Kërko

2018.08.28 Saulo (San Paolo) incontra Gesu Cristo sulla via di Damasco, conversione di San Paolo 2018.08.28 Saulo (San Paolo) incontra Gesu Cristo sulla via di Damasco, conversione di San Paolo 

Me 25 janar Kisha kremton festёn e Kthimit të Shën Palit Apostull

Kthimi i Shën Palit, që në rrugën e Damaskut shitohet prej dritës së Krishtit të Kryqëzuar, nga Sauli farize i bindur, që persekutonte në korpin mistik, Kishёn, u rilind e ngjall si person i ri i rilindur nga feja. Pali, nga armiku i përbetuar i Shëlbuesit, shndërrohet e bëhet misionari i zellshëm i Ungjilli

R.SH. - Vatikan

Më datën  25 janar, kalendari Kishtar kremton festën e Kthimit të Shën Palit Apostull. Kthimi i Shën Palit, që në rrugën e Damaskut shitohet prej dritës së Krishtit të Kryqëzuar, të cilin ai, Sauli farize i bindur, e persekutonte në korpin mistik, Kishёn, vë në dukje në mënyrë të bindshme fuqinë e hirit të Zotit që e rrëzon përdhé Saulin dhe në të e rilind ngjall personin e ri të rilindur nga feja, Palin, i cili nga armiku i përbetuar i Shëlbuesit, shndërrohet e bëhet misionari i zellshëm i Ungjillit, në apostullin e popujve, në dëshmimin e fesë në Krishtit me fjalë e me vepra, me jetë e deri me vdekje.

Udha e Damaskut, ku ndodhi kthimi i Shën Palit, është me rëndësi të dorës së parë për të kuptuar lidhjen mistike që e bashkon Krishtin me Kishën. Sauli, Apostulli i ardhshëm nuk u kthye, ashtu si të tjerët, në takim me bashkësinë e krishterë, të cilën ai madje e persekutoi. U kthye me nismën e vetë Krishtit, që iu duk si i persekutuar. Shën Pali u kthye njëkohësisht tek Krishti e tek Kisha.

Kështu arriti tek përkufizimi origjinal i Kishës si Korpi i Krishtit, të cilin nuk e gjejmë tek autorët e tjerë të krishterë të shekullit të parë. Rrënjën më të thellë të këtij përkufizimi mahnitës të Kishës e gjejmë tek Sakramenti i Korpit të Krishtit. Thotë Shën Pali: “Duke qenë një bukë e vetme, ne, megjithëse shumë, jemi një trup i vetëm”.

Prandaj Apostulli i Popujve nuk i deshi bashkësitë Kishtare që themeloi, të ftohta e burokratike, por plot ndjenjë feje e pasion, sepse i konsideronte si shtrirje të pranisë personale të Krishtit në botë. Themelonte, kështu, një Kishë të Krishtit të përbërë nga gjymtyrë të bashkuara e njëkohësisht të dalluara, të cilave u printe fryma e Shpirtit Shenjt.

Natyrisht të nënvizosh kërkesën e unitetit nuk do të thotë se duhet rrafshuar ose sheshuar jeta kishtare sipas një mënyre të vetme veprimi. Gjetiu Pali Apostull mëson të mos shuhet Shpirti, domethënë të krijohet hapësira për gjallërinë e pabesueshme të shfaqjeve karizmatike të Shpirtit Shenjt Zot, që është burim energjie e gjallërie përherë të re.

Kemi të bëjmë, pra, me një bashkim si vertikal, ndërmjet Jezusit e besimtarëve, ashtu edhe horizontal, ndërmjet të gjithë atyre që luten në emër të Zotit tonë Jezu Krishtit. Bashkësitë e Mbledhjet tona liturgjike – porosiste Apostulli - duhet të jenë të tilla, sa ta shtyjnë njeriun që, pa qenë i krishterë, merr pjesë ndër to, të thotë në fund me bindje: “Zoti është me ju!”. Kuptohet lehtë prandaj sa e madhe është dëshira e Kishës katolike për ta realizuar atë që uron Shën Pali.

Festa liturgjike e “Kthimit të Shën Palit” nis të përkujtohet që nga shekulli VI, ndërsa festa e martirizimit të Apostullit të popujve përkujtohet më 29 qershor, hyn në kalendarin Romak nga fundi i shekullit X, e na krijon mundësinë ta njohim nga afër figurën shumëdimensionale të Palit Apostull, i cili për veten shkroi: “Kam punuar më shumë se të gjithë apostujt tjerë” si dhe “Unë jam më i vogli ndërmjet apostujve, një dështak, i padenjë për t’u thirrur apostull”.

