Kërko

20180130_BAV_Pal.lat.50_0144_fa_0067v ok_scrivere, mano, manoscritto.jpg 20180130_BAV_Pal.lat.50_0144_fa_0067v ok_scrivere, mano, manoscritto.jpg 

Pashko Gjeçi, përkthyes i paarritshëm, në përvjetorin e vdekjes

Pashk Gjeçi përkthyes i paarritshëm i kryeveprave të letërsisë botërore në gjuhën shqipe, si kryevepra e Dantes “Komedia Hyjnore”, është një figurë e shquar e letrave shqipe me përkthime, po dhe shkrime të tij bashkëkohore.

R.SH. - Vatikan

Duke shfletuar kalendarin historik, më 20 janar, kujtojmë Pashko Gjeçin, përkthyesin e paarritshëm të kryeveprave të letërsisë botërore në gjuhën shqipe, në përvjetorin e vdekjes.

Pra, më 20 janar 2010, u nda nga jeta, në shtëpinë e tij në Tiranë, në moshën 91-vjeçare, përkthyesi i njohur, Pashko Gjeçi, i cili ka sjell në shqip kryeveprat e letërsisë botëror, si Komedinë Hyjnore të Dante Aligerit apo mrekullitë e greqishtes së vjetër e tjera.

Pashko Gjeçi lindi në Shkodër, në 7 shtator të vitit 1918. E mbaroi shkollën e Jezuitëve si dhe gjimnazin Jezuit në Shkodër . Fillimisht mësoi mirë italisht e më pas në gjimnaz, greqishten e vjetër dhe latinishten, gjuhë nga të cilat përktheu mrekullitë e letërsisë botërore në shqip.

Qysh në moshë të re, kur ishte 16 vjeç, Pashko Gjeçi përktheu disa poezi të poetit italian Xhakomo Leopardi.  Në vitin 1938, me gjysmë burse të siguruar nga qeveria e asaj kohe, regjistrohet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Romë. Pashku kujtonte gjithnjë me kënaqësi leksionet e prof. Ernest Koliqit edhe pse shoqërimi me të do t'i kushtonte 5 vjet burg nga regjimi komunist. Me 15 korrik të viti 1942 diplomohet Doktor në Letërsi.  

Pas kthimit në atdhe, më 4 shtator 1947 ndalohet me akuzën 'pjesëmarrje në grup kundër pushtetit'. Pas lirimit nga burgu, regjimi komunist e transferoi në Fushë Krujë, ku punoi shumë gjatë për përkthimin e kryeveprës “Komedia Hyjnore”, një përshkrim i udhëtimit fantastik të Dantes nëpër tri mbretëritë e përjetshme: Ferrit, Purgatorit dhe Parajsës. Në vitin 1960 u botua pjesë e parë e Komedisë, ‘Ferri’. Veprës nuk i u bë ndonjë jehonë e madhe në atë kohë, por ish-drejtori i shtëpisë botuese, Nasho Jorgaqi, thotë se një shqipërim të tillë mund ta bënte vetëm Pashko Gjeçi.

Menjëherë pas botimit të "Komedisë Hyjnore" të Dantes, nisi të përkthente “Odisenë” e Homerit, një punë që e përfundoi me sukses. Por, një tjetër kulm për përkthyesin ishin edhe "Fausti" i Gëtes e “Hamleti” i Shekspirit, gjithmonë vargje, gjithmonë kryevepra, gjithmonë në mënyrë mjeshtërore.

Gjithashtu, Pashko Gjeçi ka sjellë në gjuhën shqipe mrekullitë e greqishtes së vjetër, madje mund të thuhet se në botën shqiptare është i vetmi që e ka realizuar këtë gjë deri më sot. Pra, Pashk Gjeçi mbetet një figurë e shquar e letrave shqipe me përkthimet dhe shkrimet e tij bashkëkohore.

20 janar 2019, 17:35