Cristiani perseguitati Cristiani perseguitati 

Parlamenti Evropian i shqetësuar për rritjen drastike të shkeljeve të të drejtave njerëzore

Parlamenti Evropian i shqetësuar për rritjen dramatike të shkeljes së lirisë së fesë në botë dhe për persekutimin e besimtarëve dhe të jobesimtarëve, vëzhguar gjatë viteve fundit, dhe i ka dënuar sulmet kundër grupeve etnike e fetare, dhe kundër çdo pakice tjetër, shkaktuar nga intensifikimi i politikave të qeverive të ndryshme.

R.SH. - Vatikan

Parlamenti Evropian është i shqetësuar për rritjen dramatike të shkeljes së lirisë së fesë në botë dhe për persekutimin e besimtarëve dhe të jobesimtarëve, vëzhguar gjatë viteve fundit, dhe ka dënuar sulmet kundër grupeve etnike e fetare, dhe kundër çdo pakice tjetër,  shkaktuar nga intensifikimi i politikave të qeverive të ndryshme me pretekstin për të garantuar një "siguri shpirtërore e sociale" në vend. Para një realiteti të tillë, Parlamenti Evropian ka kërkuar mbrojtje më të madhe të të drejtave fetare. Kjo është, në mënyrë të përmbledhur, përmbajtja e një rezolute të miratuar në Strasburg të martën e kaluar me 576 vota pro, 46 ​​kundër dhe 73 abstenime.

Siç u përmend, eurodeputetët kanë dënuar faktin se disa vende aplikojnë apo janë duke u përpjekur për të futur ligje që parashikojnë e sigurojnë dënime të rënda për blasfemi, për konvertimin në një tjetër fe ose për braktisje (apostazi), duke përfshirë edhe dënimin me vdekje.

Parlamenti Evropian thekson se shkeljet e lirisë së fesë apo të besimit shpesh janë shkaku i luftërave ose i formave tjera të konflikteve të armatosura, ose gjithnjë më shpesh i bëjnë ato edhe më të rënda, duke i shndërruar në shkelje të të drejtave të njeriut, e madje deri në vrasje masive apo gjenocide.

Parlamenti Evropian thekson se shkeljet e lirisë së fesë apo të besimit e minojnë demokracinë, pengojnë zhvillimin dhe kanë një efekt negativ, madje nuk e mundësojnë gëzimin e lirive tjera dhe të të drejtave tjera themelore. Realitete të tilla – sipas eurodeputetëve - kërkojnë nga komuniteti ndërkombëtar, nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet anëtare riafirmimin e vendosmërisë për t’i përforcuar veprimet për promovimin e lirisë së fesë ose të besimit për të gjithë.

16 janar 2019, 16:41