Shndërrimi i Shën Palit, nuk kufizohet vetëm në planin etik, si kthim nga imoraliteti në moralitet, e as në planin intelektual, si ndryshim i mënyrës së kuptimit të realitetit. Kemi të bëjmë me përtëritjen rrënjësore të njeriut, që i ngjet rilindjes. Një shndërrim i tillë bazohet mbi pjesëmarrjen në misterin e vdekjes e të ngjalljes së Jezusit, që ndez atë zjarr apostolik, i cili e shtyn Apostullin, e me të çdo besimtar, të pohojë: “Jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti” (Gal 2,20).
Atëherë ngadhënjimi i Krishtit do të jetë i plotë, na kujton Apostulli, duke theksuar se kështu profecitë e lashta vërtetohen, vdekja mundet përfundimisht e me të, edhe mëkati, sepse vdekja përpihet në fitore, e çdo i pagëzuar mund të marrë pjesë në këtë fitore e të nisë rrugën e shndërrimit të vet, që arrin kulmin në fundin e kohëve. 

                Jetëshkrimi i Shën Palit

Ju propozojmë biografinë e Shën Palit sipas Benediktit XVI mbajtur në katekizmin e audiencës së përgjithshme në Vatikan më 27 gusht 2008.

"Të dashur vëllezër e motra,
në katekizmin e fundit para pushimeve – dy muaj më parë, në ditët e para të korrikut 2008, pata filluar një seri të re tematikash me rastin e vitit kushtuar Shën Palit, duke u ndaluar tek bota në të cilën jetoi Shenjti. Sot do të rifilloj e do të vijoj reflektimin mbi Apostullin e Popujve, duke propozuar jetëshkrimin e tij të shkurtër. Me qenë se do t’ia kushtojmë të mërkurën e ardhshme ngjarjes së madhe që ndodhi në rrugën e Damaskut, kthimit të Palit, që e ndryshoi plotësisht jetën e tij, pas takimit me Krishtin, sot do të ndalohemi shkurtimisht së bashku tek jeta e tij.

Kulmet jetëshkrimore të Palit i gjejmë përkatësisht në Letrën drejtuar Filemonit, në të cilën e quan veten ‘plak’ (Fil 9: presbýtes) dhe në veprat e Apostujve, të cilat në çastin e mbytjes së Shtjefnit me gurë, e cilësojnë ‘të ri’ (7, 58: neanías). Të dyja cilësimet janë të përgjithshme, por, sipas llogarive të lashta ‘i ri’ quhej njeriu rreth të tridhjetave, ndërsa ‘plak’, kur arrinte të gjashtëdhjetat. Data e lindjes së Shën Palit varet, në mënyrë absolute, nga datimi i Letrës drejtuar Filemonit.

Sipas traditës, letra u shkrua gjatë burgimit romak, në mesin e viteve ’60. Pali duhet të ketë lindur në vitin 8, kështu duhet të ishte pak a shumë gjashtëdhjetë vjeç, ndërsa në çastin e mbytjes me gurë të Shtjefnit, ishte 30 vjeç. Kjo duhet të jetë kronologjia e saktë. E Viti kushtuar Shën Palit, që po kremtojmë, ndjek pikërisht këtë kronologji. U zgjodh 2008-ta, duke menduar se Shenjti lindi pak a shumë në vitin 8.

Sidoqoftë, ai lindi në Tars të Cilicisë (cfr At 22,3). Qyteti ishte kryeqendër e zonës e në vitin 51 pas Krishtit aty pati qenë prokonsull vetë Marko Tulio Ciceroni, ndërsa dhjetë vjet më pas, në vitin 41, Tarsi qe vendi i takimit të parë të Mark Antonit me Kleoptarën. Hebre i diasporës, Pali fliste greqisht, megjithëse kishte një emër me zanafillë latine, të prejardhur, për bashkëtingëllim, nga emri hebraik Saul/ Saulos, e kishte nënshtetësinë romake. (cfr Vap 22, 25-28). Pali, pra, ndodhej në kufirin e tri kulturave të ndryshme – romake, greke e hebraike - e ndoshta edhe për këtë arsye, ishte i gatshëm t’i përshtatej frymës universalistike, ndërmjetësimit mes kulturave, universalitetit të vërtetë. Ai mësoi edhe një punë dore, të cilën ka mundësi ta ketë ushtruar edhe i jati, atë të mjeshtrit ‘për prodhimin e çadrave’ (cfr Vap 18,3: skenopoiňs), që mbase duhet ta kuptojmë si zeje për punimin e leshit të ashpër të dhisë ose të fijeve të linit, për të bërë rrogoza ose çadra (cfr Vap 20,33-35).

