2018.12.19 Natale Natività Gesù Bambino Adorazione 2018.12.19 Natale Natività Gesù Bambino Adorazione  

Shenjtorët e javës 6 – 13 janar

Jezusi drita e botës, është caku i fundmë i historisë, pikarritja e daljes, fundi i udhës providenciale të shëlbimit, që arrin kulmin me vdekjen, ngjalljen dhe ngjitjen e Tij në qiell. Prandaj, në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, liturgjia parashikon edhe Kumtimin e Pashkëve, sepse Viti liturgjik përmbledh gjithë shëmbëlltyrën e historisë së Shëlbimit.

R.SH. - Vatikan

E diel 6 janar, Kisha katolike kremton solemnitetin e Dëftimit të Zotit. Dëftimi i Zotit është festë e ngjalljes, sepse përmbushet plotësisht në ngjarjet e Pashkëve. Kështu, dëftimi i Zotit para Mbretërve Dijetarë, duket si akti i parë i vazhdimësisë së dëftimit dhe dukjeve, që përshkojnë gjithë jetën tokësore të Jezusit. Ai, drita e botës, është caku i fundmë i historisë, pikarritja e daljes, fundi i udhës providenciale të shëlbimit, që arrin kulmin me vdekjen, ngjalljen dhe ngjitjen e Tij në qiell. Prandaj, në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, liturgjia parashikon edhe Kumtimin e Pashkëve, sepse Viti liturgjik përmbledh gjithë shëmbëlltyrën e historisë së Shëlbimit, në qendër të së cilës është Treditëshi i Zotit të kryqëzuar, të varrosur e të ngjallur.

Të hënën më 7 janar, kalendari përkujton edhe shën Rajmondin de Penafort, shën Ciro-n e shën Krispinin. Në liturgjia e ditës, duke medituar Ungjillin e kohës së Krishtlindjes shohim mrekullitë që Zoti ka bërë për ne. Për gjithçka falënderojmë Hyjin Krijues e Atë, që na ka dhënë Birin e Tij Jezu Krishtin.

 

 

Të martën më 8 janar, kalendari kishtar përkujton Shën Severinin e Norçës, e shën Lorenc Justinianin. Liturgjia e ditës na mëson se Jezu Krishti nuk është një skrib i çfarëdoshëm, apo thjesht një ekspert i Shkrimit Shenjt. Ai mëson me autoritet, një doktrinë të re. Zemra ime galdon në Zotin, shpëtimtari im.

 

Të mërkurën më 9 janar, kalendari kishtar përkujton shën Marçelinin; shën Adrianin e shën Fillanin. Liturgjia e ditës na kujton se kur duam me të vërtetë, nuk presim kurrfarë shpërblimi. Duam ashtu si na do Zoti, që na shpëtoi e na fton çdo ditë në tryezën e vet, pa kërkuar dhuratë tjetër, veç asaj të dashurisë për Të e për të afërmin.

 

Të enjten më 10 janar, kalendari kishtar përkujton shën Gregorin nga Nissa, shën Miziade-n; të Lumin Gregorin X, papë. Liturgjia e ditës na kujtojnë se lutja e vazhdueshme dhe bamirësia, janë dy cilësitë që e dallojnë të krishterin, i cili sillet kështu sepse përpiqet t’i ngjasë Zotit. Duke jetuar me lutje e dashuri, ecim të sigurt në rrugët që çojnë drejt qiellit.

 

Të premten më 11 janar, kalendari kishtar përkujton shën Igjinin; shën Paolonin nga Akuilea dhe të Lumin Bernardino Skamaka. Në liturgjinë e ditës, Ungjilli i Hyjit na thotë: Mbretëria Qiellore është afër, kthehuni e besoni në Fjalën e Zotit.

 

Të shtunën më 12 janar, kalendari kishtar përkujton shën Arkadin, shën Cezaren, shën Ernestin e shën Andon M. Puçin. Liturgjia e ditës na mëson se Jezu Krishti nuk është një skrib i çfarëdoshëm, apo thjesht një ekspert i Shkrimit Shenjt. Ai mëson me autoritet, një doktrinë të re. Zemra ime galdon në Zotin, shpëtimtari im.

 

Të dielën e ardhshme më 13 janar, Kisha katolike do të kremtojë Pagëzimin e Jezu Krishtit, ngjarje e kremtim që na dëfton misionin e Tij në botë. Ati Qiellor shpall dashurinë e tij për Të. Shpirti i Shenjtë e shndrit me dritën e vet. Jezusi “i zhytur” në ujë nga shën Gjon Pagëzuesi, me vdekjen dhe ngjalljen e tij, do të na “zhysë” edhe ne në jetën e amshuar.

 

Festa e Pagëzimit të Zotit Jezu Krisht na ndihmon ta kërkojmë fytyrën e Hyjit, jo në vështrimin e kupës së qiellit, as në studimet e filozofëve, mirëpo në vetë personin e Zotit që ka fytyrën e Jezusit. Kisha na fton ta përkujtojmë edhe ditën e Pagëzimit tonë e ta jetojmë në jetën e përditshme.

Gjithnjë më 13 janar, kalendari kishtar përkujton shën Hilarin; shën Goffredin, shën Remigjin.

06 janar 2019, 09:46