Kërko

 Presidenca e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (pa dy personat anash) Presidenca e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (pa dy personat anash) 

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë i bën thirrje politikës shqiptare për dialog dhe vetëpërmbajtje

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë i bën thirrje politikës shqiptare për dialog dhe vetëpërmbajtje, si dhe për zgjidhje të konfliktualitetit të tejzgjatur, i cili po thellon dhe më shume varfërinë e shqiptarëve, ikjen e tyre, dobësimin e institucioneve demokratike në vendin tonë, si dhe po dëmton rëndë imazhin e Shqipërisë përpara botës.

R.SH. - Vatikan

Pas protestës së djeshme të opozitës dhe duke pasur parasysh gjendjen kritike të krijuar në Shqipëri, me dorëheqjen e deputetëve të PD-së dhe LSI-së nga mandati i tyre parlamentar, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, bëri sot, deklaratën e mëposhtme:

         “Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë (Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike e Shqipërisë, Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë), po ndjekin me shqetësim situatën politike në vendin tonë, e cila ndikon drejtpërsëdrejti në aspektin social, ekonomik dhe në të ardhmen e rinisë sonë, duke krijuar një gjendje të pasigurtë dhe duke cënuar shpresën e një populli të vuajtur, por vital e të fortë përballë sprovave me të cilat është përballur historikisht. Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë i bën thirrje politikës shqiptare për dialog dhe vetëpërmbajtje, si dhe për zgjidhje të konfliktualitetit të tejzgjatur, i cili po thellon dhe më shume varfërinë e shqiptarëve, ikjen e tyre, dobësimin e institucioneve demokratike në vendin tonë, si dhe po dëmton rëndë imazhin e Shqipërisë përpara botës. Ne të gjithë së bashku, duhet të këmbëngulim fort te virtyti i shpresës, që po plagoset dita ditës, duke i bërë thirrje të gjithë faktorit politik të lërë mënjanë dhunën verbale apo fizike, përçmimin e kundërshtarit politik, e të gjejnë medoemos zgjidhje në dobi të të gjithë shoqërisë shqiptare, të atyre nënave dhe baballarëve fisnikë, që ushqyen brezat me dashurinë e shenjtë për këtë tokë, e sidomos të rinisë sonë, e cila meriton një vend me një të ardhme shpresëplotë. Lusim Zotin për më shumë dashuri, mirëkuptim e bashkëpunim. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe popullin tonë.

Me respekt, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë

Tiranë, 27 shkurt 2019”

27 shkurt 2019, 19:13