Vatican News
  Nisja e anijes kozmike "Bereshit" Nisja e anijes kozmike "Bereshit" 

Izraeli nis anijen kozmike drejt Hënës, me një kopje të Torah

Dje, në orën 3,45, anija kozmike izraelite “Bereshit” (“Në fillim”), u nis drejt Hënës, nga baza e fluturimeve kozmike e Cape Canaveral, Florida (SHBA). Mbërritja në Hënë parashikohet për 11 prill, pasi të ketë përshkuar një udhë prej 6,5 milionë kilometrash.

Dje, në orën 3,45, anija kozmike izraelite “Bereshit” (“Në fillim”), u nis drejt Hënës, nga baza e fluturimeve kozmike e Cape Canaveral, Florida (SHBA). Mbërritja në Hënë parashikohet për 11 prill, pasi të ketë përshkuar një udhë prej 6,5 milionë kilometrash e do ta radhisë Izraelin ndërmjet katër superfuqive hënore, njëherësh me SHBA-në, Rusinë e Kinën.

“Pikarritje me rëndësi dhe hap i ri për progresin shkencor të njerëzimit. Izraeli është vend teknologjikisht i pararojës, por nuk i harron kurrë rrënjët e veta shpirtërore  e prandaj do të çojmë në hënë  edhe një kopje të Torah. E vetë anija quhet ‘Bereshit’ (Në fillim), fjalë hebraike me të cilën hapet Bibla, Libri i Librave, që i bashkon hebrenjtë e me të krishterët”. Kështu  Oren David, ambasador i Izraelit pranë Selisë së Shenjtë e komenton, për Agjencinë Sir, nisjen e anijes kozmike “Bereshit” (Në fillim), nga baza amerikane Cape Canaveral. Kujtojmë se Torah e izraelitëve përkon me Pesëlibërshin e Biblës së të krishterëve, që nis me Librin e Zanafillës e vijon me Librin e Daljes, të Levitikut, të Numrave dhe të Ligjit të Përtrirë”. Torah fluturon drejt Qiellit, prej nga zbriti mbi tokë…

“Bere’shith” në gjuhën hebraike - “Në fillim” në shqip – është, pra fjala e parë e Torah, që përmban parahistorinë e njerëzimit, duke shërbyer si hyrje në “Shkrimin Shenjt. Sipas parashikimeve duhet të mbërrijë në Hënë më 11 prill, pas një udhëtimi prej 6,5 milionë kilometrash. Sapo të mbërrijë, anija kozmike  do të hetojë fushat magnetike hënore. “Gjatë fluturimit dhe pas uljes, kontaktet me anijen do të mbahen nga një qendër komunikimi e ngritur në Yehud, pranë Tel Avivit’’, theksuan autoritetet gjatë një konferencë shtypi në Tel Aviv.

Çastet më kritike të misionit do të jenë kalimi nga orbita e Tokës në atë të Hënës dhe ulja në Hënë, e pakryer kurrë deri më tani nga një anije me përmasa kaq të vogla.

Projekti ”Bereshit” ka lindur sipas një nisme private në vitin 2015 dhe është financuar nga biznesmenë izraelitë.  Kryeministri Benyamin Netanyahu dhe bashkëshortja e tij, Sarah, ishin të pranishëm në çastin e shkëputjes së anijes nga toka: “Ky - pohoi kryeminsitri izraelit- është çast krenarie! Një hap i madh përpara për Izraelin dhe teknologjinë e tij”.

23 shkurt 2019, 15:38