Cerca

Vatican News
Santi Aquila e Prisca Santi Aquila e Prisca  (© Biblioteca Apostolica Vaticana)

Më 18 janar kalendari kujton shën Priskën, martire

Nga Aktet e martirizimit të Shën Prsikës, mësojmë se ajo duhet ta ketë derdhur gjakun për Krishtin nën perandorin Klaudio (268-270) e se duhet të jetë varrosur në Rrugën Ostiense. Më pas reliket e saj u mbartën në Aventin.

R.SH. - Vatikan

Më 18 janar, kalendari kishtar përkujton Shën Priskën, martire. Kur flasim për figurën e Shën Priskën duhet thënë se nuk është e lehtë të përshkruhet jeta e kësaj martire romake, ndonëse për të kemi një mori dokumentesh të lashta. E kjo, sepse ka shumë mundësi që njoftimet, të cilat duken sikur flasin për të, i përkasin tri martireve të ndryshme: asaj vetë, Priskës gruas së Akuilës, të cilën e kujton Shën Pali Apostull dhe një shenjtoreje tjetër me të njëjtin emër, që nuk përmendet më në kalendarët kishtare.

Nga Aktet e martirizimit të Shën Prsikës, mësojmë se ajo duhet ta ketë derdhur gjakun për Krishtin nën perandorin Klaudio (268-270) e se duhet të jetë varrosur në Rrugën Ostiense. Më pas reliket e saj u mbartën në Aventin.

Sipas gojëdhënës ajo qe nxënësja e parë e Shën Pjetrit apostull që e dëshmoi fenë e vet me martirizim. Sidoqoftë sot Kisha e nderon Priskën martire si ‘fryt i parë i apostullimit të Peshkatarit të Galilesë’ dhe si themeluesen e Kishës romake me të njëjtin emër, për të cilën na flet epitafi i shkruar mbi një rrasë varri të shekullit V, që ruhet në kiostrin e Bazilikës së Shën Palit jashtë mureve të Romës. 

Kisha e lashtë e Shën Priskës në Aventin, një stoli e vërtetë ndërmjet antikiteteve të shumta romake, lartohet mbi themelet e një shtëpie të madhe të shekullit II, gjë që është provuar edhe nga gërmimet arkeologjike. Duhet të ketë qenë shtëpia e vashës romake, që dha jetën në lule të moshës për Krishtin.

18 janar 2019, 12:59