Kërko

Kryeqyteti i Panamasë, ndërsa kremtohej mesha e përurimit të DBR-së 2019 Kryeqyteti i Panamasë, ndërsa kremtohej mesha e përurimit të DBR-së 2019 

Panama City

Kryeqyteti i vendit ku mbahet Dita Botërore e Rinisë 2019.

R.SH. - Vatikan

Kryeqyteti i Republikës së Panamasë (1.783.490 banorë), ndodhet në bregun e Gjirit të Panamasë, pranë hyrjes në Kanalin me të njëjtin emër. U themelua në vitin 1519 nga spanjolli Pedro Arias Dávila (conquistadores), për t’u përdorur si bazë në bregun e Paqësorit për ekspeditat spanjolle në Perandorinë Inka, Peruja e sotme. Pjesa më e madhe e arit dhe argjendit, nxjerrë nga spanjollët në Amerikën e Jugut kaluan përmes Panamasë. Më 28 janar 1671, qytetit iu vu zjarri gjatë një sulmi nga pirati anglez Henry Morgan.

         Shkatërruar plotësisht, qyteti u rindërtua pas pak kohe, rreth 8 km nga vendi i zanafillës. Në vitin 1821, kombi fitoi pavarësinë nga Spanja dhe u bashkua me Republikën e Kolumbisë së Madhe. Më 3 nëntor 1903, Panamaja shpalli pavarësinë e saj nga Kolumbia dhe ky qytet u kthye në kryeqytetin e vendit. Në të njëjtin vit, Panamaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruan një traktat, që i lejonte amerikanët të ndërtonin një kanal për anijet, që lundronin në distanca oqeanike. Kanali, rreth 81 km i gjatë, lidhi ujërat e Oqeanit Atlantik me ato të Paqësorit. Ndërmjet fillimit të ndërtimit të tij dhe hapjes (1904-14), qyteti u zhvillua me shpejtësi dhe mori rëndësi të madhe nga pikëpamja ekonomike dhe tregtare në nivel ndërkombëtar.

         Sot, ekonomia e kryeqytetit është e lidhur me veprimtaritë tregtare në Kanal, por edhe me veprimtaritë bankare dhe financiare ndërkombëtare dhe me turizmin. Turistë nga e gjithë bota vizitojnë Casco Antiguo, qendrën historike të Panamasë së dytë, ndërtuar pas vitit 1671, labirint piktoresk i kishave, shesheve dhe pallateve koloniale, ku ndodhet shumica e monumenteve dhe e ndërtesave historike. Qyteti i vjetër, Panama Viejo dhe Casco Antiguo janë ndër pikat më tërheqëse të kryeqytetit, të dyja, trashëgimi botërore e mbrojtur nga UNESCO. Stili i arkitekturës së qytetit pasqyron trashëgiminë e tij të larmishme kulturore, krijuar nga prania e bashkësive të ndryshme nga e gjithë bota. Zemra e qendrës historike është Plaza de la Independencia dhe një nga ndërtesat simbolike është Kisha e San Jose, ku ruhet i famshmi Altar de Oro, i vetmi objekt me vlerë, që i shpëtoi plaçkitjes së piratëve.

         Ndër ndërtesat e rëndësishme gjejmë: Teatro Nacional; Palacio de las Garzas, pallati presidencial; dhe tre muzeumet: de Arte Religioso Colonial, del Canal Interoceanico dhe de Historia de Panama. Sot, kryeqyteti përjeton një zhvillim të madh ekonomik dhe investon në vepra të mëdha si zgjerimi i Kanalit, hapja e Biomuzeumit modern të arkitektit Frank O. Gehry, ndërtimi i linjës së parë të metrosë dhe i rrokaqiejve në xham e çelik, në zonën moderne. Është qytet kozmopolit dhe dinamik, ku takohen stili bashkëkohor me atë kolonial; një qendër tregtare e njohur ndërkombëtarisht për gamën e gjerë të markave dhe larminë e produkteve nga e gjithë bota; unike në bukuri natyrore dhe biolarmi.

Kryedioqeza e Panamasë (9 shtator 1513; kryeipeshkv. 29 nëntor 1925; metropolitane 6 mars 1955) -  13.275 km katrorë; 2,031,700 banorë; 1.727.900 katolikë; 94 famulli; 85 meshtarë dioqezanë; 88 meshtarë rregulltarë; 71 diakonë të përhershëm; 65 seminaristë të kurseve filozofike dhe teologjike; 201 anëtarë të instituteve rregulltare mashkullore; 256 anëtarë të instituteve rregulltare femërore; 63 institucione arsimore; 14.775 pagëzime në vitin e kaluar. * Arzobispado, Calle Ia sur, Carrasquilla, Apartado 6386, Panama 5; ( 261.0002; 6 261.0820; : curiapanama@gmail.com. Kryeipeshkëv i Panamasë është imzot José Domingo Ulloa Mendieta, O.S.A., i lindur në Chitré më 24 dhjetor 1956; i shuguruar më 17 dhjetor 1983; i shuguruar ipeshkëv më 17 prill 2004; emëruar kryeipeshkëv më 18 shkurt 2010. : jdulloa56@hotmail.com.

24 janar 2019, 12:00