Nënshkrimi i Dokumentit mbi "Vëllazërimin njerëzor" Nënshkrimi i Dokumentit mbi "Vëllazërimin njerëzor" 

Dokumenti i Abu Dabit: Këshilli evropian i myslimanëve të urtë, “falënderon Papën dhe al-Tayyeb”

“Mirënjohje të thellë për Papën Françesku dhe Kishën katolike si dhe për Shaykh Ahmad al-Tayyeb të Al-Azhar shpreh Këshilli evropian i Myslimanëve të Urtë, lidhur me “dokumentin historik mbi vëllazërimin njerëzor për paqen botërore dhe bashkëjetesën, nënshkruar nga dy liderët, në Abu Dabi”.

R. SH. - Vatikan

“Mirënjohje të thellë për Papën Françesku dhe Kishën katolike si dhe për Shaykh Ahmad al-Tayyeb dhe institucionin fisnik të Al-Azhar al Sharif  shpreh Këshilli evropian i Myslimanëve të Urtë (European Muslim Leaders Majlis-EuLeMa) lidhur me “dokumentin historik mbi vëllazërimin njerëzor për paqen botërore dhe bashkëjetesën paqësore, nënshkruar nga dy liderët, në Abu Dabi”.

Në një komunikatë, përhapur sot në Itali nga Coreis (Bashkësia fetare myslimane italiane) 17 autoritete fetare myslimane të Evropës, anëtarë të Këshillit, falënderojnë Papën Françesku dhe Imamin e Madh al-Tayyeb “lidhur me  thirrjet e bëra në dokument, për lirinë, drejtësinë, dialogun, mbrojtjen e vendeve të kultit, bashkëpunimin ndërmjet Lindjes e Perëndimit, dënimin të terrozimit, vlerësimin e dinjitetit të familjes, të gruas, fëmijëve dhe të varfërve”. Autoritetet fetare evropiane pohojnë se e lexuan me emocion e vëmendje Dokumentin dhe se janë gati ta mbështesin e ta shoqërojnë konkretisht këtë nismë fisnike si dhe përmbajtjen e këtij mesazhi historik”.

Islami evropian e pranon “ftesën bujare” të dokumentit, që teksti i nënshkruar në Abu Dabi të bëhet  udhëheqës për breznitë e reja, duke i edukuar me respekt reciprok:

“Në funksionet tona të marrëdhënieve institucionale e të formimit edukativ  - lexohet në komunikatën e Këshillit evropian të Myslimanëve të Urtë - jemi prej kohe përgjegjës për transmetimin e vlerave universale e të përbashkëta me krishterimin dhe Islamin si dhe me doktrinat e bashkësive të tjera fetare. E jemi edhe të vetëdijshëm se vetëm realizimi i kësaj perspektive, që respekton identitetin e shenjtë të jetës, mund t’u vërë pritë getove, viktimizmit, diskriminimit dhe pretendimit për homologimin artificial të natyrës njerëzore. “Të urtit” - si besimtarë myslimanë e qytetarë të Evropës - nënvizojnë posaçërisht citimin e rëndësishëm “mbi Qytetarinë”, që  përmban Dokumenti, ku pohohet koncepti i qytetarisë së plotë dhe heqja dorë nga përdorimi diskriminues i termit “pakica”, që ka në vete farët e izolimit e të poshtërimit. Në komunikatë, më në fund, njoftohet se Këshilli evropian i Myslimanëve të Urtë (Euriopean Muslim Leaders Majlis-EuLeMa) dhe anëtarët e tij, “do të mblidhen së shpejti në Bukuresht, nën presidencën e Bashkimit evropian, për të studiuar pista e programe operative, me synim që të përditësojnë veprimtaritë e tyre, parë në dritën e mendimeve të shprehura në Deklaratën e Abu Dabit, në mënyrë  që të favorizojnë suksesin e saj të plotë”.

Ndërmjet 17 nënshkruesve të Komunikatës, janë Rais Al-Ulama Emeritus Mustafa Ceric (Bosnjë), Imami Yahya Pallavicini (Itali), kryetari i Këshillit francez të kultit mysliman Anouar Kbibech (Francë), Imam Sheikh Mohammad Ismail (UK) dhe Imamët e myftinjtë e Finlandës, Austrisë, Gjermanisë, Rumanisë, Polonisë, Rusisë, Danimarkës, Portugalisë, Lituanisë, Shqipërisë, Irlandës e Sllovenisë.

11 shkurt 2019, 18:02