Rreth moshës 12-13 vjeç, moshë në të cilën djali hebre bëhet mitzvŕ (hyn në moshën e pjekurisë), Pali u largua nga Tarsi, për të shkuar në Jeruzalem, ku u edukua nga Gamalieli-Plaku, nip i Rabinit të madh Hillél, sipas rregullave më të rrepta të farizeizmit, duke u bërë zelltar i flaktë për mbrojtjen e Torahut mosaik (cfr Gal 1,14; Fil 3,5-6; At 22,3;23;6;26,5). “Pikërisht mbi bazën e ortodoksisë të fuqishme fetare, që e mësoi në shkollën e Hillélit, në Jeruzalem, ai pa në lëvizjen që njihej si e Jezusit të Nazaretit, një rrezik të madh për identitetin judaik, për ortodoksinë e vërtetë të etërve. 

Që këtu shpjegohet fakti pse ishte krenar kur e persekutonte Kishën e Hyjit, siç e pohon ai vetë tri herë me radhë në Letrat e tij (1Cor 15,9; Gal 1,13; Fil 3,6). Ndonëse nuk është e lehtë ta përfytyrosh konkretisht këtë persekutim, gjithsesi sjellja e tij ishte shprehje e intolerancës. E megjithatë, pikërisht në këto rrethana, do të bënte kthesën e madhe në rrugën drejt Damaskut. Por kjo ngjarje do të jetë në qendër të vëmendjes në katekizmin e ardhshëm. Natyrisht, që nga ky çast, jeta e tij ndryshoi e ai u bë apostull i palodhshëm i Ungjillit. Në fakt Pali hyri në histori më shumë për atë që bëri si i krishterë, madje si apostull, sesa si farize. Tradita e ndan veprimtarinë e tij apostolike mbi bazën e tre udhëtimeve misionare, të cilave u shtohet i katërti: ai i shkuarjes në Romë si i burgosur. Të gjitha tregohen nga Luka në Veprat. Por kur flasim për udhëtimet misionare, të parin duhet ta dallojmë nga dy të tjerët.

Për të parin (cfr Vap 13-14) Pali nuk pati përgjegjësi të drejtpëdrejtë, sepse udhëtimi, në të vërtetë, i qe besuar Barnabës. Ata u nisën së bashku nga Anatolia mbi Oront, të dërguar nga kjo Kishë (cfr Vap 13,1-3) e pasi ngritën spirancën nga porti i Seleuçisë në bregdetin sirian, përshkuan ishullin e Qipros, nga Salamina, në Paf; prej këtu arritën në bregdetin jugor të Anatolisë, Turqia e sotme, e u kapën në qytetet e Atalisë, në Pergë të Panfilisë, Antioki të Pisidisë, Ikon, Listër e Derbe e, që këtu, u kthyen në pikënisje. Lindi kështu Kisha e popujve, Kisha e paganëve. E ndërkohë, posaçërisht në Jeruzalem, lindte diskutimi i vështirë: deri në ç’pikë këta të krishterë, të ardhur nga paganizmi, ishin të detyruar të hynin edhe në jetën e ligjit të Izraelit (në ndjekjen e riteve fetare e normave të ndryshme, që e veçonin Izraelin nga pjesa tjetër e botës), për t’u bërë vërtetë pjesëtarë të premtimeve të profetëve e për të hyrë faktikisht në trashëgiminë e Izraelit.

