërko

Shenjtja Gjyzepina Bakita Shenjtja Gjyzepina Bakita  

Me 8 shkurt kalendari përkujton shenjtorët Jeronim Emilianin e Jozefina Bakhitën, virgjër

Më 8 shkurt, kalendarit kishtar përkujton shën Jeronim Emilianin, themelues i Etërve Somaskë, pajtor qiellor i jetimëve dhe i të rinjve të braktisur, dhe shën Jozefina Bakhitën, virgjër. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti e krijoi gruan e ia dha burrit me qëllim që të dy të jenë një trup i vetëm.

R.SH. - Vatikan

Me 8 shkurt kalendari përkujton shenjtorët Jeronim Emilianin dhe Gjyzepina Bakita

Fisnik venecian, që jetoi në shekullin XVI, Jeronim Emiliani ëndërronte një karrierë që do t’i dhuronte lavdi. Nisi, prandaj jetën ushtarake, por si u zu rob gjatë një beteje, e mbyllën në qelitë e nëndheshme të një kështjelle, lidhur këmbë e kokë me zinxhirë. S’mund të bënte tjetër, veç të kujtonte jetën e tij të shkurtër, të mendonte për kotësinë e pushtetit njerëzor, të sillte ndër mend t’ ëmën, që e kishte mësuar të lutej e t’ia besonte veten Zojës së Bekuar, Nënës së Krishtit e Nënës shpirtërore të gjithë të krishterëve.
E kështu, falë lutjes, nisi ta ndjejë veten të lirë. Takimi personal me Zotin, përmes Virgjërës Mari, i la gjurmë të thella në jetë. Kur rifitoi lirinë, jeta e tij mori një kthesë rrënjësore: ndërroi miqësitë, nisi të lexojë çdo ditë Fjalën e Zotit, ndjeu thirrjen për impenjim misionar në shërbim të të varfërve, të sëmurëve, të rinjve të braktisur e grave të penduara. 
E kështu, pas një periudhe të shkurtër noviciati si pendestar me Gjampietro Karafën, papën e ardhshëm Pali IV, Jeronimi ia kushtoi gjithë jetën Zotit. Tërhoqi me shembullin e vet shumë meshtarë e laikë të cilët, ashtu si ai, dëshironin t’i shërbenin Krishtit ndër të varfërit. Lindën kështu “Shërbëtorët e të varfërve” e pastaj edhe “Urdhëri i Klerikëve Rregulltarë të Somaskës”, ose Etërit Somaskë, që e morën emrin nga qyteti lombard në Itali, ku bashkëpunëtorët e shenjtit shkonin për t’u lutur. 
Shën Emiliani përsëriste gjithnjë fjalët: “Në se Zoti gjen në shpirtin tuaj fe të çiltër e shpresë, do të bëjë me ju gjëra të mëdha, sepse ai i larton të përvujtit. Në se e ruani veten në mes të tundimeve, Zoti do t’ju ngushëllojë në këtë botë; do t’ju japë përkohësisht paqe e qetësi këtu poshtë e pastaj, përjetësisht, në botën tjetër”. Vdiq gjatë epidemisë të një sëmundjeje ngjitëse më 8 shkurt 1537.
 
Gjyzepina Bakita lindi në Sudan në vitin 1869. Iu desh të provonte ankthin e rrëmbimit e të skllavërisë. Si u shit disa herë në tregjet e skllevërve në El Obeid e në Kartum, u blé, më në fund, nga konsulli italian. Me të shkoi në Venedik, ku u njoh me motrat kanoziane. Gjyzepina iu lut atyre ta ndihmonin për të njohur atë Zot, të cilin e kishte ndjerë në zemër pa e ditur akoma se kush ishte. E u tregonte motrave rregulltare: “Duke parë diellin, hënën e yjet, thosha me vete: “Kush do të jetë zotëria i këtyre sendeve? 
E ndjeja një dëshirë të zjarrtë për ta parë, për ta njohur e për ta nderuar”. Jetoi pesëdhjetë vjet me radhë duke shërbyer në shtëpinë e simotrave, të cilat e nderonin për ëmbëlsinë e saj të përhershme, për mirësinë e saj e për dëshirën që të njihte Zotin. 
U la trashëgim fjalët: “Të jeni të mira, duajeni Zotin, lutuni për ata që nuk e njohin! Sikur ta dinin ç’hir i madh është ta njohësh Zotin!”. Në pleqëri kaloi një sëmundje të rëndë e të dhimbshme. Dha shpirt më 8 shkurt të vitit 1947 rrethuar nga simotrat dhe nga një turmë e madhe njerëzish, që u mblodh për t’i dhënë lamtumirën e fundit “Nënës së shenjtë zeshkane” e për t’i kërkuar ndërmjetësim nga qielli.

08 shkurt 2019, 11:42