Që të zgjidhej kjo çështje, themelore për lindjen e Kishës së ardhshme, u mblodh në Jeruzalem i ashtuquajturi Koncili i Apostujve, për të vendosur mbi këtë problem, nga i cili varej lindja reale e Kishës universale. U vendos të mos ua impononin paganëve të kthyer në fenë e krishterë, nënshtrimin ndaj ligjit të Moisiut (cfr Vap 15,6-30): pra nuk ishin të detyruar t’i respektonin normat e Judaizmit; e vetmja domosdoshmëri ishte t’i përkisnin Krishtit, të jetonin me Krishtin e sipas fjalëve të tij. Kështu, duke qenë të Krishtit, ishin edhe të Abrahamit, të Hyjit e pjesëtarë të të gjitha premtimeve. Pas kësaj ngjarjeje vendimtare, Pali u nda nga Barnaba, zdrypi në Siri e nisi udhëtimin e dytë misionar (cfr Vap 15,36-18,22). Përshkoi Sirin e Cilicinë, pa rishtas qytetin e Listrës, ku mori me vete Timoteun (figurë tepër e rëndësishme e Kishës në fasha, bir i një hebreje e një pagani), dhe e rrethpreu; përshkoi pastaj Anatolinë qëndrore e arriti në qytetin e Troades në bregdetin verior të Detit Egje. E këtu i ndodhi përsëri një ngjarje e rëndësishme: pa në ëndërr një maqedon nga ana tjetër e detit, dmth në Evropë, që i thoshte: “Eja e më ndihmo!”. Ishte Evropa e ardhshme, që kërkonte ndihmën e dritën e Ungjillit. I shtyrë nga ky vegim, hyri në Evropë.

Që këtu ngriti spirancën për Maqedoni, duke hyrë kështu në Evropë. Zbarkoi në Neapoli, arriti në Filipi, ku themeloi një bashkësi të bukur, pastaj kaloi në Selanik e, i nisur që këtu për shkak të vështirësive që i krijuan Judenjtë, kaloi nëpër Berea e arriti në Athinë. Në këtë kryeqytet të kulturës së lashtë greke u predikoi, më parë në Agorŕ e më pas në Areňpag, paganëve e grekëve. E fjalimi në Areňpag, për të cilin flitet në Veprat e Apostujve, është model që tregon si duhet çuar Ungjilli në kulturën greke, si mund t’i bësh grekët të kuptojnë se ky Zot i të krishterëve, i hebrenjve, nuk ishte Hyj i huaj për kulturën e tyre, por Hyji i panjohur, i pritur prej tyre, përgjigje e vërtetë për pyetjet më të thella të kulturës së tyre.

Nga Athina, pastaj, arriti në Korint, ku u ndalua një vit e gjysëm. E këtu kemi një ngjarje kronologjikisht shumë të sigurtë, më të sigurtën e gjithë jetëshkrimit të tij, sepse gjatë qëndrimit në Korint, atij iu desh të paraqitej para Qeveritarit të provincës senatoriale të Akajës, Prokonsullit Galioni, i akuzuar se ushtronte një kult të paligjshëm. Mbi Galionin dhe kohën e tij, në Korint ruhet një mbishkrim i lashtë, i gjetur në Delfi, ku thuhet se ishte Prokonsull në Korint ndërmjet viteve 51 e 53. Prej këndej, këtu kemi një datë absolutisht të sigurtë.

Pali ndenji në Korint pikërisht gjatë këtyre viteve. Mund të hamendësojmë se arriti pak a shumë në vitin 50 e ndenji aty deri në vitin 52. Nga Korinti, pastaj, duke kaluar nëpër Çenkre, port lindor i qytetit, u drejtua nga Palestina, duke kaluar nëpër Çezarenë Bregdetare, prej nga u ngjit në Jeruzalem, për t’u kthyer, pastaj, në Antiokinë mbi Oront.

Udhëtimi i tretë misionar (cfr Vap 18,23-21,16) filloi si gjithnjë në Antiokinë, që qe bërë pikë zanafille e Kishës së paganëve, e misionit të paganëve e ishte edhe vendi ku lindi termi ‘të krishterë’. Këtu, për herë të parë, na thotë Shën Luka, ndjekësit e Jezusit u thirrën ‘të krishterë’. Që aty Pali shkoi drejt e në Efez, kryeqytet i provincës së Azisë, ku qëndroi dy vjet, duke kryer një shërbim, që pati ndikim të madh në zonë. Nga Efezi Pali shkroi letrat drejtuar Selanikasve e Korintianëve. Por popullsia qytetit u çua peshë kundër tij, duke u nisur nga argjendarët vendas, të cilëve po u pakësoheshin fitimet, për shkak të kufizimit të kultit të Artemidës (tempulli që i kushtohej asaj në Efez, Artemysion, ishte një nga shtatë mrekullitë e botës së lashtë); prandaj atij iu desh të ikte drejt veriut.

Si përshkoi rishtas Maqedoninë, zbriti përsëri në Greqi, ndoshta në Korint, ku ndenji tre muaj e shkroi Letrën e famshme drejtuar Romakëve, që përmbledh gjithë kumtimin e tij. Që këtu u rikthye në Maqedoni e, me anije, arriti në Troade e pastaj, duke shkelur paksa ishujt Mitilenë, Kio, Samo, arriti në Milet, ku mbajti një fjalim të rëndësishëm para Pleqve të Kishës së Efezit, duke përshkruar portretin e bariut të vërtetë të Kishës (cfr Vap 20). Prej këndej u rinis, duke shpalosur velat drejt Tirit, prej nga arriti në Çezarenë Bregdetare, për t’u ngjitur edhe një herë në Jeruzalem. Këtu u arrestua për një keqkuptim: disa Judenj kishin marrë për paganë ca judenj të tjerë me origjinë greke, të cilët Pali i kishte lejuar të shkelnin në zonën tempullare ku mund të hynin vetëm izraelitët. Shpëtoi nga dënimi i caktuar me vdekje, falë ndërmjetësisë së tribunit romak të rojes në zonën e Tempullit (cfr Vap 21,27-36); kjo ndodhi kur në Judé ishte Prokuror perandorak Anton Feliçe. Pasi kaloi ca kohë në burg (nuk dihet mirë sesa), e me qenë se, si qytetar romak, kishte të drejtë apelimi nga Qesari (që asokohe ishte Neroni) Prokurori i mëpasëm, Porcio Festo, e nisi në Romë të shoqëruar me roje ushtarake. 

Në udhëtimin drejt Romës preku ishujt mesdhetarë të Kretës e të Maltës, e pastaj qytetin e Sirakuzës, Regjo Kalabrien e Pozuolin. Të krishterët e Romës dolën ta prisnin në Rrugën Apia deri në Forin e Apios (rreth 70 kilometra në jug të kryeqytetit) e të tjerë, deri tek Tri Tavernat (rreth 40 km). Në Romë u takua me delegatët e bashkësisë hebraike, të cilëve u tregoi se ishte në zinxhirë për shkak të ‘shpresës së Izraelit’ (cfr Vap 28, 20). Por rrëfimi i Lukës përfundon duke zënë në gojë dy vjetët e kaluara në Romë nën mbikqyrje të lehtë ushtarake, pa cekur fare ndonjë vendim nga ana e Qesarit (Neronit) e aq më pak, vdekjen e të akuzuarit.

Tradita e mëvonshme flet për lirimin e tij, që duhet t’i ketë krijuar, pastaj, mundësitë si për të bërë një udhëtim në Spanjë, ashtu edhe një tjetër në Lindje, e më saktësisht në Kretë, në Efez e në Nikopoli të Epirit. Gjithnjë mbi bazë hamendjesh, flitet për një arrestim të dytë e edhe për një burgim të dytë në Romë (ku duhet të ketë shkruar Letrat e ashtuqajtura Baritore, dmth dy letrat Timoteut e Titit), e një proces gjyqësor, me përfundim negativ.  Sidoqoftë, një sërë shkaqesh i shtyjnë shumë studiues të Shën Palit ta përfundojnë jetëshkrimin e Apostullit me rrëfimin e Shën Lukës në Veprat

Në këtë listë të shkurtër të udhëtimeve të Palit, mjafton të shënojmë se ai iu kushtua kumtimit të Ungjillit, pa i kursyer energjitë, duke përballuar një sërë provash të rënda, listën e të cilave na e la në Letrën e dytë drejtuar Korintianëve (cfr 11,21-28). Nga ana tjetër është ai që shkruan: “Gjithçka bëj për Ungjillin’(1 Kor 9,23), duke u marrë bujarisht me atë, që e quan ‘shqetësimi për të gjitha Kishat” (2 Kor 11, 28).

Shikojmë një impenjim, që mund të shpjegohet vetëm përmes një shpirti të rrëmbyer nga drita e Ungjillit, të dashuruar me Krishtin, një shpirti të mbështetur nga bindja e thellë: është e nevojshme t’i çohet botës drita e Krishtit, t’u kumtohet të gjithëve Ungjilli. Kjo, më duket, është gjithçka mbetet nga kjo përmbledhje e udhëtimeve të Palit: të shikosh pasionin e tij për Ungjillin, për të kuptuar madhështinë, bukurinë, madje nevojën e thellë që ka Ungjilli për ne të gjithë.

Të lutemi që Zoti, i cili e bëri Palin ta shohë dritën e Tij, ta dëgjojë Fjalën e Tij t’i preku thellë zemrën, të na ndihmojë edhe ne ta shohim dritën e Tij, që edhe zemra jonë të preket nga Fjala e Tij e të mundemi edhe ne t’ia japim dritën e Ungjillit e të vërtetën e Krishtit botës së sotme, të etur për të” .

25 janar 2019, 06:30